Dje është arrestuar një banor 42-vjeçar i fshatit Zhelinë, pasi policia dyshon se ishte përfshirë në dëmtimin e sistemit qendror të furnizimit me oksigjen në spitalin e Tetovës më 23 gusht. Atëherë, dhunshëm ishin dëmtuar dy gypa bakri, njëra prej të cilave për ajër të kompresuar ishte prerë, kurse tjetra për oksid nitrogjeni ishte shtrebëruar.
“Policët e Sektorit për Punë të Brendshme Tetovë dje rreth orës 17 në Tetovë arrestuan A.R. (42) nga Zhelina e Tetovës nën dyshimin për përfshirjen e tij në dëmtimin e dy gypave të bakrit në zonën e Spitalit Klinik të Tetovës, raportuar më datë 23 të këtij muaji. Po merren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit”, informoi Marjan Josifoski, zëdhënës i SPB Tetovë.
Nga SPB Tetovë thonë se me kërkesë të spitalit pas incidentit, është shtuar prania e policëve rreth objekteve.
Sç informuan atëherë nga spitali i Tetovës, kishte 125 pacientë në repart që kishin nevojë për mbështetje të oksigjenit.
“Duket se ishim me fat që shpëtuam të gjithë 125 pacientët që kishim, pasi nëse do të kishte dëmtime në tubin kryesor do të ishte një katastrofë dhe nuk do të doja të parashikoja se çfarë mund të ndodhte dhe çfarë mund të bënim në ato momente. Kjo do të nënkuptonte transport të të gjithë pacientëve nga të gjitha repartet, ndërssa kemi pacientë jo të transportueshëm. Paramendoni do të duhej që mbi 70% e pacientëve të transportoheshin urgjentisht, për fat të mirë kjo nuk ndodhi. Shpresoj që tani policia do të shohë se për çfarë bëhet fjalë dhe kush është autori i kësaj vepre”, tha Dr. Gëzim Nuredini, koordinator në Qendrën kovid të Spitalit Klinik.
Ende nuk dihen motivet për të cilat është kryer kjo vepër e dëmtimit të gypave të furnizimit me oksigjen.