Rrjetet e krimit të organizuar po rekrutojnë gjithnjë e më shumë të rinj për të kryer vepra penale, paralajmëron Europol, që ka krijuar tashmë një një grup të ri operativ për të trajtuar problemin në rritje të rekrutimit të të rinjve në grupe kriminale.
E udhëhequr nga Suedia, Task Forca Operacionale njihet si “OTF GRIMM” dhe përfshin zbatues të ligjit nga Belgjika, Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Holanda dhe Norvegjia.
Sipas Europol, të rinjtë rekrutohen dhe udhëzohen në internet për të kryer krime të ndryshme si trafikimi i drogës, sulmet kibernetike, mashtrimet në internet dhe zhvatja e dhunshme. Disa prej tyre madje mund të detyrohen të vrasin si pjesë të “punës” së tyre.
Shfrytëzimi i të rinjve është një kundërmasë kriminale që krijon një ndarje midis aktivitetit kriminal dhe anëtarëve kryesorë të rrjetit. Kjo i ndihmon anëtarët kryesorë të mbeten anonimë dhe të shmangin radarin e zbatimit të ligjit. Për rrjetet kriminale, të rinjtë janë asete me rrezik të ulët dhe të disponueshme, shprehet Europol, në një deklaratë, ku shpjegon si fëmijët rrezikojnë të bllokohen në një stil jetese kriminale.
Europol, përmes deklaratës të publikuar në faqen on line, këshillon prindërit për gjërat që duhet të kenë kujdes.
Nëse kanë filluar të përdorin aplikacione mesazhesh të koduara, pyetini pse. Çfarë duhet të fshehin?
Ata po flasin ndryshe. Mendime të reja, vlera të reja — ndonjëherë papritmas. Kujt po i dëgjojnë?
Ata po gënjejnë më shumë. Ose thjesht po i shmangin pyetjet fare.
Ata kanë miq të rinj. Sidomos të rinj më të rritur ose të rritur që nuk i ke takuar kurrë.
Ata kanë gjëra të reja. Rroba, teknologji, para – por asnjë shpjegim se nga kanë ardhur.
Ata kanë pushuar së kërkuari para. Por duket se kanë me bollëk. Kjo nuk është pavarësi – ky është një flamur i kuq.
Ata po largohen nga jeta normale. Po lënë shkollën. Po shmangin rutinën. Po bëjnë më pak interes për miqtë e vjetër ose hobitë. /TCh/