Falja skandaloze e personave me dosje të rëndë kriminale i hëngri “kokën” komisionit për falje. Komisioni për Falje dha dorëheqje kolektive, ndërsa presidentja në mënyrë ekspres pranoi dorëheqjen. Përmes një komunikate presidenca tha se anëtarët e Komisionit për Falje e informuan presidenten Siljanovska Davkova se japin dorëheqje kolektive dhe këto dorëheqje u pranuan. Kabineti i Siljanovskës paralajmëroi konsultime për përbërjen e re të Komisionit për Falje.
“Në periudhën e ardhshme presidentja Gordana Siljanovska Davkova do të kryejë konsultime për përbërjen e re të Komisionit, si dhe për dobësitë institucionale dhe ligjore, të cilat ekzistojnë në sistemin për faljen e personave të dënuar”, njoftim nga Presidenca
Ndërkohë anëtari i Komisionit për Falje, Gordan Kallajxhiev në njoftimin e tij për dorëheqjen kolektive nuk dha sqarime, por shkurt tha se vendimi është në përputhje me parimet profesionale.
„Njoftojmë opinionin për dorëheqjen tonë kolektive nga pozitat e anëtarëve në Komisionit për Falje. Këtë vendim e morëm në pajtim me parimet tona personale dhe profesionale”, tha Gordan Kallajxhiev, ish anëtar I KOMISIONIT PËR FALJE.
Kallajxhiev detaje zbardhi në një intervistë në Kanal 5. Ai këmbëngulte se emrat për falje ishin prej shumë më herët, përfshi kohën e ish ministrit të Drejtësisë Krenar Lloga. Në pyetjen se kush e firmosi propozimin për faljet e fundit, cili ministër i Drejtësisë dhe në çfarë date, Kallajxhiev u përgjigj Krenar Lloga.
“A e dini kush e ka firmosur raportin, ashtu më thatë se quhet nga Ministria e Drejtësisë, cili ministër dhe në çfarë date?
Kjo e fundit është nga ministri i ri.
Pra raporti për të cilin ju vendosët për këto faljet e fundit, nga cili ministër është?
Jo raport. Drejtësia jep propozim.
Pak më parë më thatë raport tani është propozim. Atëherë propozimi i kujt është?
Kjo e fundit për këtë shqiptarin që është. Është nga Lloga më fal.” – Gordan Kallajxhiev, ish anëtar I KOMISIONIT PËR FALJE.
Ndërkohë ish ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga në momentin e bërjes publike të informacionit për faljet bënte sikur i tronditur nga lajmi dhe në facebook në cirilik shkruante Уриме, Уриме, Уриме. Ndërsa pas dorëheqjes së Komisionit për Falje Lloga u mburr po në Facebook duke shkruar se reagimi i të gjithëve dha rezultat.
Emrat që ngritën pluhur nga faljet në festën e 23 Tetorit, ishin Shenoll Masllani, i cili para pesë vitesh u arrestua për drogë, sulm ndaj një policit dhe armatim, por edhe Akif Ravmanovski nga Haraçina, i cili është pjesë e grupit “Baron”, ndërkaq ka qenë i dënuar për armëmbajtje pa leje. Por Ravmanovski vetëm 1 ditë e gëzoi faljen. Policia menjëherë pas faljes e arrestoi lidhur me incidentin e 14 tetorit para Komunës së Çairit. Sipas policisë ai ka qenë dorasi që ka shtënë me armë zjarri ndaj një 35 vjeçari. Policia, ka dorëzuar padi penale për tentim-vrasje. /Alsat/