Gjyqësori dhe reformat në administratë, plagë në procesin e integrimeve

    Procesi i skriningut për Maqedoninë e Veriut po zhvillohet në bazë të pritjeve dhe planit, bëjnë të ditur nga Sekretariati për Çështje të Integrimeve, ndërsa pritet raporti i Komisionit Evropian për sa i përket dy grupeve të para, për të cilat ka përfunduar ky proces.

    Nga ky dikaster theksojnë se në pritje të raportit të Komisionit Evropian për skriningun në grupin e parë dhe projektin e parë të tre udhërrëfyesve për sundimin e së drejtës, për administratën publike dhe reforma në administratën publike, si dhe funksionimin e institucioneve demokratike, do të finalizohen dhe udhëzimet për udhërrëfyesit për Maqedoninë e Veriut.

    Ekspertët për çështje të integrimeve theksojnë se zhvillimet e fundit në Këshillin Gjyqësor do të sjellin nota jo të favorshme sa i përket hapjes së negociatave, të cilat pritet të ndodhin në fund të këtij viti përmes grupit të parë si shumë problematike krahas gjyqësorit apostrofojnë edhe reformat në gjyqësor.

    Maqedonia e Veriut krahas procesit të skriningut mbetet e angazhuar në tejkalimin e dallimeve mes pushteti dhe opozitës rreth ndryshimit të Kushtetutës, për përfshirjen bullgarëve në preambulë, si kusht për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.

    Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues për Maqedoninë e Veriut ka rrezik të bllokohet.

    Sekretarja Shtetërore në Sekretariatin për Çështje Evropiane, Drita Abdiu- Halili, e cila është zëvendëskryenegociatore për zhvillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, për Radion Evropa e Lirë thekson se raportet e Komisionit Evropian do të jenë shumë të detajuara, të cilat siç thekson, do të ndihmojnë në përpilimin e udhërrëfyesve për të vazhduar me reformat.

    “Ne, si shtet, kemi bërë progres të konsiderueshëm në zbatimin e reformave në këto dy fusha [në gjyqësor dhe administratë] dhe vazhdimisht punojmë në arritjen e standardeve evropiane. Skriningu në këto dy fusha ka përfunduar në nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar, 2022, dhe tani Komisioni Evropian përgatit raportet në saje të të cilave ne do t’i përgatisim udhërrëfyesit”.

    “Ne kemi obligim që sapo të marrim raportin, të përgatisim tre udhërrëfyes për ‘Fundamentalet’ reformat në administratën publike dhe udhërrëfyesin për funksionimin e institucioneve”, thotë ajo.

    Por, ekspertët për çështje të integrimeve evropiane theksojnë se në raportin e Komisionit Evropian do të paraqiten më shumë plagë, nga të cilat lëngon gjyqësori dhe administrata për të qenë në shërbim të qytetarëve.

    Goce Kocevski nga Shoqata e Juristëve të Rinj në Maqedoninë e Veriut, për Radion Evropa e Lirë thotë se për dallim, vitet e fundit, kur të paktën evident ishte entuziazmi për përshpejtimin e reformave në gjyqësor dhe në administratën publike, përshtypja e tij është se këtë vit ka ngecje në të dy proceset.

    “Për fat të keq, zhvillimet e caktuara këtë vit, veçanërisht zhvillimet në Këshillin Gjyqësor, mungesa e zgjidhjes ligjore dhe përcaktimit të përgjegjësisë për rastet e iniciuara nga Prokuroria Speciale, na vendosën në një pozitë të keqe fillestare në raport me fillimin e negociatave”, thekson Kotsevski.

    Ai thekson se ngecja i procesit të reformave në gjyqësor dhe administratë buron nga zhvillimet politike dhe çështjet që kanë të bëjnë me domosdoshmërinë e ndryshimeve kushtetuese, si dhe afrimin e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare ku partitë nuk mund t’i shmangin kalkulimet për të mos i humbur votuesit.

    “Çështja që ka të bëjë me administratën publike dhe riorganizimin, me përcaktimin e një ligji të posaçëm për titullarët e funksioneve publike, ku pikë kyçe do të jetë profesionalizmi dhe jo përkatësia politike, janë aktivitete që kanë nisur si një lloj nisme, por nuk kanë përfunduar. Disa nga proceset i kemi nisur më herët, por nuk kanë përfunduar. Kjo do të na jepet si detyrë në periudhën e ardhshme”, beson ai.

    Nga ana tjetër, Simonida Kacarska nga Qendra për Politika Evropiane (EPI), thotë për Radion Evropa e Lirë se sfidë mbetet marrja e përgjegjësive që apostrofohen si detyrë për institucionet e vendit, pavarësisht faktit se sa të vështira dhe të dhimbshme do të jenë reformat, sepse vetëm në këtë mënyrë vendi mund të shënojë përparim, për sa i përket përparimit të procesit eurointegrues.

    Edhe Kacarska vlerëson se zhvillimet gjyqësor, me theks Këshillin Gjyqësor, mund ta çojnë vendin disa hapa prapa në raport me realizimin e detyrimeve që ka marrë Maqedonia e Veriut nga Brukseli në raport me integrimin e vendit në familjen evropiane.

    “Ndodhitë në Këshillin Gjyqësor paraqesin rrezik serioz që ne si shtet të notohemi me nota më të këqija se viti paraprak për sa i përket reformave në gjyqësor. Duhet të kemi parasysh se varësisht nga notat që do të marrim gjatë periudhës së ardhshme, fokusi do të vendoset në implementimin e ligjeve që kemi miratuar në përputhje me standardet evropiane”, thekson Kacarska.

    Maqedonia e Veriut pas 17 vjetëve nga marrja e statusit si shtet kandidat, vitin e kaluar më 19 korrik 2022 edhe formalisht filloi negociatat paraqasëse me Bashkimin Evropian me mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare.

    Lajmi Paraprak

    Tetë fjali nuk duhet t’ua thoni asnjëherë fëmijëve tuaj, sipas psikologëve

    Lajmi i rradhës

    Uji në Tetovë i pijshëm, problem në vendbanimet rurale

    Lajme tjera

    A do të ringritet LSDM-ja?

    Branko Crvenkovski, Vllado Buçkovski, Radmila Shekerinska, Zoran Zaev, Dimitar Kovaçevski… LSDM pret të vazhdojë serinë e liderëve, këtë…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë