Familja Ristovska kërkoi drejtësi për rastin e vajzës së tyre Teodorën

    Për shkak të mungesës së të akuzuarit Mensur Pajaziti, si dhe avokatit të tij Aleksandar Bogdanovski, gjyqtari Elvedin Ferati nga Gjykata Themelore e Tetovës mori vendim për shtyrjen e gjykimit të rastit të Teodora Ristovskës, e cila humbi jetën në një aksident trafiku në vitin 2022, shkruan Tetovoinfo, përcjell Nistori.

    Ky është rigjykim, pasi Gjykata Themelore e Tetovës e dënoi me tre vjet e gjashtë muaj burg. Më pas, Gjykata e Apelit ia zvogëloi dënimin në dy vjet, ndërsa Gjykata Supreme i anuloi të dy aktgjykimet dhe e ktheu gjykimin në Gjykatën Themelore të Tetovës.

    “Më datë 03.03.2025, bashkëshortja e të pandehurit ka dorëzuar një parashtresë me të cilën informon se i pandehuri po trajtohet në Spitalin Klinik dhe ka dorëzuar raport mjekësor nga Spitali Klinik i ISHP-së se është mbajtur si pacient për trajtim spitalor në repartin e mjekësisë interne. Meqenëse nuk janë plotësuar kushtet ligjore për shqyrtimin kryesor, ajo shtyhet për 27 mars në ora 11:30″, tha gjyqtarja.

    Familja reagoi se ashtu si në gjyqin e parë po përballen me një vonesë në drejtësi dhe kanë dhimbje.

    “Pas dy vitesh e gjysmë jemi sërish para Gjykatës së Shkallës së Parë, po e rikthejnë dhimbjen, po rijetojmë të njëjtin tmerr. Motra ime ishte vetëm 22 vjeçe. Një studente që luftoi për të drejtat e tij, me ëndrra, ishte një njeri me shpirt të madh dhe siç e shihni këta njerëz erdhën sot këtu për të na mbështetur, sepse motra ime kishte shpirt për të gjithë. Nuk e kuptoj sa shumë duhet të kalojmë, sa më shumë duhet të kalojmë të njëjtin ferr për diçka që është e dukshme dhe sa lot duhet të derdhim, sa nëna të tjera duhet të ringjallim në të zeza. Sot jemi këtu për drejtësi dhe shpresoj që gjykata të gjykojë drejt”, tha Eva Ristovska, motra e Teodorës.

    Para Gjykatës Themelore në Tetovë sot në shenjë mbështetjeje për familjen Ristovska janë mbledhur një grup qytetarësh të cilët kanë kërkuar gjykim të drejtë për jetën e humbur e vajzës së re.

    Teodora është përplasur në një vendkalim për këmbësorë më 15 gusht 2022 në bulevardin “Video Smilevski-Bato”. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Pakënaqësi me çmimin e duhanit prej 7 euro! 

    Lajmi i rradhës

    Shtatë zakone që do t’ju shërojnë njëherë e mirë aparatin tretës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë