Fatmirësisht, asnjë zjarr serioz këtë verë në Dibër

    Zjarri në malin e fshatit Cerovë / 28 korrik, 2025 / Fotografia: Emir Hamzi

    Edhe pse ka zjarre të shumta në të gjithë rajonet e vendit, deri tani në Komunën e Dibrës dhe rrethinën e saj, nuk janë regjistruar zjarre serioze me dëme të mëdha. Në Njësinë e Zjarrfikësve në Dibër thonë se gjatë kësaj vere, janë regjistruar disa zjarre të vogla, por jo edhe zjarre të mëdha siç ishin viteve të tjera, edhe atë falë kontrolleve të shumta dhe të rrepta që realizojnë institucionet në pjesët ku ka pyje. Koordinimi i aktiviteteve nga ana e institucioneve në prag të verës ka dhënë rezultate, thonë kompetentët.

    Në Njësinë territoriale të Zjarrfikësve në Dibër informojnë se kontrollet në hyrje të pjesëve malore dhe pyjeve janë të përditshme dhe rutine. Udhëheqësi i Njësisë në fjalë, Xhetan Miftaroski, për gazetën Koha thotë se kontrollet e rrepta japin rezultate në sferën e parandalimit të zjarreve. Më parë ka patur shumë zjarre në hapësira e kjo këto verë deri tani nuk ka ndodhur.

    “Në muajt qershor dhe korrik 2025, ka patur gjithsej 18 intervenime, por bëhet fjalë për zjarre të vogla dhe nuk kanë të bëjnë me zjarre të mëdha. Është ky një numër minimal i intervenimeve në krahasim me vitet e kaluara kur në këto dy muaj regjistroheshin edhe mbi 50 zjarre edhe atë shpesh me karakter masovik, me çka kishte edhe dëme të mëdha materiale. Deri tani, ose për shtatë muaj, kemi shumë pak zjarre në krahasim me vitin e kaluar. Për shtatë muaj janë regjistruar gjithsej 66 intervenime, ndërsa vitin e kaluar për të njëjtën periudhë ka patur mbi 90 intervenime”, tregon Miftaroski.

    Në pyetjen se cili faktor ka bërë që të kemi numër të vogël të zjarreve, njeriu i parë i Njësisë Antizjarr thotë se kontrollet rutinë kanë ndihmuar shumë.

    “Kemi kontrolle në çdo moment – çdo ditë nga të gjithë institucionet në terren. Kjo ka sjellë rezultate shumë të mira dhe situata është nën kontroll. Bashkëpunimi mes institucioneve është maksimal”, shton ai.

    Në ndërkohë, në njësinë e ndërmarrjes së Pyjeve të Maqedonisë së Veriut “Stogova” në Dibër u informuam se të gjithë banorët të cilët kanë tokat e tyre, por edhe aktivitete në terrenet ku ka pyje, marrin leje dhe i respektojnë rregullat. Gjatë kontrolleve të rrepta të policisë pyjore dhe kompetentëve të tjerë, deri tani nuk është regjistruar asnjë person që është evidentuar në pjesët ku ka ndalim për frekuentime e që nuk ka leje për të kaluar në këta terrene. Edhe në Drejtorinë të parkut Nacional të Mavrovës kanë informuar se kontrollet janë të nivelit maksimal.

    Lajmi Paraprak

    Rritet nota mesatare e maturës shtetërore këtë vit në RMV

    Lajmi i rradhës

    Bizneset e vogla në Kërçovë po mbyllen një nga një! Tregtia online po shuan dyqanet

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë