Amvisëritë në fshatrat e Komunës së Likovës raportojnë rritje alarmante të faturave të energjisë elektrike për muajin tetor të këtij viti – ngritje që në disa raste ka tejkaluar dhjetëfishin, ndërsa tek disa të tjera faqet janë mbi 1000 euro dhe madje 2000-2500 euro. Sipas denoncimeve të marra, faturat për muajin tetor janë “tmerrësisht të larta” krahasuar me muajin shtator të këtij viti dhe krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

2500 EURO FATURË PËR NJË MUAJ
Çfarë po ndodh? Në disa familje faturat e për muajin tetor janë 2500 euro, 2300 euro, 500 euro – shifra që në fshatrat rurale të Likovës janë jashtëzakonisht të mëdha për përdorim normal të energjisë elektrike. Në raste tjera raportohen rritje dramatike: faturat e tetorit janë 5-15 herë më të mëdha se faturat e tetorit të vitit të kaluar. Ndërkohë, edhe për familje të tjera rritjet janë të ndjeshme – faturat janë dy ose tre herë më të larta se në tetorin e vitit të kaluar. Banorët shprehin revoltë dhe pakënaqësi të lartë për trajtimin nga operatori i energjisë EVN.
“Nuk e di si u bë që fatura për tetor doli 2500 euro, kur për të njëjtin muaj vitin e kaluar isha vetëm 180 euro. Në shtator pagova 115 euro, në tetor doli mbi 1500 euro! Askush nuk ka shpjegim për këtë shumë të lartë. Kur u ankova në zyrë të EVN-së në Kumanovë, më thanë të dorëzojë ankesë dhe pastaj ata nga Shkupi do të përgjigjen! U detyrova ta bëj ankesën dhe po pres përgjigje”, thotë A.G nga Sllupçani, fatura e të cilit ka ardhur mbi 1500 euro për muajin tetor.
Në zyrën rajonale të EVN-së në Kumanovë, banorëve u është thënë se çdo ankesë e dorëzohet dërgohet në Shkup, dhe se përgjegjësia për rritjen e faturave nuk është “zonale”, por “qendrore” – konkretisht zyrat qendrore të EVN-së në Shkup. Megjithatë, drejtuesit lokalë nuk kanë ofruar shpjegime konkrete për diferencat voluminoze, dhe banorët raportojnë se nuk ka pasur inspektime detajuese ose kontroll të rregullt të orëmatësve.

KUR SHTETI E MBRON VJEDHJEN E EVN-së
Banorët e Likovës akuzojnë se EVN po hakmerret, pasi disa vite me radhë, të njëjtit nuk kishin lejuar që orëmatësit të nxirren jashtë shtëpive. “Na gënjyen dhe na mashtruan kur premtuan se nuk do të na vjedhin në fatura nuk pranojmë që orëmatësit t’i nxjerrim jashtë shtëpive, në shtylla dhe me këtë, të mos kemi asnjë qasje në orëmatësit që janë pronë e jona, sepse i kemi paguar të njëjtit. Tani, shihet se EVN po na vjedh, sepse është jashtë çdo logjike që një shtëpi të harxhojë energji deri 2500 euro për një muaj si tetori, që ishte dhe kohë e mirë e ngrohtë”, ankohet Zaimi, të cilit për muajin tetor, fatura e energjisë i ka ardhur plot 173.000 denarë.
“Fabrikë me pas qenë shtëpia ime nuk do të kishte ardhur kaq e lartë fatura për një muaj të vetëm. Muajin shtator kam paguar 8900 denarë, që ishte sërish shumë e madhe si faturë. U ankova në shtator, përgjigje nuk mora. Tani vjen 173.000 denarë! Janë çmend këta të EVN-së, na detyrojmë ti futemi dhunshëm dhe ti sulmojmë e ‘tua tregojmë qejfin ashtu siç e meritojnë”. Banorët ndjehen të pambrojtur dhe pa zë përballë një kompanie energjetike, punën e së cilës e kanë përcjellë akuza për vjedhje në vazhdimësi. Megjithatë, deri sot, EVN vazhdon të jetë e mbrojtur si nga gjykatat, ashtu edhe nga vet shteti.
RRITJE E PAKËNAQËSISË DHE TENSIONE SOCIALE
Këto rritje të faturave kanë implikime të drejtpërdrejta për banorët e Likovës. Për familje me të ardhura të ulëta ose mesatare, një faturë 1000 euro – 2500 euro është financiarisht shkatërruese dhe rrezikon thellimin e varfërisë. Njëkohësisht rritet pakënaqësia që mund të përshkallëzojë tensione sociale, si dhe protesta kundër EVN-së.
Problemi nuk është vetëm ekonomik: ai është edhe çështje e barazisë dhe trajtimit të qytetarëve dhe rajone të caktuara me standarde të ndryshme. Në fshatrat e Likovës tashmë nuk ka shtëpi që orëmatësin nuk e ka jashtë shtëpive, ndryshe nga fshatrat e banuar me maqedonas dhe serb në Kumanovë. Umindolli, Novo Sella, Ljubodragi, Reçica, Rëzhanoca… orëmatësit jo që nuk i kanë jashtë – në shtylla, por të njëjtit kanë orëmatës të vjetër që nga koha e ESM-së.
TË DUROJMË OSE T’IA VËMË FLAKËN SI NË BULLGARI
Banorët e fshatrave të Likovës edhe vitin e kaluar kanë hequr të “zitë e ullirit” me faturat e EVN-së. Ankesa të shumta sidomos gjatë muajve të ftohtë të dimrit ishin dërguar në EVN, por vetëm 10 përqindëshi i ankesave ishin zgjidhur në favor të banorëve. “Vjet, kur nuk e pagova sepse e dija se është vjedhje, ma ndalën nga Shkupi. Pastaj u detyrova të paguaj plus kyçjen dhe faturën. Mu hidh mendja tua fus nga një dru secili aty, por e dija se sërish dënohem unë dhe askujt s’i bëhet vonë. Derisa nuk bëhemi bashkë sikur dikur në Bullgari e t’ua vëmë flakën zyrave të EVN-së, do të vazhdojë kjo vjedhje”, thotë Enesi nga Likova. /Koha/






