Përderisa javën e ardhshme pritet të shpallen zgjedhjet lokale nga ana e kryetarit të Parlamentit, Afrim Gashi, partitë politike intensivisht janë duke bërë analizat e fundit në lidhje me kandidatët që do t’i nxjerrin në garën për komuna.
Koalicioni i përbërë nga Fronti Evropian dhe Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit, e cila sipas të gjitha gjasave do të ribrendohet në Aleancën Kombëtare për Integrim, së shpejti do të dalë me emrat e plotë me të cilët do të garojë në zgjedhje lokale, informoi nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi. Ai tha se ka propozime konkrete, të cilat vetëm duhet t’i kalojnë filtrat partiakë dhe të koalicionit.
“Në periudhën e ardhshme do të informoheni me kohë për të gjithë kandidatët për të gjitha komunat. Janë në fazë finale, vetëm duhet t’i kalojnë filtrat partiakë dhe filtrat e koalicionit, të këtij koalicioni të gjerë, i cili është më i gjerë edhe sesa Fronti Evropian, me të cilin garuam në zgjedhjet parlamentare. Ashtu që, kur t’i kemi emrat për kryetarë komunash dhe bartës të listave të këshillave komunale, do t’ju informojmë me kohë”, theksoi nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi.
Ademi gjithashtu konfirmoi se ky koalicion nuk do të qëndrojë anash në garën për Qytetin e Shkupit Ai deklaroi se koalicioni do të paraqitet me kandidat të vetin për kryetar të Shkupit, në zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor.
“Për Qytetin e Shkupit, BDI dhe koalicioni i gjerë të cilin ne e përbëjmë do të ketë kandidatin e vet edhe për Qytetin e Shkupit. Ka mbetur që emri të konfirmohet në organet partiake”, theksoi Ademi. Ai konfirmoi se Fronti Evropian dhe Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit do të dalin me kandidat dhe lista të përbashkëta për këshilltarë. “Do të kemi edhe kandidatë të përbashkët, edhe lista të përbashkëta për këshilltarë”, tha Arbër Ademi.
Nga ana tjetër, edhe partitë në pushtet janë ende në fazë të analizave dhe negociatave. Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se marrëveshje finale në lidhje me atë se si do të dalin partitë e koalicionit qeveritar në zgjedhje lokale do të ketë pas 15 gushtit. Megjithatë, ai tha se bisedimet me partnerin qeveritar ZNAM për kandidatë për kryetarë komunash në Kumanovë dhe Komunën Qendër po zhvillohen në drejtim pozitiv.
“Jemi duke negociuar me ZNAM për dy komuna, për Komunën e Kumanovës dhe Komunën Qendër që të kemi kandidat të përbashkët. Bisedimet po zhvillohen në një drejtim pozitiv, por më shumë informacione do të kemi pas 15 gushtit, siç kam theksuar edhe më herët, sepse analizat në këto komuna ende janë në vijim. Duhet pas datës 15 apo 20 gusht të bëjmë një matje tjetër, si në mesin e qytetarëve ashtu edhe në bazën partiake, në mënyrë që të arrijmë tek zgjidhja më e mirë që do ta ofrojmë”, tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas hapjes së pishinës së mbyllur në shkollën “Nevena Georgieva-Dunja” në Kisella Vodë.
Sa i përket negociatave me partnerin tjetër qeveritar, VLEN, ai tha se ekziston një marrëveshje parimore që të mbështeten në komunat ku njëra apo tjetra palë nuk do të ketë kandidat.
“Në lidhje me partitë politike, pjesë e koalicionit VLEN, gjithashtu kemi marrëveshje parimore, se do të mbështetemi në ato komuna ku ne do të kemi kandidat, ata nuk do të kenë dhe atje ku ata do të kenë kandidatë dhe ne nuk do të kemi. Ja të themi, do të ketë komuna ku do të kemi kandidatë të dy grupet politike. Aty, normalisht, secili do të udhëhiqet sipas strategjisë dhe interesit të vetë”, tha Mickoski. Ndërkohë, zëvendëskryeministri dhe njëri ndër krerët e VLEN-it, Izet Mexhiti, deklaroi se janë në fazën finale të bisedimeve dhe paralajmëroi se ky koalicion, deri në fund të kësaj jave, do të bëjë publike emrat e kandidatëve për kryetarë të komunave me të cilët do të garojë në zgjedhje lokale.
“Në VLEN në mënyrë intensive, bisedojmë, analizojmë dhe mendoj që deri në fund të javës do t’i publikojmë të gjitha emrat nga Likova në Strugë”, theksoi Mexhiti. Ai gjithashtu lëshoi kritika drejtuar kryetarit të ASH-së, Arben Taravari.
“Po ashtu, dua ta ngre çështjen se z. Taravari u tërhoq me pretekstin se do të dalë me lista të veçanta dhe se ky ishte problemi në kuadër të VLEN-it, dhe sot e dëgjoj që del me lista të përbashkëta të BDI-së. Pra, nuk e ka pasur hallin e listave, por nuk ka ditur si të shkojë në prehrin e z. Ahmeti”, tha Mexhiti. Përndryshe, në kampin politik shqiptar, BDI ka zyrtarizuar kandidaturat e Bujar Osmanit në Çair, Bajram Rexhepit në Tetovë dhe Emir Sulejmanit në Zhelinë. Ndërkohë, koalicioni VLEN ka konfirmuar mbështetjen për Mendi Qyrën në Strugë, i cili gjatë shpalljes së kandidaturës së tij tha se është kandidat i pavarur. Edhe Visar Ademi ka zyrtarizuar kandidaturën e tij si i pavarur për Komunën e Gostivarit.
MICKOSKI PËR NEGOCIATAT ME ZNAM-in: VENDIMI PËRFUNDIMTAR PAS 15 GUSHTIT
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi dje se bisedimet me partnerin qeveritar ZNAM për kandidatët për kryetar të komunës së Kumanovës dhe komunës Qendër po zhvillohen në drejtim pozitiv dhe se vendimi përfundimtar do të merret pas 15 gushtit.
“Po negociojmë me ZNAM-in për momentin për dy komuna – Kumanovë dhe komunën Qendër që të kemi një kandidat të përbashkët. Bisedimet po shkojnë në drejtim pozitiv, por do të kemi më shumë informacion pas 15 gushtit, siç thashë edhe më parë në një rast, sepse ende janë duke vazhduar analizat në komunat ku kemi kandidatë të mirë. Duhet pastaj edhe një herë pas 15-20 gushtit të bëjmë matjen edhe në kuadër të qytetarëve dhe brenda bazës së partisë në mënyrë që të arrijmë në zgjidhjen më të mirë që mund të ofrojmë”, tha Mickoski duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas hapjes së pishinës së mbyllur në shkollën “Nevena Georgieva-Dunja” në Kisella Vodë.
Lidhur me negociatat me partnerin tjetër qeveritar, VLEN siç shtoi, “kanë një marrëveshje parimore për mbështetje në komunat ku njëri ose tjetri koalicion do të ketë kandidatin e tyre”. /Koha/






