FEMICIDI NË RMV | Shumë gra të pasigurta edhe në shtëpi

    Sipas analizave të shoqatave qytetare në 20 vitet e fundit në Maqedoninë e Veriut janë kryer 54 femicide. Ajo që tregohet nga hulumtimi “Vrasje të Padukshme” është se institucionet nuk e marrin seriozisht këtë problem. Gushti i këtij viti ishte fatal për një 46 vjeçare që u vra pikërisht në banesën ku jetonte. Para dy vitesh nga bashkëshorti u vra edhe një 60 vjeçare. Të dyja rastet nuk trajtohen si femicide pasi kjo vepër nuk është në Kodin Penal, ndonëse në të dyja rastet të vrara janë gra në shtëpitë e tyre nga ish-partnerët apo ato aktual.

    Në një përkufizim të femicidit thuhet se: femicidi është vrasja e një gruaje vetëm pse është grua dhe është manifestimi më ekstrem i dhunës ndaj gruas, e cila në shumicën e rasteve është rezultat i vazhdimit të ekspozimit të dhunës, dhe autorët zakonisht janë partnerët, anëtarët e familjes apo ndonjë person tjetër i njohur për viktimën. Rastet e tilla regjistrohen nga hulumtimet e organizatave qytetare pasi institucionet nuk kanë regjistër për akte të tilla.

    E përbashkëta e këtyre rasteve është se gishti drejtohet nga institucionet, pasi në njërin rast familjarët dyshojnë për lëshime dhe kualifikim të gabuar ndërsa për tjetrin dyshohet për mospërfilljen e policisë për raportimin e dhunës.

    Rastet janë analizuar nga Bojana Jovanovska gjatë hulumtimit të saj “Vrasje të Padukshme” kushtuar femicidit në vend. Përfundimi në të cilin ajo erdhi është se rrënjët e këtij problemi janë në sistemin patriarkal, në kulturën e pranimit të dhunës në baza gjinore dhe mungesën e njohjes dhe mosndëshkimin e tij.

    “Që mosbesimi në institucione është në nivel shumë të lartë e tregon shkalla shumë e ulët e raportimeve të dhunës familjare mbi baza gjinore”, tha Jovanovska duke shtuar se në rastet e femicidit institucionet nuk kanë arritur ta parandalojnë dhunën në familje.

    Hulumtimet tregojnë se vetëm 2% e dhunës raportohet që nënkupton se shumica e grave e heshtin dhe e vuajnë dhunën. Në hulumtimin thuhet se kjo mbështetet në faktin se shumë gra janë të pafuqishme ekonomikisht, ndërsa edhe përkrahja nga institucionet e shtetit është e dobët kur ato ballafaqohen me këtë problem. Shteti nuk mban statistika për femicidin. Përpjekje për të arritur deri te një shifër ka bërë Elena Dimushevska nga Rrjeti nacional kundër dhunës ndaj grave dhe në dhunës në familje “Zëri Kundër Dhunës”.

    Sipas kësaj analize, nga gushti 2001 deri në gusht 2016 janë kryer 32 femicide, ndërsa 22 nga 2017 deri në 2020. Sipas saj, këto shifra mund të merren me “rezervë”, pasi të gjitha institucionet mbajnë statistika të veçanta që nuk përputhen.

    Analiza e saj e fundit tregon se 75% e rasteve femicidi është kryer nga partneri aktual apo ish-partneri, dhe në më shumë se 80% të rasteve edhe pse dhuna ka qenë prezente në mënyrë konstante asnjë nga viktimat nuk e ka raportuar atë.

    “Më shumë se 50% e rasteve kanë ndodhur në shtëpi pasi shtëpia është vendi më i pasigurt për gruan. Nëse nuk është në shtëpinë ku jeton me autorin, atëherë vendi ku më shpesh ndodhin raste të tilla është shtëpia e prindërve ku viktima zakonisht kthehet pasi të largohet nga dhunuesi. Por sidoqoftë është shtëpia”, shprehet e vendosur Dimushevska.

    Kryetarja e Këshillit Nacional për Barazi Gjinore Savka Todorovska tha se në Linjën Kombëtare falas për raportimet e dhunës në familje (141-700) për cdo vit pranohen rreth 500 thirrje. Kohën e fundit vërehet se gratë më pak kërkojnë ndihmë për akomodim, ndërsa më shumë për dalje nga situata me ndihmën e institucioneve shtetërore, ku edhe ngecin gjërat.

    “Problemi është në bashkëpunimin institucional ndërsektorial, për këtë arsye viktimat janë të pakënaqura. Tanimë është duke u projektuar një protokoll i ri për bashkëpunim ndërsektorial, me të cilin ne si praktikues shpresojmë të sjellë rezultate pozitive për viktimat”, deklaroi Todorovska.

    Këtë e vërteton edhe hulumtimi i Jovanovskës me të cilin ajo bën përpjekje për të ngritur vetëdijen publike për femicidin.

    “Ajo për të cilën duhet të përpiqemi është njohja e të gjitha llojeve të dhunës me baza gjinore, pasi kur njohim llojet e tjera, kur punojmë për t’i parandaluar ato, njëkohësisht punojmë edhe në parandalimin e femicidit që zakonisht ndodhë si vazhdimësi e llojeve të mëparshme të dhunës me bazë gjinore”, shprehet Jovanovska.

    Shoqatat civile kërkojnë që femicidi të veçohet si krim në vete, ose të paktën t’i jepet një kualifikim i veçantë rasteve të tilla. Edhe pse Maqedonia e Veriut ishte një nga shtetet e para që nënshkroi dhe më pas ratifikoi Konventën e Këshillit Evropian e njohur si Konventa e Stambollit e cila ka të bëjë me parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, e njëjta ka hasur në shumë sfida në procesin e zbatimit. Edhe raporti i KE-së theksoi nevojën e qasjes së miratimit të ndryshimeve në Kodin Penal në mënyrë që të sigurohet mbrojtje e plotë e viktimave në të gjitha format e dhunës përfshirë femicidin. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Metoda për largimin e milingonave nga shtëpia juaj

    Lajmi i rradhës

    Fëmijët që nuk bëjnë mjaftueshëm gjumë, kanë rezultate më të dobëta në shkollë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë