FERMERËT NË MJEGULL | Model i paqartë i subvencioneve bujqësore

    Bujqit dhe zyrtarët pajtohen se modeli i ri i subvencionimit duhet të orientohet ndaj komponentit zhvillimor dhe ndaj bujqve të vërtetë që prodhojnë, shesin dhe jetojnë nga bujqësia. Mirëpo mbetet dilemat nga ana e fermerëve lidhur me çmimin real grumbullues që do të paguajë djersën e tyre, si dhe për shitblerjen e prodhimeve bujqësore në interes të ndërsjellë të bujqve dhe tregtarëve.

    Me fjalë të tjera, pas 15 vitesh po vendoset modeli i ri që nënkupton se fermerët duhet të dëshmojnë se kanë realizuar dhe shitur prodhimet e tyre. Njëherësh, parashikohet që subvencioni themelor të jetë pagesë me 30 për qind avans apo paraprake për mirëmbajtjen e tokës punuese bujqësore. Nga Federata e Fermerëve të Maqedonisë thonë se nevojitet të gjendet zgjidhje ligjore për të gjitha mënyrat e shitjes së prodhimeve bujqësore dhe blegtorale.

    “Nevojitet të qartësohen dhe saktësohen kriteret në drejtim të asaj që të gjendet një zgjidhje që do të përfshijë me një dokument gjithëpërfshirës, ose me ndonjë raport të gjitha llojet e shitjes siç janë grumbulluesit e regjistruar nga fermeri ndaj fermerit, në treg, përpunimin e prodhimeve bujqësore dhe të ngjashme”, shtojnë nga Federata e Fermerëve.

    Në ndërkohë, fermerët ankohen se pak do të ndryshojë në terren situata nëse nuk përmirësohet gjendja me çmimet e ulëta shitblerëse për prodhimet tyre. Shtojnë se nuk po shohin të ketë mekanizma mbrojtës për këtë problem siç është aktivizimi i rezervave të shtetit, apo çmimet e garantuara grumbulluese nën të cilat do të mbulohej dallimi i çmimit. Gjithashtu, fermerët janë të hutuar nga modeli i ri i subvencionimit, i cili duhet të finalizohet në fund të vitit dhe të aplikohet nga janari i vitit të ardhshëm. Për fermerët, modeli i ri ka shumë kushte dhe paqartësi. Njëherësh, fermerët nuk do të marrin subvencione nëse nuk përdorin material – farë të certifikuar, dhe nëse nuk i sigurojnë të mbjellat e tyre. Në modelin e ri të subvencionimit është planifikuar që fermerët të marrin subvencione në bazë të sasisë së prodhuar. Si diçka pozitive, ata veçojnë paradhënien e subvencioneve, të cilën fermerët e kanë kërkuar prej kohësh nga Qeveria.

    Memet Sinani nga Federata e Fermerëve të Maqedonisë thotë se nuk mundet shteti tu tregojë fermerëve se çka do të bëjnë me pronën e tyre vetanake.

    “Shteti do të merr tokën nëse nuk e punon apo nëse nuk e jep me qira. Kjo nuk ndodh askund përveçse tek ne, andaj nuk mundet shteti të tregojë se çka do të bësh me pronën tënde. Edhe kushtet e tjera si përdorimi i farave të certifikata, materiali për mbjellje, prodhimi i caktuar për një hektarë tokë, sigurimi i obligueshëm… janë vështirë të realizueshme nga ana e bujqve”, thekson Sinani. Modeli i ri i subvencionimit parashikon që fermerët që mbjellin drithëra, elb, grurë… të përdorin material – farë të certifikuar, dhe të kenë maksimum 400 kg prodhim për hektar.

    “Këto kushte do të jenë të vështira për t’u realizuar. Duhet të keni një profesionist dhe tokat duhet të jenë të siguruara për të marrë subvencione. Këto janë masa që fermeri nuk mund t’i përballojë dhe me shumë mundësi – do të heqim dorë nga subvencionet”, thotë Toni Maksimov, prodhues i orizit.

    Nga dikasteri i Bujqësisë thonë se modeli i ri duhet të sigurojë një pagesë më të shpejtë për fermerët, të cilët duhet të kenë para me kohë për të filluar prodhimtarinë e re apo të mbjellat. Baza e këtij modeli është parapagesa subvencioneve, pra 30 për qind e totalit të subvencioneve fermerët ti marrin para së të përfundojnë kontrollet administrative në Agjencinë e Pagesave. Apo, me vetë regjistrimin – do të marrin 30 për qind subvencione për të filluar prodhimin. Pjesën tjetër do ta marrin kur të dëshmojnë se e kanë dorëzuar rendimentin. Thënë ndryshe, do të lidhet subvencioni bazë me tokën e punueshme, ndërsa ato shtesë lidhen me dëshminë se janë prodhuar kultura bujqësore që do t’u dorëzohen blerësve, tregtarëve ose përpunuesve të regjistruar, ku do të përcaktohet një rendiment/sasi minimale që duhet të arrijnë fermerët.

    Kjo do të thotë se nuk mund të merren subvencione për vreshtat dhe pemishtet e braktisura, për të cilat fermerët nuk kujdesen ose që mirëmbahen vetëm për të marrë subvencione. Synohet edhe eliminimi i ekonomisë gri, me faktin se nuk do të ketë subvencione shtesë për prodhimet që do të kalojnë në tregun e zi, të paregjistruar, dmth. mbledhës të egër, tregtarë ose përpunues. /koha/

    Lajmi Paraprak

    AKADEMIZMI HUMORISTIK

    Lajmi i rradhës

    Inflacioni i lartë gërryen standardin e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë