Inflacioni i lartë gërryen standardin e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut

    Inflacioni mesatar vjetor në Maqedoninë e Veriut në dhjetë muajt e parë të vitit ka shënuar rritje në 13.2 për qind, si rrjedhojë kryesisht e rritjes së çmimeve të prodhimeve ushqimore dhe energjisë. Ndikim në rritjen e inflacionit kanë pasur edhe prodhimet e tjera nga importi, vlerëson Banka Popullore e Maqedonisë. Pritet që këtë vit ta mbyllim me inflacion vjetor prej 14.3 për qind, që në vitin e ardhshëm do të ngadalësohet në 8-9 për qind në varësi prej rritjes së çmimit të energjisë elektrike në tregun e rregulluar që vlen për amvisëritë, dhe biznesin e vogël që fitojnë energji të subvencionuar dhe së fundmi edhe për një pjesë të biznesit si industria ushqimore, spitalet, dhe entet e tjera publike. Në këto parashikime është marrë parasysh edhe shtrëngimi i politikës monetar që pritet të sjellë më pak të holla në qarkullim, apo më pak kredi që do të zbusë më tej edhe inflacionin.

    Parashikimet e institucioneve të tjera financiare në nivel evropian dhe botëror nga ana tjetër, parashikojnë nivele të ndryshme të inflacionit për Maqedoninë. Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon nivelin prej 10.6 për qind sivjet dhe 4.5 për qind në mot, Banka Botërore parashikon 12.1 dhe 6.1 për qind, Komisioni Evropian parashikon sivjet 12.7 për qind dhe në vitin e ardhshëm një inflacion prej 7.9 për qind.

    Nga Banka Popullore e Maqedonisë shpjegojnë se pavarësisht që faktorët të cilët kontribuojnë në rritjen e inflacionit janë kryesisht presionet e çmimeve të importuara, ato ndikojnë edhe në pritjet inflacioniste. Për këtë kontribuon edhe pasiguria nga dinamika e mëtejshme e çmimeve të produkteve primare në bursat dhe veçanërisht të energjenseve, e cila është e theksuar për shkak të ngjarjeve ushtarake në Ukrainë dhe sanksioneve ndaj Rusisë. Prandaj, me rëndësi shumë të madhe janë politikat e brendshme të kujdesshme dhe menaxhimi i kujdesshëm i kërkesës vendase. Sipas arritjeve aktuale dhe vlerësimet e çmimeve importuese, rreziqet e inflacionit janë në rritje. Ekonomistja kryesore e Bankës Qendrore, Aneta Krstevska thekson se dallimi midis inflacionit në vend dhe atij të Bashkimit Evropian është pasqyrë e faktorëve strukturor të brendshëm. Sipas saj, tronditja globale i preku të gjitha ekonomitë, por faktorët strukturor të brendshëm në secilën nga ekonomitë e përcaktojnë intensitetin e inflacionit.

    “Varësia nga importet dhe shkalla e hapjes tregtare e ekonomisë sonë janë dukshëm më të larta krahasuar me Bashkimin Evropian. Hapja dhe varësia nga importi reflektohet tek importi dhe struktura e tij, më tej në strukturën e konsumit dhe rrjedhimisht në çmimet e vendit. Këto faktorë strukturor në masë të madhe e shpjegojnë dallimin mes inflacionit në vend dhe inflacionit në eurozonë”, thekson Krstevska.

    Ajo theksoi se tensionet e mëtejshme gjeopolitike të invazionit luftarak mbi Ukrainën, në kushte kur bota vazhdon të ketë pasoja nga pandemia, kontribuan në përkeqësimin e ambientit global, ndikuan në mënyrë të pafavorshme në pritjet ekonomike dhe krijuan presione shtesë mbi çmimet e produkteve primare në botë. Inflacioni në vend, në pajtim me projeksionet e Bankës Popullore edhe më tej do të stabilizohet, duke u ulur në nivel 2.4 për qind në vitin 2024 dhe në 2 për qind në vitin 2025.

    Nga Banka Popullore thonë se të gjitha masat e ndërmarra nga ana e tyre në lidhje me inflacionin, si shtrëngimi gradual dhe në vazhdimësi i politikës monetare tashmë po jep efekte në segmente të caktuara dhe priten efekte të mëtejshme, në masën e mundshme me këtë lloj inflacioni apo në inflacionin e kostos. Në ndërkohë, inflacioni dhe rritja e madhe të çmimeve jo vetëm të ushqimeve, që po ul edhe standardin jetësor të qytetarëve po vazhdon të mbetet i lartë përkundër masave të ndryshme të kompetentëve si ngrirja e përkohshme e çmimeve dhe marzhave, dhe masave të tjera.

    Nga ana tjetër, të dhënat tregojnë se Maqedonia ka inflacion shumë të lartë, bile edhe dyfish më të lartë se fqinjët. Në Raportin e Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor të Bankës Botërore, Shqipëria vlerësohet vendi me inflacionin më të ulët në rajon.

    “Në korrik, inflacioni total vjetor arriti në 7.5 për qind në Shqipëri . mbi 14 për qind në Maqedoni dhe deri në 16.7 për qind në Bosnjë-Hercegovinë”, thuhet në raport.

    Eksperti Branimir Jovanoviq thotë se rritja kaq e madhe e inflacionit nuk ka të bëjë vetëm me faktorët e jashtëm, por edhe ato të brendshëm, andaj kërkon që të intervenohet ndaj çmimeve të prodhimeve themelore ushqimore. Ai sugjeron që të intervenohet tek produktet themelore ushqimore.

    “Çmimet e ushqimeve tek ne po vazhdojnë të shtrenjtohen, edhe pse në nivel botëror ato po zvogëlohen. Kjo tregon se shtrenjtimi i ushqimeve nuk lëviz nga faktorët e jashtëm, por ato të brendshëm ku tregtarët dhe supermarketet në mënyrë të paarsyeshme po shtrenjtojnë çmimet me qëllim që të përfitojnë nga vala e inflacionit. Pra, ato keqpërdorin situatën dhe fryjnë çmimet me qëllim që të rrisin fitimet e tyre”, shton Jovanoviq.

    Ai thekson se e vetmja mënyrë për të frenuar inflacionin është që qeveria të ngrijë ose të mbulojë çmimet e produkteve ushqimore bazë dhe të vendosë gjoba të rënda për tregtarët që nuk respektojnë tavanin e çmimeve. Lidhur me normën vjetore të inflacionit në tetor prej 19.8 për qind dhe normën mesatare të inflacionit prej 13.2 për qind në periudhën janar-tetor 2022, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kanë reaguar nga partia opozitare VMRO-DPMNE, duke vlerësuar se sipas tyre inflacioni është jashtë kontrollit. Sipas tyre, Inflacioni mesatar deri në tetor është 50 për qind më i lartë se parashikimi i Bankës Popullore dhe 83 për qind më i lartë se parashikimi i Ministrisë së Financave.

    Buxheti ekspanzionist, pa konsolidim të anës të shpenzimeve për mallra dhe shërbime, si dhe reagimi i jo me kohë i Bankës Qendrore sollën këtë inflacion. Pretendimet se inflacioni është kryesisht i importuar nuk janë të sakta, sepse në tetor norma vjetore e inflacionit në Eurozonë (partneri ynë më i rëndësishëm tregtar) është rreth 10 për qind , dhe në vendin tonë është dy herë më i lartë dhe është gati 20 për qind . Në të njëjtën kohë, norma vjetore e inflacionit bazë që përjashton çmimet e ndryshueshme (të ushqimeve dhe energjisë) në muajin shtator ishte 9 për qind , gjë që tregon se efekti dytësor i rritjes së çmimit të energjisë elektrike është i madh dhe transferohet ndjeshëm në çmimet përfundimtare. /koha/

    Lajmi Paraprak

    FERMERËT NË MJEGULL | Model i paqartë i subvencioneve bujqësore

    Lajmi i rradhës

    Maqedonia me pensionistët më të varfër

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë