FESTË SA PËR TË THËNË! / Shtrenjtimi i jetesës dhe harxhimet e Vitit të Ri

    Viti i Ri është periudha e festave dhe shpenzimeve të mëdha, mbledhi tradicionale për shumë familje. Megjithatë, festimet e këtij viti janë shoqëruar me rritje të mëdha të çmimeve krahasuar me vitet e kaluara. Çmimet e produkteve dhe shërbimeve janë rritur ndjeshëm, duke e bërë të vështirë për shumë familje të mbushin tavolinën e festave si më parë.

    Sipas të dhënave të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave (EShS), shpenzimet e jetesës dy muajt e fundit janë rritur për 4.3 për qind krahasuar me vitin e kaluar, dhe inflacioni ka ndikuar në shumë familje, veçanërisht në fushën e ushqimit dhe pijeve. Kjo ka sjellë pasiguri dhe sfida për shumë qytetarë, duke e bërë këtë periudhë festive më të ngarkuar ekonomikisht.

    Gazeta Koha doli për t’i parë nga afër çmimet dhe gjendjen e tregut këtë vit, duke intervistuar disa shitës dhe blerës për të vlerësuar se si po shkojnë blerje-shitjet në raport me vitet e kaluara. Nën dritën e rritjes së çmimeve dhe uljes së shitjeve, një tregtar deklaroi se e shitjet janë ulur ndjeshëm këtë vit krahasuar me vitet e kaluara, për shkak të rritjes së çmimeve, e cila ka vështirësuar mundësinë e blerjeve nga ana e konsumatorëve.

    “Ky vit ka qenë shumë më i vështirë se vitet e kaluara, dhe ndjehet shumë kjo në treg. Shitjet janë ulur ndjeshëm. Një vit më parë, njerëzit vinin dhe merrnin më shumë, tani ndodh që kemi vetëm rreth dhjetë blerje gjatë gjithë ditës. Këtë vit është më keq, nuk ka asnjë mënyrë se si mund të mbushim tregun si më parë. Rritja e çmimeve është e dukshme dhe ka vështirësuar mundësinë për shumë njerëz që të blejnë sa duhet. Ky është një fenomen që po shohim çdo vit dhe duket se çdo vit bëhet më keq”, thotë një tregtar i Bit Pazarit.

    Derisa shitësit ankohen për uljen e shitjeve, edhe blerësit shprehin shqetësimet e tyre për vështirësitë e organizimit të festave. Një blerëse u shpreh se  këtë vit, e ka shumë të vështirë të organizojë mbledhi për festat e fundvitit, pasi çmimet janë rritur shumë dhe buxheti nuk i mjafton për të plotësuar nevojat themelore për tavolinën e Vitit të Ri.

    “Festimet këtë vit janë shumë të vështira për t’i organizuar. Shpenzimet janë rritur aq shumë sa që nuk e kemi më të mundur të plotësojmë as nevojat themelore për tavolinën e Vitit të Ri. Çmimet për ushqimet dhe pijet janë rritur ndjeshëm, dhe ky vit duket më i shtrenjtë se ndonjëherë tjetër. Nuk kemi mundësi të blejmë aq sa duam dhe, më e keqja, çdo vit e ndjejmë se festat bëhen më të vështira për t’u organizuar. Nuk mund të festojmë siç do të dëshironim, sepse shpenzimet janë të tepërta dhe buxheti është më i vogël se kurrë”, u shpreh Anita nga Shkupi, ndërsa thotë se me fillimin e vjeshtës, ishin harxhuar edhe më shumë me përgatitjen e turshive dimërore.

    Ndërkohë, inflacioni i matur përmes indeksit të shpenzimeve së jetesës në nëntor 2024, krahasuar me tetorin e vitit 2024, është 1.0 për qind. Ndërsa rritja e inflacionit në nëntor të vitit 2024, krahasuar me tetorin e vitit 2024, është rezultat i rritjes së shpenzimeve të jetesës në grupet pasuese: ushqim dhe pije joalkooloke për 2.1 për qind, rekreacion dhe kulturë, pije alkoolike, duhan dhe narkotikë për 1.5 për qind, restorante dhe hotele për 0.8 për qind, veshje dhe këpucë, për 0.2 për qind, strehim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera për 0.1 për qind.

    Ndryshe, në nëntor të vitit 2024, krahasuar me tetorin e vitit 2024, rënia e shpenzimeve të jetesës është vërejtur në grupet e mëposhtme: transport për 0.9 për qind, mobilje, amvisëri dhe mirëmbajtje shtëpiake për 0.3 për qind, mallra dhe shërbime të ndryshme me 0.1 për qind. Shpenzimet e jetesës në grupet e komunikimit dhe arsimit mbeten në nivel të njëjtë si edhe në muajin e kaluar, ndërsa çmimet me pakicë në muajin nëntor krahasuar me tetorin e këtij viti është vërejtur rritje prej 0.3 për qind.

    Lajmi Paraprak

    BE TË SIGUROJË RESPEKTIMIN E SHQIPES! / Ervan Fuere për Marrëveshjen e Ohrit

    Lajmi i rradhës

    KODRA E DIELLIT! / Potencial ka, por mungojnë investimet serioze

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë