Kompanitë e shtetit që punojnë me fitim bien në hije në raport me ato që punojnë me humbje. Bile ato me minus dominojnë ato me fitime. Kompania e shtetit për Rrugët është më e suksesshme nga të gjitha kompanitë e tjera në pronësi të shtetit. Në vitin 2023 ajo qarkullim ka pasur prej 212 milionë euro. Me këtë ajo renditet në vendin e 12-të nga të gjithë kompanitë në shtet shikuar sipas të ardhurave. Në vendin e dytë sipas këtij kriteri renditet kompania e transmetimit të energjisë elektrike “MEPSO”, me 201 milionë euro të ardhura apo në renditjen e përgjithshme zen vendin e 18-të nga 200 kompanitë më të suksesshme në nivel vendi.
Në vendin e tretë nga kompanitë në pronësi të shtetit renditet VideoLlotaria me veprimtarinë e bastoreve dhe lojërave të fatit që në total kap vendin e 59-të me të ardhura prej 81 milionë euro. Pasojnë kompanitë në pronësi të shtetit që përkundër qarkullimit të madh për shkak të natyrës së punës, apo edhe monopolit të imponuar nga specifika e punës kanë probleme të mëdha me mbi punësime, likuditetin, menaxhimin, borxhet e shtresuara edhe me vite si dhe probleme të tjera nga më të ndryshmet.
Ndër 200 kompanitë më të suksesshme sipas qarkullimit renditen edhe Pyjet e Maqedonisë të veprimtarisë së shfrytëzimit të pyjeve me të ardhura prej 28 milionë euro në vitin e kaluar që renditen në vendin e 165-të.
Në vendin e 170-të renditet kompania e Transportit urban në Shkup me qarkullim prej 27 milionë euro dhe në vendin e 179-të është kompania e Ujësjellësit në Shkup me 26 milionë euro qarkullim. Në vendin e 184-ën është kompania për mirëmbajtjen e rrugëve me 26 milionë euro qarkullim.
Vetëm sipas fitimit pas anulimit të harxhimeve dhe kostos tjetër të punës, më fitimprurëse me 59 milionë euro është Ndërmarrja e Rrugëve që në total renditet e dyta në shtet. Pjesa më e madhe e të ardhurave të tyre vijnë nga akciza e karburanteve nga taksat dhe nga regjistrimi i automjeteve.”MEPSO”, renditet në vendin e 10-të sipas fitimit me 22 milionë euro, ndërsa Videollotaria shtetërore me 21 milionë euro renditet në vendin e 11-të. Lotaria e Shtetit me 7 milionë euro fitim renditet në vendin e 32-të.
Thënë ndryshe pagesa e rrugës është për 8 herë më profitabile se bixhozi. Në vendin e 126-të me 2 milionë euro fitim renditet M-NAV, apo kontrolli i fluturimeve.
Nga ana tjetër kompanitë humbëse të mëdha janë kompanitë hekurudhore. Hekurudhat e Maqedonisë Transporti e mbylli vitin me minus mbi 12 milionë euro, ndërsa Infrastruktura hekurudhore me minus 11 milionë euro. Njëherësh ndërmarrja Strezhevë – Manastir ka përfunduar vitin me humbje prej 3,2 milionë euro, Termocentrali i Negotinës me 2.3 milionë euro, ndërsa listën e humbësve e rrumbullakojnë Pyjet Kombëtare dhe Posta, të cilat kanë pasur humbje prej 2,2 milionë euro.
Sfidë për qeverinë e re do të jenë humbjet e kompanive në tre muajt e parë të vitit dhe më vonë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, ElektroEkonomia e Maqedonisë për periudhën janar-mars të këtij viti ka humbje prej 39 milionë. Humbja vjen si pasojë e shpenzimeve shumë më të larta, në krahasim me realizimet në anën e të ardhurave.Vendin e dytë për nga madhësia e humbjeve e ndajnë Ndërmarrja Publike
“Infrastruktura Hekurudhore” dhe Ndërmarrja Publike “Pyjet Kombëtare”, të cilat në tre muaj kanë humbje prej 2.34 milionë euro secila. Humbje kanë edhe ndërmarrja e Hekurudhës- Transporti që për tremujorin e parë të vitit arriti në 1.5 milionë euro.
Shoqëria aksionare për kontrollin e fluturimeve M-NAV, për tremujorin e parë, gjithashtu ka shënuar humbje prej 1,01 milionë euro dhe pas saj, në vendin e gjashtë, për tremujorin e parë të vitit ishte ndërmarrja Strezhevo, me minus prej 855 mijë euro. Edhe ndërmarrja e Ekonomisë së Ujërave për një kohë të gjatë po lufton me humbje, e cila është minus për tremujorin e parë me 841 mijë euro.
Zletovica ka një humbje prej mbi 567 mijë euro dhe pas saj, renditet “Posta e Maqedonisë”, me minus 457 mijë euro. Në grupin e humbësve ka hyrë edhe MEPSO, operatori i transmisionit, ndonëse humbja e tyre është më e vogël dhe për tre muajt e parë të vitit arrin në 137 mijë euro. /Koha/