FMN: RMV pritet të jetë ekonomia e shtatë me rritjen më të shpejtë në Europë deri më 2031

    Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikon që ekonomia e Maqedonisë së Veriut të shënojë një rritje mesatare prej 3 për qind në vit deri në vitin 2031, duke e renditur vendin si ekonominë e shtatë me rritjen më të shpejtë në Evropë, raportoi Euronews, përcjell Nistori.

    Sipas analizës së FMN-së, ndërsa ekonomia e eurozonës pritet të rritet mesatarisht me pak më shumë se 1 për qind në vit deri në vitin 2031, ekonomitë më të vogla evropiane pritet ta tejkalojnë këtë ritëm me më shumë se dyfish, duke arritur një normë mesatare rritjeje prej rreth 3 për qind, afërsisht sa mesatarja globale.

    FMN vlerëson se borxhi i lartë publik, plakja e popullsisë, produktiviteti i ulët, kostot afatgjata të energjisë dhe pasiguria e vazhdueshme gjeopolitike do ta mbajnë rritjen ekonomike të Evropës dukshëm nën nivelet historike deri në fund të dekadës.

    Sipas edicionit më të fundit të Perspektivës Ekonomike Botërore të FMN-së, eurozona pritet të ketë një rritje mesatare vjetore prej vetëm 1.2 për qind në periudhën 2027–2031. Viti më i suksesshëm parashikohet të jetë 2028, kur rritja do të arrijë në 1.4 për qind.

    Bashkimi Evropian pritet të ketë performancë disi më të mirë, me një rritje mesatare prej 1.4 për qind në vit, ndërsa kulmi pritet të arrihet në vitin 2028 me 1.6 për qind.

    “Prodhimi global parashikohet të rritet me rreth 3.2 për qind në vit gjatë së njëjtës periudhë. Ekonomitë në zhvillim të Azisë pritet të shënojnë një rritje prej 4.6 për qind në vit, India 6.5 për qind, ndërsa edhe Afrika Sub-Sahariane pritet të rritet me 4.6 për qind”, thuhet në raport.

    Megjithatë, një grup vendesh më të vogla evropiane, që shtrihen nga Mesdheu deri në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Lindore, pritet të rriten me më shumë se dyfishin e ritmit të eurozonës gjatë pesë viteve të ardhshme.

    Sipas parashikimeve të FMN-së, Malta do të jetë ekonomia me rritjen më të shpejtë në Evropë, me një normë mesatare prej 3.96 për qind deri në vitin 2031.

    Raporti thekson se fluksi i punëtorëve të huaj, i cili në të kaluarën ka nxitur aktivitetin ekonomik, njëkohësisht ka ushtruar presion mbi infrastrukturën dhe shërbimet publike, duke nxjerrë në pah kufizimet e modelit aktual të zhvillimit të bazuar në fuqi punëtore intensive.

    Sipas FMN-së, faza e ardhshme e zhvillimit ekonomik të Maltës do të varet më pak nga zgjerimi i forcës së punës dhe më shumë nga rritja e produktivitetit.

    Fondi vlerëson se forcimi i financave publike, krahas rritjes së investimeve në infrastrukturë, arsim dhe inovacion, do të jetë thelbësor për nxitjen e potencialit afatgjatë të rritjes ekonomike.

    Kosova pritet të mbetet ndër ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Evropë, pavarësisht madhësisë së saj relativisht të vogël.

    Ekonomia e saj parashikohet të rritet me rreth 4 për qind në vit, e mbështetur nga konsumi i lartë i familjeve, investimet publike, remitancat e diasporës dhe një fuqi punëtore e re.

    “Zbatimi në kohë i Planit të Ri të Rritjes së Bashkimit Evropian mund të japë një shtysë shtesë për rritjen ekonomike dhe punësimin”, vlerëson FMN-ja.

    Për Ukrainën parashikohet një rritje mesatare vjetore prej 3.8 për qind, duke u bazuar në supozimin se lufta do të përfundojë dhe procesi i rindërtimit do të nisë me intensitet.

    Serbia renditet e katërta me një normë mesatare vjetore rritjeje prej 3.52 për qind. Pas saj vjen Moldavia, me një rritje mesatare të parashikuar prej 3.5 për qind në vit gjatë periudhës 2027–2031, ndërsa viti më i mirë pritet të jetë 2028, me rreth 3.7 për qind.

    Shqipëria renditet e gjashta, me një normë mesatare rritjeje prej 3.19 për qind. Pas Maqedonisë së Veriut, në vendin e tetë renditet Qiproja, e ndjekur nga Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Gabimi i përditshëm i prindërve që e bën fëmijën të rezistojë edhe më shumë

    Lajmi i rradhës

    ShGM publikon Kodin e ri etik dhe udhëzimet për përdorimin e IA-së për gazetarët në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë