FNA ka katër kërkesa për rektorin e ardhshëm të Universitetit të Tetovës “Fadil Sulejmani”

    Forumi për Ndryshime në Arsim nëpërmjet një kumtese për media, thotë se po ndjek nga afër procedurën e zgjedhjes së rektorit të ri në Universitetin e Tetovës “Fadil Sulejmani”, pasi në këtë universitet ka disa muaj që zyra e rektorit është e uzurpuar ilegalisht nga ish-rektori (tani pro-rektor) i cili dukshëm e kishte shumë të vështirë ta lëshojë pozicionin e rektorit përkundër faktit që kjo procedurë duhej të kishte filluar disa muaj më herët, njofton Nistori.

    Universiteti i Tetovës “Fadil Sulejmani” po përballet me një sërë problemesh, pasojat e të cilave shpeshherë iu faturohen studentëve. Forumi për Ndryshime në Arsim është shumë i interesuar që udhëheqësit e universiteteve publike në Maqedoninë e Veriut të kenë përgatitje profesionale dhe shkencore të nevojshme për ngritjen e cilësisë në arsim, duke marrë parasysh se në krahasim me universitetet e rajonit, jemi të ranguar në fund.

    Andaj, konsiderojmë se rektori i ardhshëm i Universitetit të Tetovës “Fadil Sulejmani” në programin e tij 3-vjeçar në vend të parë duhet të vendos nevojat e studentëve dhe t’iu shërbejë vetëm atyre në mënyrë absolute dhe të mos lejohen partitë politike apo palët që nuk janë të përfshira drejtpërdrejt në sistemin arsimor të ndikojnë në këtë të fundit.

    Forumi për Ndryshime në Arsim kërkon që në mes të tjerave, në programin e rektorit të ardhshëm të Universitetit të Tetovës “Fadil Sulejmani” të vendosen edhe këto pika:

    1. Transparenca dhe llogaridhënia 

    2. Digjitalizimi i shërbimeve studentore

    3. Larg duart nga Parlamenti dhe Avokati i Studentëve

    4. Zero tolerancë për krimet akademike dhe nepotizmit

    Të gjithë jemi dëshmitarë të faktit që shumë profesorë të universiteteve publike në Maqedoninë e Veriut janë më të pasur sesa vetë biznesmenët. Organizata jonë do të shkojë sipas parimit “0 tolerancë” për profesorët për të cilët do të dëshmohet keqpërdorim gjatë detyrës së tyre. Në këtë synim tonin, është e rëndësishme që përkrahës ta kemi edhe rektorin e ardhshëm të universitetit.

    Përveç kësaj, ritheksojmë se një ndër arsyet se pse ky universitet nuk gjendet në pozitën më të pëlqyeshme të mundshme është edhe mungesa e pavarësisë së tij. Forumi për Ndryshime në Arsim beson në universitete të pavarura të cilat nuk kanë asnjë lidhje me politikën.

    Njoftojmë opinionin e interesuar se këto zgjedhje organizohen bazuar në statutin e Universitetit të Tetovës. Megjithatë, ky statut mbahet si “sekret shtetëror” dhe nuk figuron në ueb-sajtin e universitetit ndërsa zyrtarët e këtij institucioni injorojnë kërkesat e FNA-së për publikimin e statutit,

    Për këtë, Forumi për Ndryshime në Arsim do ketë deklaratë për mediat brenda javës sepse ne konsiderojmë që universitetet publike janë pasuri shtetërore, kësisoj, çdo qytetar ka të drejtë të ketë qasje në dokumentet e rëndësishme që kanë të bëjnë me funksionimin e këtij institucioni. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Doganat pa përgjigje konkrete për aksidentin tragjik në Bullgari

    Lajmi i rradhës

    U premtohet vazhdimi i kontratave të punës punonjësve shëndetësorë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë