Jana Belçeva njihet në publik si udhëheqëse e iniciativës qytetare “Shans për Qendrën”. Por në rrugicat e Debar Maalës, ajo është para së gjithash fqinje. Jo shumë kohë më parë, banorët e lagjes u ankuan se një ndërtesë kishte filluar të ndërtohej pranë tyre pa ua thënë ose pa i pyetur askush, shkruan 360 Gradë.
“Shkuam së bashku në Komunë për të parë se si ishte projekti. Ata kanë të drejtë, si fqinjë të afërt, ta shohin projektin. Dhe kur panë atje kishte dokument në të cilin ata janë nënshkruar se ishin informuar”, deklaroi Jana Belçeva nga “Shans për Qendrën” për “360 Gradë”.
Nënshkrime të falsifikuara
Qytetarët jo vetëm që nuk ishin të informuar, siç thuhet në dokumentet komunale, por as nuk i njihnin nënshkrimet e tyre. Sepse dikush tjetër ka nënshkruar në emër të tyre.
“Fatkeqësisht, qytetarët nuk u inkurajuan të ndërmarrin veprime të mëtejshme. Edhe pse mendoj se kjo mund të kishte qenë një tregues i mirë se si funksionon sistemi, ose më saktë se si nuk funksionon dhe si nuk i mbron ata”, thotë Belçeva.
Sikur të kishin marrë njoftim në kohë, fqinjët e Belçevës mund të kishin ushtruar të drejtën e tyre për të kërkuar korrigjime në planin e fqinjit të tyre përpara se të fillonte ndërtimin, me qëllim mbrojtjen e pronës së tyre.
E një e drejtë e tillë rregullohej në Nenin 62-a të Ligjit të Ndërtimit dhe thoshte:
“1) Organi kompetent që ka lëshuar lejen e ndërtimit është i detyruar që, brenda tre ditëve nga data e lëshimit të lejes së ndërtimit, të njoftojë fqinjët e parcelës ndërtimore për të cilën është lëshuar leja, për lejen e ndërtimit të lëshuar dhe se ata mund të inspektojnë dokumentacionin brenda 15 ditëve nga data e lëshimit të lejes së ndërtimit.
(2) Nëse fqinjët e afërt nuk e inspektojnë dhe/ose nuk paraqesin ankesë kundër lejes së ndërtimit brenda 15 ditëve nga data e lëshimit të lejes së ndërtimit, leja e ndërtimit bëhet ligjërisht e detyrueshme”, thoshte Neni 62-a i Ligjit të Ndërtimit.
Tashmë bëhet fjalë për nen të vjetër pasi javën e kaluar, 65 deputetë votuan “pro”, me 10 “kundër”, për shfuqizimin e kësaj dispozite nga ligji.
Sido që të jetë s’ka më një të drejtë të tillë
Amendamentet u propozuan nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.
“Kjo është me kërkesë të BNJVL-së, Bashkësisë së njësive të vetëqeverisjes lokale, për dy arsye. Së pari, i vonointe shumë procedurat e ndërtimit. Dhe së dyti, pati një ndikim të madh edhe në momentin shoqëror, fqinjët janë grindur me njëri-tjetrin në të gjithë vendin, vëllezër janë grindur me njëri-tjetrin, pikërisht për këtë arsye”, tha Aleksandar Nikolloski, zëvendëskryeministër dhe ministër i Transportit, në një intervistë për “360 Gradë”
360 kërkoi deklaratë ngady anëtarë të udhëheqjes së BNJVL-së nga prejardhje të ndryshme politike. Ja përgjigjja e tyre në pyetjen – a ishte BNJVL ajo që kërkoi fshirjen e të ashtuquajturit ligj për lagjet në Ligjin e Ndërtimit.
“Të them të drejtën, as nuk isha i informuar që kishim një ndryshim të tillë ligjor. Lexova për vetë ndryshimin ligjor diku në media, megjithëse më vonë u përpoqa të zbuloja nëse ne, si BNJVL, e kemi hapur një pikë të tillë për diskutim, nuk e kemi bërë, por kemi dërguar një njoftim përkatës, një email, të cilin për fat të keq nuk e kam lexuar. Që do të thotë se ne, si organ, Bordi i Drejtorëve të BNJVL-it, nuk ishim të informuar në mënyrë të mjaftueshme…”tha, ndër të tjera, Sashko Mitovski, anëtar i Bordit të Drejtorëve të BNJVL-së dhe kryetar i Komunës së Kriva Pallankës.
“Nuk mund t’i veçoj ndryshimet në Ligjin e Ndërtimit sepse u bënë një sërë ndryshimesh. Në një nga takimet me Ministrin e Transportit, u renditën të gjitha anomalitë, siç e përmenda, në sistem që na kanë penguar prej vitesh në zbatimin e projekteve të caktuara. E gjithë kjo u vu re nga ministri dhe zyrtarët që ishin në ekipin e tij”, tha Orce Gjorgjievski, kryetar i BNJVL-së dhe kryetar i komunës së Kisella Vodës.
Me fjalë të tjera, BNJVL-ja nuk kërkoi kurrë zyrtarisht fshirjen e Nenit 62-a. Por kjo nuk do të thotë që kryetarët e bashkive nuk donin që kjo të ndodhte dhe se ata nuk ndajnë të njëjtin mendim me ministrin.