Francë, trazirat dhe trashëgimia koloniale

    Protestat e dhunshme në Francë duket se po zbuten ngadalë. Por zemërimi mbetet. Racizmi i shoqërisë së shumicës që i ka rrënjët në historinë koloniale të vendit shpesh mohohet.

    Xhama të thyer, makina të djegura, një sulm në shtëpinë e një kryetari bashkie.  Dhjetëra mijëra njerëz dolën në rrugë në protesta – herë edhe të dhunshme – në qytete të ndryshme të Francës. Ata janë të zemëruar për vdekjen e Nahelit, një 17-vjeçari me prejardhje nga Algjeria, të cilin një javë më parë (27.06.2023) një polic e qëlloi për vdekje në veturë gjatë një kontrolli rrugor.

    Përplasjet mes protestuesve kryesisht të rinj dhe policisë kanë ngritur pikëpyetje.  Krahas përmasave të mëdha të dhunës dhe vandalizmave në pyetje janë edhe shkaqet. Sa ka të bëjë vdekja e Nahelit dhe indinjata e njerëzve që kanë dalë në rrugë, me racizmin sistematik të shoqërisë franceze? Mos vallë kjo ka të bëjë me të kaluarën koloniale të vendit?                   

    Presidenti i Francës Emmanuel Macron e quajti vrasjen e Nahelit “të pafalshme” dhe “të pashpjegueshme”. Por Crystal Fleming, profesore e sociologjisë në Universitetin Stony Brook në Nju Jork, nuk pajtohet me këtë: “Nuk është e pashpjegueshme,” i tha ajo DW. “Nuk është mister. Është racizmi.”

    Fleming është e mendimit se protestat dhe trazirat pas të shtënave vdekjeprurëse nga policia ishin “një “reagim ndaj racizmit, i cili është i lidhur me kolonializmin”. Të dyja, thotë ajo, zakonisht mohohen dhe fshihen [nga kujtesa kolektive] nga autoritetet dhe politikanët francezë – “megjithë shekujt e shtypjes racore të pakicave dhe të popullsive të kolonizuara”.

    “Mision civilizues” apo shfrytëzim?

    Franca ka qenë një nga fuqitë më të mëdha koloniale të Evropës. Prej shekullit të 16-të e deri në vitet 1970, elitat politike e quanim “mision civilizues” shfrytëzimin me forcë të vendeve dhe territoreve në të gjithë botën.          

    Ndërsa revolucioni francez në 1789 u premtoi “liri, barazi dhe vëllazëri” të gjithë burrave francezë (jo grave, por kjo është një histori tjetër) në Francën kontinentale, nëpër koloni barazia e të drejtave mbeti një ëndërr. Jeta e përditshme aty karakterizohej nga represioni. Burrat dhe gratë detyroheshin të “asimiloheshin” me kulturën dhe gjuhën franceze.           

    Sidomos roli i Francës në Algjeri, ka mbetur një temë shumë e ndjeshme. Vendi i Afrikës së Veriut u kolonizua fillimisht në vitin 1830 dhe më pas u integrua në territorin kombëtar francez. Kur Algjeria rifitoi pavarësinë e saj, shpërtheu një luftë brutale që mori qindra mijëra jetë, kryesisht algjeriane, dhe që përfundimisht çoi në fundin e sundimit francez në vitin 1962.   

    Përafërsisht në të njëjtën kohë, Franca u detyrua të hiqte dorë nga kolonitë e tjera të saj, sepse edhe këto kërkuan pavarësinë. Megjithatë, Franca i ka mbajtur deri sot disa territore përtej oqeanit, si Kaledonia e Re në Oqeanin Paqësor ose Guajana Franceze në Amerikën Latine. Por ndikimi ekonomik, politik dhe ushtarak në ish-koloni, sidomos në kontinentin afrikan ka mbetur ende i lartë. Kështu për shembull, Franca mbështet edhe liderë autoritarë për të mbrojtur interesat e saj.

    Reflektim po, falje jo

    Presidenti francez Emmanuel Macron,  ka qenë ai që e ka pranuar të kaluarën koloniale të vendit të tij si një “krim historik” më shumë se çdo kryetar tjetër shteti para tij. Ai ka premtuar se do të kthejë artefaktet e vjedhura dhe se do të krijojë komisione për të shqyrtuar rolin e Francës në Algjeri dhe gjatë gjenocidit në Ruandë.  

    ​​

    Por kritikues, si Crystal Fleming, pretendojnë se kjo nuk shkon aq larg sa duhet. Franca, thonë shumë prej tyre, duhet të marrë përsipër përgjegjësitë e saj të plota për të kaluarën e të pranojë krime e kryera gjatë sundimit të saj kolonial.  Por Macron ka deklaruar se ai nuk ka ndërmend të “kërkojë falje” për rolin e vendit të tij në Algjeri”.           

    Racizëm sistematik

    Një pjesë e shoqërisë franceze dhe librat shkollorë argumentojne se kolonializmi kishte anë pozitive. Në vitin 2017, politikania e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, tha se kolonizimi u kishte “dhënë shumë” ish-kolonive. Fakti që Le Pen arriti deri në balotazhin e zgjedhjeve në vitin 2017 dhe 2022 dhe madje, në zgjedhjet e ardhshme, ka shans të bëhet presidentja e Francës, tregon se sa i përhapur është ende ky opinion.       

    Në të njëjtën kohë, “qeveria franceze vazhdon ta quajë  veten si jo-raciste”, thotë Fleming, “sepse nuk mbledh asnjë regjistrim apo të dhëna të tjera mbi racën e qytetarëve të saj”. Por realiteti i shumë njerëzve me rrënjë jo-franceze, si ata që kanë dalë tani në protesta,  është ndryshe. “Policia franceze ka një problem me racizmin sistematik,” thotë Rokhaya Diallo, autore dhe një nga aktivistet më të njohura kundër racizmit në Francë. Një akuzë që qeveria franceze e ka mohuar vazhdimisht.  Megjithatë, një hulumtim i Avokatit të Popullit për të Drejtat e Njeriut tregoi se të rinjtë që perceptohen si zezakë ose arabë kanë njëzet herë më shumë gjasa të ndalohen nga policia. Shumë prej tyre jetojnë ne periferi të zonave metropolitane si Parisi, Marseja dhe Lioni.      

    Afro-francezët jetojnë kryesisht në lagjet periferike    

    Këto banlieues, (milijet e debimit) siç shkruan eseisti britanik Johny Pitts në librin e tij “Afropean – Shënime nga Europa e zezë”, u ngritën kur u krijua Parisi që është kaq popullor sot: Në mesin e shekullit të 19-të, Napoleoni III porositi urbanistin Georges-Eugène Haussmann që të rikrijonte kryeqytetin, me rrugë më të gjera dhe një sistem më të mirë të ujërave të zeza – kryesisht të financuara me pasuri nga kolonitë afrikane.        

    Kështu u krijua Parisi, i cili është kaq i bukur dhe joshës për shumë admirues, por njerëzit me pak të ardhura u shtynë në periferi. Pas Luftës së Dytë Botërore, në periferi u ndërtuan ndërtesa të larta disakatëshe për të strehuar të gjithë ata që emigruan për shkak të zhvillimit ekonomik. Që atëherë, qeverisë franceze i është dashur të durojë akuzën për lënien pas dore të këtyre banlieuesve. Nicolas Sarkozy, presidenti i Francës nga viti 2007 deri në vitin 2012, propozoi në vitin 2005, si ministër i brendshëm, t’i pastronte banlieues me fshirësen presionit të lartë Kärcher, duke e pasur fjalën jo për dyshemetë e shtëpive, por për bandat kriminale të të rinjve.           

    Vitet e fundit, ka pasur shumë para për projekte dhe dialogë, por shumë pak gjëra kanë ndryshuar. Një banor i Nanterre, periferia e Parisit ku Nahel u qëllua, e konfirmoi këtë në një intervistë me korrespondenten e DW, Sonia Phalnikar në Paris. Qeveria franceze ka krijuar këtë “gjendje privimesh”: “Unë e di se çfarë është  varfëria dhe mjerimi. Dhe duket sikur nuk mund t’i kapërcejmë dot. ”  /DW/

    Lajmi Paraprak

    Bota shënon temperatura rekorde në tokë dhe dete

    Lajmi i rradhës

    Borxhi rekord i Gjermanisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë