Freedom House: Serbia nuk është vend demokratik, por si “regjim hibrid apo tranzitor”

    Freedom House në raportin e fundit, për të katërtin vit radhazi, Serbia nuk klasifikohet si vend demokratik, por si “regjim hibrid apo tranzitor” në të cilat institucionet demokratike janë të brishta.

    Cilësia e demokracisë në Serbi, në raportin “Vendet në Tranzicion” matet nga 1 në 7, këtë vit si vitin e kaluar është vlerësuar me 3.79, që ishte rënia e dytë më e madhe e regjistruar.

    Raporti thekson se edhe pse në pamje të parë ka pasur një përmirësim të pluralizmit politik gjatë vitit 2022 për shkak të pjesëmarrjes së opozitës në zgjedhje pas një bojkoti shumëvjeçar, procesi zgjedhor vazhdon të ketë parregullsi. Si aspekt më të diskutueshëm të zgjedhjeve, Freedom House përmend procesin e zgjatur të shpalljes së rezultateve përfundimtare.

    “Zgjedhjet e përsëritura në një qendër votimi janë mbajtur pesë herë, me përcaktimin e rezultateve deri më 5 korrik – një rekord 93 ditë pas ditës së zgjedhjeve. Kjo kontribuoi ndjeshëm në vonesën e formimit të Parlamentit dhe Qeverisë”, shkruan Freedom House.

    REM – institucion i kapur

    Në raportin për Serbinë, kjo organizatë ndërkombëtare thekson se zhvillimi negativ i lirisë së medieve ka vazhduar edhe në vitin 2022.

    “Sulmet ndaj gazetarëve në Serbi vazhdojnë të janë shqetësuese. Sipas të dhënave të Shoqatës së Pavarur të Gazetarëve të Serbisë (NUNS), gjatë vitit janë regjistruar 132 raste të sulmeve ndaj tyre. Edhe pse kjo paraqet një rënie në krahasim me 2020 dhe 2021, ende vazhdon të jetë i lartë numri i sulmeve në 10 vitet e fundit”, thuhet në raport.

    Ajo të kujton rastin e një letre anonime ku kërcënon gazetarët e Danasit, OK Radio në Vranjë dhe ndaj anëtarit të Grupit Punues të Qeverisë për Sigurinë e Gazetarëve, Veran Matiq.

    Ghithashtu, aty thuhet se përdorimi i padive SLAPP kundër mediave, vazhdon të “mbetet një çështje shqetësuese”. Vetëm portali hulumtues KRIK brenda vitit ka pranuar 11 padi SLAPP.

    Aty përmendet vendimi i Organit Rregullativ të Mediave Elektronike (REM) për shtrirjen e frekuencave kombëtare të transmetimit për tetë vitet e ardhshme për televizionet që janë të afërta me Aleksandar Vuçiqin.

    “Edhe pse REM-i duhej të merrte një vendim për frekuencat e pestë medieve kombëtare brenda datës 26 nëntor 2022, ky vendim është shtyrë pa afat. Edhe pse paraqet një hap tjetër mbrapa me pluralizmin mediatik dhe përfaqësimin e balancuar të akterëve politikë, ky zhvillim argumenton vlerësimin se REM është një institucion i kapur”, thuhet në raport.

    Në pjesën për mediet, kompania shtetërore Telekom Serbia përmendet edhe si “një instrument tjetër i kontrollit shtetëror mbi sektorin e medias”, e cila vazhdoi të ushtrojë dominimin e saj si ofrues kabllor dhe ka vënë në “qoshe të konkurencës” kompaninë private SBB, në pronësi të United Group.

    “Lufta mes dy kompanive rivale – Telekom Serbia dhe United Group – shkon përtej konkurrencës komerciale, duke pasur parasysh se rrjeti i Telekomit nuk transmeton mediet kryesore kritike në vend si N1 dhe Nova S. Kjo krijon një kërcënim serioz për lirinë e medieve në Serbi, sepse në këtë rast ka një vijë të hollë mes interesave komerciale dhe politike”, shton raporti.

    Lufta kundër krimit është e lidhur me bandat brenda SNS

    Kur bëhet fjalë për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, Freedom House kujton se gjykimi i klanit Veljko Belivuk, i akuzuar për rrëmbime, vrasje dhe përdhunime, filloi në tetor 2022.

    “Derisa Qeveria e Serbisë e paraqet rastin si provë të luftës kundër krimit të organizuar, anëtarët e akuzuar të bandës folën për lidhjet e tyre me partitë në pushtet gjatë gjykimit”, shkruan Freedom House.

    Aty shtohet se rastet e mëdha të korrupsionit dhe krimit të organizuar, si gjyqi i ish-sekretares shtetërore të Ministrisë së Brendshme, Dijana Hrkaloviq dhe pronarit të plantacionit Jovanjica, Predrag Koluvija, çuan në “akuza të ndërsjella të shtetit dhe publikut për zyrtarët që kanë lidhje me krimin e organizuar”.

    “Këto raste dëshmojnë fuqishëm se lufta kundër krimit të organizuar është e lidhur me konfliktet e brendshme partiake në koalicionin qeverisës”, thuhet në raportin për Serbinë.

    Freedom House i referohet edhe gjetjeve të raportit të Komisionit Evropian, se ka pasur “një rritje të lehtë të vendimeve të shkallës së parë në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë”, por se ka sërish “mungesë të hetimeve për raportet e sinjalizuesve, sikurse është rasti me fabrikën e armëve Krushik, një nga skandalet më të mëdha korruptive të viteve të fundit”.

    Në pjesën për luftën kundër korrupsionit, kjo organizatë thekson se ka pasur “vonesa të konsiderueshme” në reformat në lidhje me këtë fushë, “ndërsa rastet e mëdha të korrupsionit tregojnë për lidhje mes zyrtarëve të qeverisë dhe krimit të organizuar”.

    Shoqëria civile mbetet objekt i fushatave shpifëse nga zyrtarët e partisë së Vuçiqit

    Tutje, raporti thekson se fushatat kundër organizatave të shoqërisë civile dhe përfaqësuesve të tyre mbeten “të zakonshme”.

    Zyrtarët e Partisë Progresive Serbe, që drejtohet nga Vuçiqi, në disa raste kanë vënë në pikëpyetje financimin e këtyre organizatave.

    Deputeti Gjorgje Todoroviq ka tentuar të diskreditojë një deputete të opozitës për shkak se ajo ka qenë kryetare e bordit të “Iniciativës A11”, organizatë që merret me çështje sociale, duke thënë se financohet nga donatorë perëndimorë.

    Organizata regjistroi një përpjekje të ministrit të Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Aleksandar Martinoviq, për të diskredituar OJQ-të që kritikojnë qeverinë, duke folur për financat e tyre personale dhe duke i barazuar me opozitën.

    Vihet re se gjatë vitit të kaluar janë zhvilluar edhe çështje gjyqësore ndaj qytetarëve që kanë marrë pjesë në protestat mjedisore në fund të vitit 2021, të cilat përfaqësues të shoqërisë civile i cilësuan si “përpjekje sistematike për të dekurajuar qytetarët për të marrë pjesë në protestat e ardhshme”.

    “Demonstratat mjedisore që kundërshtonin ndërtimin e një ure përmes parkut të ishullit Sodrosh afër Novi Sadit u shtypën dhunshëm nga policia, ku disa demonstrues u rrahën dhe u arrestuan. Kjo përfaqëson një vazhdimësi të trendit nga viti 2021, kur protestat mjedisore tërhoqën vëmendjen më të madhe të publikut për të shkaktuar reagime të forta nga autoritetet”, shkruan Freedom House.

    Çështja e sanksioneve kundër Rusisë dominon në diskursin politik

    Në pjesën e raportit për gjendjen e institucioneve demokratike, organizata thekson se gjatë vitit të kaluar diskursi politik në masë të madhe ka qenë i dominuar nga pushtimi rus i Ukrainës, si dhe kërkesa që Serbia të respektojë sanksionet perëndimore kundër Rusisë.

    Shtohet se kjo temë dominoi fushatën elektorale, e cila përkoi me javët e para të luftës, por edhe pas formimit të qeverisë.

    “Qeveria nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë në vitin 2022″, kujton Freedom House.

    Në fund, theksohet se lufta në Ukrainë, së bashku me kërkesat e BE-së në lidhje me sanksionet, çuan në protesta të mëdha të krahut të djathtë në mbështetje të Rusisë, si dhe kërcënimet ndaj gazetarëve që raportonin për luftën, ndërsa sondazhet më të reja treguan se më shumë se 50 për qind e qytetarëve serbë janë kundër anëtarësimit në Bashkim Evropian. /KP/

    Lajmi Paraprak

    Si mund t’i luftojë OBSh-ja pandemitë në të ardhmen?

    Lajmi i rradhës

    Arsyet e forta pse duhet rritur me doemos rroga e deputetëve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë