“Fronti Europian” dhe “VLEN” në garë për sheshin “Iliria”, kush do ta mbajë tubimin përmbyllës në Tetovë

    “Fronti Europian” dhe Koalicioni “VLEN” përveç garës për vota, janë futur në garë edhe për sheshin e Tetovës. Të dy këto koalicione kanë paralajmëruar tubimet përmbyllëse në të njëjtën datë dhe në të njëjtën orë, 6 maj në ora 20:00 në Tetovë, shkruan Nistori.

    “Fronti Europian” tubimin përmbyllës e kishte paralajmëruar më herët, për në ora 20:00 më datë 6 maj 2024, në sheshin “Iliria” në Tetovë.

    Por, ajo çfarë tërhoqi vëmendjen është se edhe VLEN njofton se do të mbajë tubimin përmbyllës po ashtu në Sheshin “Ilira” në Tetovë, më 6 maj 2024 dhe në ora 20:00.

    Për njoftimin për tubimin përmbyllës të “VLEN-it” kanë reaguar nga “Fronti Europian”. Këta të fundit shprehen të shqetësuar për siç thonë, vendimin e papritur të opozitës, ndërsa e quajnë edhe provokim.

    “Ky veprim i opozitës, i cili u bë publik vetëm sot, nuk është vetëm një shkelje e qartë e parimeve të mirëkuptimit dhe koordinimit që duhet të mbizotërojnë në aktivitetet politike, por gjithashtu paraqet një provokim të panevojshëm që mund të rrezikojë sigurinë dhe qetësinë publike”, thotë Fronti Europain.

    Ata kërkojnë nga opozita rishikimin e vendimit dhe të vendosin për një datë tjetër të aktivitetit në Tetovë.

    “Ne kërkojmë që opozita të rishikojë vendimin e tyre dhe të zgjedhë një datë tjetër për aktivitetin e tyre, në mënyrë që të dyja palët të mund të shprehin lirshëm dhe pa pengesa qëndrimet dhe programet e tyre. Ne jemi të përkushtuar për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët që dëshirojnë të marrin pjesë në tubimin tonë, dhe bëjmë thirrje për një zgjidhje të qetë dhe të përgjegjshme që respekton të drejtat dhe sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve”, thonë nga “Fronti Europian”.

    Ndërkohë, përveç paralajmërimit për mbajtjen e tubimit, deri në këto momente nuk ka reagim tjetër nga Koalicioni “VLEN”. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Ministria e Financave kërkon pezullim të vendimit për rritjen e polisave të sigurimit

    Lajmi i rradhës

    Inteligjenca e Maqedonisë: Shteti në shënjestër të sulmeve hibride ruse e kineze

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë