Nga sot përpara objektit të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut do të kujdestarojë Fronti Evropian. BDI sot bashkë me një turmë qytetarësh prezantoi nismën “Roja për Gjuhën” e cila vjen si formë proteste ndaj seancës së Gjykatës Kushtetuese e cila më 11 dhjetor pritet të vendosë për disa dispozita të Ligjit të Gjuhëve, përcjell Nistori.
Arbër Ademi tha se do të qëndrojnë para Gjykatës Kushtetuese ditë dhe natë, me shatorë e karrige.
“Ne shpallim iniciativën “Roja e Gjuhës”, një nismë historike për të mbrojtur të drejtën tonë të barazisë dhe identitetit. Nga sot më 8 dhjetor ne do të qëndrojmë këtu para Gjykatës Kushtetuese, ditë dhe natë, në mënyrë paqësore për të mbrojtur të drejtat tona dhe për të siguruar që asnjë vendim mos të prishë atë që kemi ndërtuar me shumë sakrificë”, tha Ademi.
Nga atje ju bënë thirrje të gjithë qytetarëve pa dallim etnie të cilët besojnë në barazo që të përkrahin këtë nismë.
“Gjuhën nuk e japim” dhe “UÇK” ishin brohoritjet që u dëgjuan nga qytetarët që ishin mbledhur aty gjatë kohës që Ademi dha deklaratën për media.
“Të mërkurën nuk do të ndodhë asgjë”, tha kryeministri Hristijan Mickoski në një konferencë për media sot në Qeveri, i pyetur për seancën e Gjykatës Kushtetuese më 11 dhjetor lidhur me Ligjin për gjuhët.






