Fshatrat e Dibrës të boshatisura, banorët kanë ikur në mërgim!

    Pas Luftës së Dytë Botërore, fshatrat kufitare të Dibrës për shkaqe politike dhe sigurie filluan të boshatisen. Kufiri i hekurt i viteve 50 dhe 60 mes Jugosllavisë të atëhershme dhe Shqipërisë Socialiste ishte një ankth i madh për banorët të vendbanimeve rurale në pjesën Jugosllave. Migrimet masive të fshatrave kufitare të Dibrës për fat të keq vazhduan deri në vitet të 70-ta, kur për shkak të ndërtimit të pendës të Liqenit të Dibrës, u paraqitën ujëra nëntokësor në disa fshatra. Megjithatë, edhe në dekadat e fundit, mërgimi i banorëve ka bërë të veten. Sot, fshatrat kanë ngel pa banorë, shtëpitë po rrënohen, ndërsa kthimi dhe rindërtimet në këto fshatra bëhet kryesisht për nevoja rekreimi. Dibra si qytet ka mbetur pa fshatrat e njohur siç janë Konjara, Sollokiçi, Bomova, Shullani, Spasi… Këto fshatra që faktikisht e furnizonin Dibrën me produkte bujqësore dhe blegtorale, sot janë pa banorë. Banorët e dikurshëm të këtyre fshatrave që për shkaqe të ndryshme migruan në qytet – në Dibër, SHBA dhe në shtetet evropiane, me mallëngjim flasin për vendlindjen e tyre, megjithëse e pranojnë që kthimi i tyre në fshat është i pamundur.

    Ramiz Duka, i lindur në Spas, fshat ky që gjendet në afërsi me kufirin me Shqipërinë, pas migrimit të familjes së tij në Dibër, emigroi në SHBA. “Me të drejtë thuhet që Dibra ka mbetur pa fshatra dhe kjo situatë nuk është e mirë për vet qytetin. Fshatrat kufitare që janë të pasura me ujëra dhe kanë një vegjetacion shumë të mirë, tani më nuk janë furnizues të tregut të Dibrës. Deri në vitet e 70-ta, dibranët në tregun e tyre kishin mundësi të blejnë të gjitha prodhimet bujqësore që kultivoheshin në fshatra. Tani, tregu i Dibrës furnizohet me prodhime bujqësore nga qytete të tjera të vendit”, tregon Duka, ndërsa uron që fshatrat e braktisura të ringjallen dhe një pjesë e banorëve të investojnë për sanimin e shtëpive. “Duhet menduar më shumë për zhvillimin e turizmit rural”, thotë Duka, ndërsa vet ai tashmë ka filluar të investoj në fshatin e tij të lindjes – në Spas.

    Edhe banorët e dikurshëm të fshatit Konjare e të cilët sot jetojnë në Dibër, kryesisht në lagjen e quajtur “Konjara a Re” që u ndërtua viteve të 70-ta në periferi të Dibrës, kohëve të fundit janë organizuar dhe në mënyrë vullnetare po pastrojnë rrugën që lidh Dibrën me këtë fshat, por edhe pastrimin e kanaleve të ujërave me të cilët bëhet vaditja e tokës. Shumë prej tyre kanë filluar të punojnë tokën, por edhe të merren me bletari meqë bëhet fjalë për një ambient tepër të pastër.

    Kjo i detyron ata që të sanojnë edhe shtëpitë e tyre në këto fshatra. Një nga aktivistët në këto aktivitete është edhe Atli Dema, i cili viteve të fundit me sukses merret me bletari. Ai thotë se shumë ish-banorë të fshatit Konjare merren me bletari, por edhe punojnë tokat e tyre të cilat janë pjellore.

    Me qëllim që të ringjallen këto fshatra, kryesisht për të punuar tokat, pushteti vendor i Dibrës tre dekadat e fundit është angazhuar dhe ka realizuar projekte për asfaltimin e disa rrugëve që lidhin Dibrën me këto fshatra kufitare. Asfaltimi i rrugëve ka mundësuar që pronarët e tokave në viset kufitare t’i rikthehen bujqësisë. Megjithëse është një numër i vogël i ish banorëve që tani punojnë tokat, por ka shpresa të ketë një rritje të dukshme të banorëve që, duke sanuar shtëpitë dhe duke i shfrytëzuar ata për rekreim gjatë sezonit veror, ta rikthejnë jetën në fshatra. Familja e njohur dibrane Marku nga fshati Bomovë, tani më një kohë të gjatë ka bërë rregullimin e një pushimore në këtë fshat. Anëtarët e këtij fisi gjatë verës organizojnë takimet familjare, meqë ambienti me të vërtet është shumë i bukur. Natyra e këtyre fshatrave është piktoreske dhe burimet e ujërave janë të shumta, prandaj dekada me radhë – nxënësit e shkollave të Dibrës shfrytëzojnë këtë natyrë për ekskursionet njëditore që mbahen në lokacionin Lerë.  /Koha.mk/

    Lajmi Paraprak

    Wood flet për Shqipërinë: Aty ka oligarkë që po rrëzojnë ndërtesa, elita që imponon vullnetin e popullit quhet komuniste

    Lajmi i rradhës

    Komisioni Europian: Personat e vaksinuar të mos kenë asnjë kufizim në udhëtim

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë