Fshatrat pa banorë, ‘parajsë’ për arinjtë – dëmtohen bletarët në Dibër

    Pas disa muajsh, në rajonin e Dibrës janë shfaqur sërish arinjtë e murrmë, të cilët me agresivitet të madh po shkatërrojnë kosheret e bletëve. Netët e fundit, arinjtë kanë dëmtuar koshere bletësh në afërsi të fshatrave kufitare Kunjarë, Solokiq, Bomovë dhe Spas.

    Sipas bletarëve të zonës, janë dëmtuar dhjetëra koshere dhe me të drejtë pronarët janë thellësisht të shqetësuar. Shoqata e gjuetarëve “Stogova 2” e Dibrës deklaron se bletarët duhet t’i paraqesin dëmet në Komunën e Dibrës, e cila më pas njofton shoqatën dhe, në bashkëpunim me institucionet kompetente, organizon sigurimin e ushqimit për kafshët e egra në disa lokacione malore përreth Dibrës.

    Sipas kësaj shoqate, ariu i murrmë sulmon kosheret e bletëve kur ka mungesë ushqimi. Deri tani nuk janë raportuar sulme të arinjve ndaj njerëzve. Ndër bletarët që kanë pësuar dëme është edhe Atli Dema, i cili informon se ariu ka shkatërruar disa koshere, duke shkaktuar dëme të mëdha. Sipas tij, këto ditë në rajonet kufitare janë parë disa arinj, të cilët zakonisht sulmojnë gjatë natës.

    Bletarët dibranë pohojnë se arinjtë “vizitojnë” kosheret kryesisht gjatë natës dhe gjatë kalimit të tyre dëmtojnë edhe kulturat bujqësore, veçanërisht në fshatrat kufitare si Spas, Bomovë dhe Kunjarë, ku nuk ka banorë të përhershëm. Banorët e Dibrës që punojnë tokat dhe merren me bletari janë më të ekspozuar ndaj dëmeve.

    Lidhur me situatën, biseduam edhe me kryetarin e shoqatës së gjuetarëve “Stogova 2”, Roland Vojnika. “Prezenca e arinjve në rajonin tonë është shqetësuese. Ne si shoqatë vlerësojmë se dëmet që shkakton ariu lidhen me mungesën e ushqimit. Vendosim ushqim në lokalitete të caktuara malore, por vetëm kur informohemi nga administrata komunale për nevojën e këtij veprimi, me qëllim që të ushqehen kafshët e egra. Prandaj, bletarët që regjistrojnë dëme apo shfaqje të arinjve duhet të njoftojnë menjëherë komunën. Më pas, ne si shoqatë ndërhyjmë”, deklaroi për gazetën Koha kryetari Vojnika.

    Ai sqaron se kur kanë ushqim, arinjtë nuk zbresin nëpër fshatra. Arinjtë janë të mbrojtur me ligj dhe ndalohet vrasja e tyre. Këto ditë, arinj të murrmë janë parë edhe në rajonin e Rekës dhe të Zhupës. Sipas banorëve lokalë, numri i tyre po rritet dita-ditës. Përveç bletarëve, tashmë edhe banorët ndihen të shqetësuar. Arinj janë parë në afërsi të fshatrave të Rekës si Zhirovnicë, Velebërdë, Sencë, si dhe në fshatrat e Zhupës si Gorencë, Ballancë, Pralink dhe Breshtan. Gjatë vitit të kaluar, përveç dëmeve në koshere, arinjtë shkaktuan dëme edhe në disa shtëpi, sidomos në rajonin e Rekës.

    Lajmi Paraprak

    RMV po zbrazet: emigrimi pritet të ulë popullsinë me 11%

    Lajmi i rradhës

    Cilët janë dekanët më të pasur të universiteteve në RMV?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë