Sivjet mbushen plot 21 vjet nga shkatërrimi i sistemit të vaditjes së Fushës së Dibrës. Sistemi u shkatërrua pasi u vodhën pjesë të pompave që ndodheshin në bregun e Liqenit të Dibrës dhe, faktikisht, u ndërpre edhe vaditja e fushës së Dibrës. Kompetentët përgatitën një projekt për sanimin dhe rikonstruksionin e sistemit para tre viteve dhe u sanua stacioni i pompave, i cili u furnizua me pajisjet e nevojshme, por sistemi i kanaleve për vaditje nuk u realizua. Për këtë arsye, edhe sot, pas dy dekadash, fusha mbetet e thatë. Kjo do të thotë se edhe vera e vitit 2026 do të jetë një tjetër verë pa ujë për fushën e Dibrës dhe dëmet e bujqve do të vazhdojnë të thellohen. Bujqit janë detyruar të ndryshojnë kulturat bujqësore që mbillnin para dy dekadash. Toka e thatë nuk mund të prodhojë çdo kulturë, prandaj toka pjellore sot mbillet kryesisht me jonxhë dhe drithëra. Kjo situatë ka ndikuar negativisht edhe në përfitimet e bujqve, pasi përcaktimin e të mbjellave gjatë vjeshtës dhe pranverës e dikton mungesa e ujit dhe jo dëshira e tyre.
Në shoqatën e bujqve thonë se tejkalimi i këtij problemi është zvarritur me vite, ndërsa dëmet e fermerëve janë të mëdha. Në shoqatën e fermerëve dibranë theksojnë se nga Ministria e Bujqësisë janë informuar se nuk ka mjete të mjaftueshme për realizimin e plotë të projektit. Megjithatë, anëtarët e kësaj shoqate shtojnë se dëmet nga viti në vit rriten dhe problemi kërkon zgjidhje urgjente.
Përveç ndryshimeve në mbjelljet vjeshtore dhe pranverore, fusha e Dibrës ka humbur edhe vlerën e saj materiale. Në disa pjesë të kësaj zone vlera e tokës pothuajse është përgjysmuar. Çmimi i tokës nuk është më ai që ishte para dy dekadash, pasi ata që blejnë tokë e dinë se ajo nuk është më aq pjellore sa më parë. Bëhet fjalë për një dëm të madh për pronarët e tokave në fushën e Dibrës.
Duke marrë parasysh këtë situatë, në dekadën e fundit është ulur dukshëm edhe përpunimi i tokës në këtë pjesë të fushës. Disa sipërfaqe nuk punohen fare pikërisht për shkak të mungesës së sistemit të vaditjes. Duhet theksuar gjithashtu se shumë familje, pronarë tokash në fushën e Dibrës, kanë migruar drejt qyteteve ose jashtë shtetit, pasi nuk kanë mundur të mbijetojnë nga të ardhurat që siguronin nga tokat e tyre.
Sistemi i vaditjes së fushës së Dibrës është ndërtuar në fillim të viteve ’70. Ndërtimi i pendës së Liqenit të Dibrës, në fakt, mbuloi tokat më pjellore të kësaj zone. Fusha e Udovës u kthye në liqen artificial për prodhimin e energjisë elektrike nga hidrocentrali i Spiljes, çka për Dibrën përbënte një goditje të madhe në sektorin e bujqësisë. Për të përkrahur prodhimtarinë bujqësore, pushteti lokal dhe ai qendror i asaj kohe ndërtuan sistemin e vaditjes për fushën e Dibrës.
Edhe pse ishte planifikuar vaditja e afro 3 mijë hektarëve, kjo nuk u realizua asnjëherë plotësisht, pasi sistemi mbuloi vetëm rreth 1750 hektarë. Tani, me projektin e ri të rikonstruksionit, i cili është në fazën e parë të realizimit, besohet se do të vaditen rreth 1500 hektarë. Megjithatë, ende nuk dihet se kur sistemi në fjalë do të jetë plotësisht funksional. Koha






