Fushata transferohet edhe në rajon!

    Fushata presidenciale në Maqedoninë e Veriut veçmë po merr dhe përmasa rajonale, gjegjësisht po transferohet edhe në rajon. Krejt kjo erdhi pas një deklarate nga kandidati për president nga Fronti Europian, Bujar Osmani i cili tha se ka qenë hartues i planit nëntëpikësh për qetësimin e situatës në veri.  “Dola me planin nëntë pikësh për deeskalim në veri të Kosovës si kryesues i OSBE-së për shkak se me vendim të OSBE-së është vështirë të merren vendime për shkak se janë me konsensus dhe prandaj shfrytëzova mandatin tim si kryesues të dal me planin 9 pikësh i cili pastaj u bë edhe plani i Qeverisë së Kosovës për deeskalim”, deklaroi Bujar Osmani. Kjo deklaratë e Bujar Osmanit, nxiti reagime të shumta në Kosovë dhe Maqedoni.

    Arben Taravari, kandidati i opozitës shqiptare tha se dokumenti i Bujar Osmanit ka kërkuar që të mos qëndrojnë në veri ata heronj që na bënë krenar të gjithëve në rastin e sulmit të Vuçiqit në Banjskë, ku u vra nga terroristët serbë, policii dëshmor Afrim Bunjaku. “Fatmirësisht mendoj, Qeveria e Kosovës nuk e ka pranuar planin e Bujar Osmanit, sepse po të ishte pranuar ai plan, bandat e Vuçiqit nuk do të kishin gjetur rezistencë. Na vjen të gjithëve vështirë, kur një politikan nga Maqedonia e Veriut, siç është Bujar Osmani, mban qëndrime të tilla antikombëtare në rastin e Kosovës”, thuhet në reagimin e Taravarit.

    Ndaj këtij reagimi, i menjëhershëm ishte edhe kundërpërgjigjja e Bujar Osmanit. “Po ta dinte Arben Taravari se si është sintetizuar, përgatitur dhe miraturar plani nëntëpikësh i Kryesuesit të OSBE-së për deeskalim në veri dhe rolin e këtij plani për të parandaluar zgjidhje territoriale për çështjet etnike në Kosovë, do mendonte dy herë para se të involvohet në lojëra  elektorale që nuk i njeh dhe që mund ta dëmtojnë shumë interesin e Kosovës! Kosova është çliruar me rezistencë dhe përpjekje të koordinuara. Dhe, liria dhe pavarësia e Kosovës mund të mbrohet vetëm me veprime të koordinuara”, ka shkruar Osmani.

    Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se plani nëntë pikësh i OSBE-së për depërshkallëzim të situatës në veri, është hartuar nga ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani. Në planin 9 pikësh të OSBE-së,  të publikuar më 3 qershor të vitit 2023, Kosovës i kërkohet të tërheqë Policinë Speciale nga veriu i Kosovës, teksa Serbisë ta ulë gatishmërinë e Ushtrisë. “Pra, Kosovës të largojë forcat që rezultuan që garantojnë sigurinë, sundimin e ligjit dhe integritetin territorial të vendit, kurse Serbisë të ulë gatishmërinë e forcave që kërcënojnë me agresion sigurinë dhe integritetin territorial të Kosovës”.

    Kryeziu ka thënë se është një rast tjetër “ku shqiptarët e shohin Kosovën me sy të ndërmjetësve ndërkombëtarë”. “Dje e kuptuam që plani 9 pikësh i OSBE-së, qenka hartuar nga vetë z. Bujar Osmani. Një rast tjetër kur shqiptarët e shohin Kosovën me sytë e ndërmjetësve ndërkombëtarë. Në fund, ky plan, nuk u bë plan i qeverisë. Deeskalimi ndodhi. Pa e dëmtuar sovranitetin e pa rrezikuar sigurinë”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.

    Sipas njohësve të proceseve politike, kjo fushatë po transferohet edhe në rajon, gjegjësisht në Kosovë. Sipas gazetarit Lirim Mehmetaj, jo që po transferohet fushata presidenciale në mes të Bujar Osmanit dhe Arben Taravarit jashtë Maqedonisë së Veriut, por ajo ka filluar jashtë Maqedonisë, më saktësisht në Kosovë.  Ai thotë se Taravari është vetëm vegla e radhës që Albin Kurti e keqshfyrtëzon për qëllime krejt personale në funksion të përpjekjeve të tij për konsolidim të pozitës jashtë Kosovës.

    “Kur në Shqipëri e provoi, fatmirësisht atje nuk gjeti politikan serioz që të manovrojë me të dhe pësoi debakël elektoral. Por, në Maqedoninë e Veriut, fatkeqësisht për shqiptarët atje, ka gjetur një grup politikanësh që lejojnë këto manovrime të Kurtit për interesat e tyre të pushtetit. Një nga metodat e fushatës së ulët që e bën Lëvizja Vetëvendosje është sikur kjo situata e fundit me risjelljen jashtë kontekstit të rolit të Osmanit si udhëheqës i OSBE-së. Është metodë parapolitike e Vetëvendosjes të hedh në ajër gjysmë të vërteta dhe informacione pa kontekst, me shpresë se ngjet diçka te votuesit potencialë. Taravari e ka bërë veten mekanizëm përcjellës i kësaj lloj parapolitike. Ai, me vetëdije, është shndërruar në lolon personale të Albin Kurtit dhe më, edhe po deshi, nuk do të mund të dal nga kjo lojë e ndytë ku është futur. Gjithsesi, me sa kam parë deri më tani, as vetë Osmani, por as qytetarët shqiptarë të Maqedonisë nuk e kanë ndërmend të bijnë preh e këtyre fushatave të ndyta”, ka deklaruar për KOHA, gazetari nga Kosova, Lirim Mehmetaj.

    Ndërkaq, analisti politik Sefer Selimi thotë se për shkak te ndërlidhjeve mes shteteve te rajonit nuk është e papritur qe do të ketë ndërhyrje dhe ndikime sporadike apo ndoshta edhe te fshehta.

    “Kjo qe po ndodh me përfshirjen e VV dhe qeverise se Kosovës ne fushate është ndërhyrje klasike përmes metodave te tërthortë dhe ne favor te një pale te caktuar qe është pjese e garës politike. Ngelet për tu parë cili do jete efekti dhe pasojat qe do te dalin nga kjo ndërhyrje e përfshirje ne zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare nga ana e Kosovës zyrtare”, ka deklaruar për KOHA, Sefer Selimi, analist.


    Ndryshe, lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami. Sipas tij ne si shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, kemi dhënë dëshmorë për Kosovën që u çlirua nga Serbia. “Si u bë që tani del kryetari i BDI dhe thërret tash rroftë populli serb? Ne kemi mbështetur me gjithë zemër pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës. Si u bë që tash na del ky Bujar Osmani  dhe propozon që policët heroikë të Kosovës, të largohen nga territori i Kosovës? Maqedonia e Veriut Kosovën e ka partnere dhe aleate. Serbia është kundër anëtarësimit në NATO, Kosova dihet, si çdo vend shqiptar, është shumë pro-NATO. Si u bë që këta të Frontit të BDI-së ia kanë mbajtur anën Serbisë kundër Kosovës. Kjo është edhe një dëshmi se ja VLEN, ja VLEN që të dalim  në mënyrë masovike të votojmë për koalicionin VLEN!”, ka shkruar në rrjetin social Facebook, kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    BDI: Mickoski nuk mbushet mend, dëshiron një shtet vetëm të maqedonasve

    Lajmi i rradhës

    Varheji: kriteret për anëtarësimin e RMV-së në BE janë shumë të qarta

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë