Fushatë nxitëse, por pa incidente në Kosovë

    Misioni EULEX si dhe ai i KFOR-it, kanë shtuar numrin e policëve dhe ushtarëve për kohën e zgjedhjeve në Kosovë. Partitë po përdorin gjuhë nxitëse por incidetne nuk ka.

    Edhe në javën e fundit të fushatës parazgjedhore në Kosovënuk ka të ndalur përdorimi i gjuhës nxitëse dhe të urrejtjes nga partitë politike. Rrjeti i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim DnV, që monitoron fushatën për zgjedhjet e nëntë shkurtit, thotë se “edhe gjatë javës së tretë ka vazhduar përdorimi i gjuhës nxitëse dhe të urrejtjes nga partitë politike”. Për këtë shkak është shtuar edhe numri i gjobave ndaj tyre nga Paneli për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

    “Gjatë javës së fundit ka pasur përkeqësim të mëtutjeshëm të gjuhës dhe diskursit të përdorur në fushatë. Numri i aktiviteteve ku është përdorur gjuhë fyese, nxitëse apo e urrejtjes, pothuajse është dyfishuar me 48 raste të evidentuara vetëm këtë javë. Edhe gjatë kësaj jave, aktivitetet e organizuara ngaLVV-ja, prijnë për nga numri i rasteve kur është përdorur gjuha e urrejtjes me 13 aktivitete, apo 1/3 e aktiviteteve të zhvilluara. Pas LVV renditet AAK-ja me 28% të aktiviteteve me gjuhë të urrejtjes. PDK-ja është në vendin e tretë me 23% të aktiviteteve, ndërsa pason LDK-ja me rreth 20% të aktiviteteve të karakterizuara nga përdorimi i gjuhës së urrejtjes”, thuhet në një deklaratë të DnV. Deri në javën e tretë të fushatës zgjedhore PZAP, ka shqiptuar mbi 307 mijë euro gjoba për partitë politike dhe kandidatët e tyre për deputet.

    Gjobat shumë të larta

    “Deri me datë 27 Janar 2025, PZAP ka shqiptuar 63 vendime me të cilat janë gjobitur subjektet politike. Totali i gjobave është 307.400,00 euro”, thuhet në një njoftim të PZAP, ku bëhet e ditur se partitë politike janë duke u dënuar, kryesisht për gjuhë të urrejtjes dhe thyerjes së kodit të mirësjelljes.

    Njohësi i çështjeve politike analisti Blerim Burjani, tha se “fushata  dhe gjuha e urrejtjes që përdoret si mjet politik, është e ndaluar me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, nenet 33, 34 dhe 35 që i referohet kodit të sjelljes së partive në fushata politike. Prandaj gjuha e nxitjes dhe urrejtjes, dhunës dhe mosdurimit, sjellin rrezikshmëri të përgjithshme  dhe si të tilla cenojnë integritetin dhe dinjitetin njerëzor dhe nxisin dhunë të përgjithshme”.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nga ana tjetër ka njoftuar se tashmë për herë të parë ka filluar të mbajë një program trajnimi për anëtarët e Këshillave të Vendvotimeve, të cilët do të angazhohen për votimin jashtë Kosovës më 8 shkurt 2025 në vendvotimet që do të hapen në përfaqësitë diplomatike.

    “Në këtë fazë të trajnimit do të përfshihen më shumë se 15 mijë anëtarë të Këshillave të Vendvotimit, të cilët janë emëruar nga KQZ dhe që u përkasin të gjitha komunave të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

    Misionet dhe vëzhguesit ndërkombëtarë

    Megjithë përdorimin e gjuhës nxitëse dhe të urrejtjes nga partitë politike gjatë tubimeve elektorale, sipas organeve të sigurisë nuk është shënuar ndonjë incident. Misioni Evropian për Polici dhe Drejtësi EULEX, ka shtuar numrin e policëve nga një njësi policore e specializuar për sigurinë gjatë zgjedhjeve në Kosovë, ka njoftuar shefi i misionit EULEX, Giovanni Pietro Barbano, “këta policë, që vijnë nga forcat e EUROGENDFOR-it të siguruara nga Xhandarmëria Kombëtare e Francës, Karabinierët e Italisë, Shërbimi i Sigurisë Publike i Lituanisë  dhe Garda Kombëtare Republikane e Portugalisë, do të punojnë me Njësinë Policore të Specializuar (NJPS) të siguruar nga Policia e Polonisë për ta përmbushur mandatin e Misionit për ta mbështetur stabilitetin në mbarë Kosovën dhe për garantimin e sigurisë për të gjitha komunitetet gjatë zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme”, thotë Giovanni Pietro Barbano.

    EULEX, megjithatë vepron si reaguesi i dytë i sigurisë në Kosovë në kuadër të mekanizmit me tre nivele të reaguesve të sigurisë, ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-i është i dyti dhe misioni KFOR i udhëhequr nga NATO është reaguesi i treti.

    Edhe misioni i NATO-os KFOR javën e shkuar shtoi trupat e tyre me më shumë se 200 ushtarë italianë. Këto trupa arritën nga brigada e mekanizuar e këmbësorisë italiane “Sassari”, për qëndrim të përkohshëm dhe ata do të jenë të gatshëm, të intervenojnë edhe gjatë periudhës së zgjedhjeve në rast se kjo është e nevojshme.

    “Trupat italiane nga rezervat e KFOR-it arritën në Kosovë, në mbështetje të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, duke përforcuar praninë në Kosovë. Vendosja e tyre është e përkohshme. Në muajt në vijim, më shumë se 200 ushtarë, nga brigada e mekanizuar e këmbësorisë italiane ‘Sassari’, do të kryejnë një sërë aktivitetesh, së bashku me trupat e KFOR-it dhe do të dislokohen në përgjigje të çdo zhvillimi të rëndësishëm në situatën e sigurisë, përfshirë edhe gjatë periudhës së zgjedhjeve”, thuhej në njoftimin e KFOR-it.

    Po ashtu nga mekanizmat e Bashkimit Evropian tashmë kanë filluar të mbërrijnë vëzhguesit e zgjedhjeve dhe numri i tyre do të jetë mbi 100. Misioni i BE-së në Kosovë ka bërë të ditur se vëzhguesit afatgjatë të BE-së vijnë nga 18 vende të ndryshme. Shefja e misionit të vëzhguesve, Nathalie Loiseau, tha në Prishtinë se për Kosovën “kurrë nuk ka qenë më e rëndësishme ruajtja e standardeve demokratike”. /DW/

    Lajmi Paraprak

    Cili shtet i Europës mund të goditet më së rëndi nga tarifat e Trumpit?

    Lajmi i rradhës

    Ndërpriten përkohësisht aktivitetet e skijimit në Kodrën e Diellit për shkak të mjegullës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë