GAP: Rritja e pagës minimale prek mbi 100 mijë punëtorë

    Nëse paga minimale bruto në Kosovë rritet në 264 euro, atëherë ky vendim prek rreth 30 për qind të tregut të punës apo rreth 105 mijë punonjës, thuhet në hulumtimin e publikuar nga Instituti për Hulumtime të Avancuara GAP.

    Sipas këtij hulumtimi, mbi 94 për qind e të prekurve nga rritja e pagës minimale janë punonjës të sektorit privat.

    Të gjeturat e këtij hulumtimi, të publikuar më 29 prill, bazohen në të dhënat e Administratës Tatimore të Kosovës për muajin dhjetor të vitit 2021.

    Sipas Institutit, punëtorët që do të preken nga rritja e pagës minimale janë të punësuar në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë, në industrinë përpunuese, në gastronomi, në aktivitetet financiare dhe të sigurimit, në ndërtimtari e të tjerë.

    Mes tjerash, GAP vlerëson se një rritje më e madhe e pagës minimale, shembull 300, 350 dhe 400 euro do të mund të dëmtonte qytetarët dhe ekonominë e Kosovës, pasi në atë rast sektorët më të prekur nga rritja, janë ata me shkallën më të lartë të informalitetit në vend.

    Duke trajtuar këtë çështje, profesori i Ekonomisë, Musa Limani ka thënë ditë më parë për Radion Evropa e Lirë se me rritjen e pagës minimale do të rritet numri i punëtorëve pa kontrata, për arsye se disa biznese nuk kanë mundësi materiale të paguajnë punëtorin në vlerën e pagës minimale”.

    “Ky do të jetë një problem më vete… do të paraqitet punësimi latent ose i fshehur. Në anën tjetër, do të ketë edhe mungesë të punëtorëve, sepse asnjë punëtor nuk do të punojë më nën vlerën e pagës minimale”, ka thënë ai.

    GAP thotë se krahas rritjes së pagës minimale, është e rëndësishme që të rriten kapacitetet zbatuese dhe monitoruese lidhur me zbatimin e pagës minimale.

    Mosha e punonjësve që përfitojnë nga rritja e pagës minimale, sipas GAP-it është e ndryshme – prijnë punonjësit e moshës 25 deri në 34 vjeç.

    Paga minimale në Kosovë – e pandryshuar që nga viti 2011 – aktualisht është 130 euro për të punësuarit nën 35 vjeç dhe 170 euro për mbi 35-vjeçarët.

    Në mbledhjen e mbajtur më 13 prill, Qeveria e Kosovës miratoi projektligjin që i hap rrugë rritjes së pagës minimale.

    Sipas këtij projektligji, paga minimale do të rritet në 264 euro bruto, apo 250 euro neto.

    Këshilli Ekonomik Social i Kosovës, i cili sipas Ligjit të punës, propozon vlerën e pagës minimale në fund të çdo viti kalendarik, dhe që më pas kalon për miratim te Qeveria, ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për këtë çështje.

    Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Kosovës, Atdhe Hykolli, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se më 29 prill, ky Këshill do të ketë një takim lidhur me caktimin e pagës minimale.

    Rritje të pagës minimale vazhdimisht kanë kërkuar Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

    Kërkesa e tyre është rritur muajve të fundit, pas rritjes së vazhdueshme të inflacionit në Kosovë.

    Inflacioni në muajin mars ka arritur në 10 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Hidhet poshtë kërkesa e Gruevskit, Gjykata Supreme i vërtetoi dënimin

    Lajmi i rradhës

    Zbulohet dokumenti, Ahmet Zogu e ndaloi kultivimin e hashashit, Enver Hoxha e legalizoi për eksport!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë