GARA PRESIDENCIALE PO NXEHET | Partitë kursejnë emrat!

    Foto: Nistori

    Tre muaj deri në zgjedhjet presidenciale, ende nuk dihen kandidatët për postin më të lartë në vend. Dy partitë kryesore LSDM dhe VMRO-DPMNE në betejën për datën e zgjedhjeve anashkaluan çështjet për zgjedhjen e personit të parë të shtetit. Presidenti aktual, Stevo Pendarovski, gjatë një interviste muaj më parë për gazetën KOHA, nuk e hodhi poshtë mundësinë që sërish të garoj për të parin e shtetit. Edhe nga dinamika e aktiviteteve të tij mund të lexohet ambicie për një mandat tjetër, por ende nuk ka bërë të ditur një vendim përfundimtar. Por një gjë është e sigurt, dhe ajo është se zgjedhja e një kreu të ri të shtetit ose të paktën raundi i parë i votimit (nëse arrihet një marrëveshje për zgjedhje të dyfishta) do të jetë sinjali i parë se cila parti apo koalicion do të udhëheqë Maqedoninë e Veriut në periudhën “vendimtare” për marrëdhëniet me BE-në.

    Politologu Marko Troshanovski nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis” thotë se nuk ka asgjë të pazakontë që partitë t’i fshehin kandidatët e tyre.

    “Kjo është mënyra se si ata shmangin sharjen e kandidatëve të tyre në publik para se të fillojë gara”, thotë ai.

    Prandaj, ai konsideron se edhe presidenti Pendarovski ka të drejtë të jetë të taktizon, por sipas tij, shefi aktual i shtetit ka besim të vazhdueshëm në opinion dhe meriton të nominohet për një mandat tjetër.

    Sondazhi i fundit nga Instituti për Hulumtime Politike (IPIS) e rendit Pendarovskin në vendin e shtatë me 2.3 për qind të të anketuarve që thonë se kanë besimin më të madh tek ai. Para tij në ranglistë janë Nikolla Gruevski, Maksim Dimitrievski, Dimitar Apasiev, kryeministri Kovaçevski dhe lideri i opozitës Hristijan Mickoski. Vetë Pendarovski në intervistën për gazetën KOHA është përgjigjur se dëshiron të shoh se çfarë mendon opinioni për të dhe nëse do të ketë mbështetje nga LSDM dhe BDI, dhe më pas do të vendosë për kandidimin. LSDM-ja në pushtet duket se është e ndarë në mes të Pendarovskit, por edhe të Oliver Spasovskit, i cili nuk e mohon kandidaturën e mundshme, prandaj edhe perceptohet si konkurrent serioz i kreut aktual të shtetit.

    Duket se LSDM-ja është para dilemës nëse do t’ia besojë nominimin një personi nga radhët e tyre partiake apo një kandidati jopartiak siç është Pendarovski, i cili këtë e konsideron si avantazh të tij dhe shpeshherë e vë në dukje.

    Vetë Pendarovski në intervistën për gazetën KOHA është përgjigjur se dëshiron të shoh se çfarë mendon opinioni për të dhe nëse do të ketë mbështetje nga LSDM dhe BDI, dhe më pas do të vendosë për kandidimin. LSDM-ja në pushtet duket se është e ndarë në mes të Pendarovskit, por edhe të Oliver Spasovskit, i cili nuk e mohon kandidaturën e mundshme, prandaj edhe perceptohet si konkurrent serioz i kreut aktual të shtetit.

    KALKULIME PËR DATËN

    Paqartësi ka edhe për datën e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale. Për arsye taktike, LSDM nuk pajtohet me propozimin e opozitës që zgjedhjet presidenciale (raundi i dytë) dhe ato parlamentare të mbahen në të njëjtën kohë. Sipas asaj që flitet në koluaret partiake, Kovaçevski është anuar drejt idesë që dy raundet zgjedhore të mbahen veçmas dhe sipas kalendarit të rregullt, duke pasur parasysh se LSDM dhe BDI së bashku mund të japin votat e nevojshme për zgjedhjen e kreut të shtetit, që do t’u jepte atyre një shtysë edhe për zgjedhjet parlamentare në mandatin e rregullt të korrikut.

    Duke komentuar një matematikë të tillë parazgjedhore, Sefer Selimi, analist politik, thotë se në zgjedhje të ndara, LSDM do të kishte shanse më të mira për të fituar postin presidencial, por vetëm nëse arrijnë të gjejnë, siç thekson ai, një kandidat i përshtatshëm për të tërhequr një numër serioz votash edhe nga komunitetet e tjera, veçanërisht nga komuniteti i dytë më i madh – shqiptarët.

    “Me këtë rregullim të skenës politike dhe narrativën me të cilën po performon VMRO-DPMNE, vështirë se do të jetë atraktive edhe për opozitën shqiptare sepse bashkëpunimi i mundshëm do të ishte gabim fatal. Sa i përket një rikandidimi të mundshëm të kreut aktual të shtetit, mendoj se ka shanse të mira, por nuk jam plotësisht i sigurt se do të fitojë edhe një herë besimin e LSDM-së dhe BDI-së sepse tani është duke bërë kalkulime edhe me Aleancën për Shqiptarët dhe me siguri edhe ata do të kishin pikëpamjet dhe pritshmëritë e tyre nga kreu i ardhshëm i shtetit”, thotë Selimi.

    ANKETA TË BRENDSHME NË VMRO-DPMNE

    VMRO-DPMNE tashmë po bën anketa të brendshme për vlerësimin e kandidatëve potencialë për nominimin për president. Në listë janë rreth një duzinë persona, mes tyre kandidatja e mëparshme – profesoresha Gordana Siljanovska, por edhe një tjetër kandidat i mëparshëm që dështoi në garën e vitit 2004 – kardiologu Sashko Kedev, i cili, përkundër informacioneve të tilla, kohët e fundit mohoi kategorikisht kthimin në politikë. Ai tha se prioritetet e tij aktuale nuk janë në përputhje me asnjë angazhim politik. Zëdhënësi i partisë, Luke Galevski, thotë se do të udhëhiqen nga mendimi i qytetarëve.

    “Përgatitjet për zgjedhjet presidenciale janë duke u zhvilluar, partia është duke bërë matjet e nevojshme të rejtingut të kandidatëve potencialë, ku vendimtar do të jetë mendimi dhe mbështetja e qytetarëve dhe sigurisht edhe vetë bazës partiake. Sipas statutit, kandidati i ardhshëm për president do të zgjidhet në një konventë partiake. Kandidati për president do të ofrojë program dhe qëllime konkrete për t’i arritur”, thotë Galevski.

    Në zgjedhjet e vitit 2019, Pendarovski, i cili ishte kandidat i përbashkët i LSDM-së dhe BDI-së, dhe Siljanovska, e cila ishte kandidate e VMRO-DPMNE-së, raundin e parë e përfunduan me numër pothuajse të barabartë votash, 322.000 kundrejt 318.000. Duke marrë parasysh se këto zgjedhje u mbajtën në zenitin e popullaritetit të qeverisë dhe LSDM-së dhe se pas kreut aktual të shtetit qëndronin dy parti të fuqishme, tezat se forcat e bashkuara të socialdemokratëve dhe BDI-së janë formulë për sukses edhe në zgjedhjet e ardhshme duken të pabaza.

    Fitorja e Pendarovskit në raundin e dytë në vitin 2019 u fitua me një diferencë prej 58 mijë votash, që mund t’i atribuohet momentit psikologjik të epërsisë në raundin e parë dhe votave të shtuara nga partitë e bllokut shqiptar Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA, kandidati i përbashkët i së cilës ishte Blerim Leka i cili përfundoi raundin e parë me rreth 80.000 vota.

    BDI, së paku deri më tani, është treguar e përmbajtur për vendimet personale për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe nëse do të mbështesin sërish një kandidat të LSDM-së. Por kryeministri Dimitar Kovaçevski në një deklaratë të fundit dha sinjal se do të përsërisin paraqitjen e përbashkët të koalicionit.

    “Në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, kandidati i koalicionit evropian, i konceptimit dhe partive politike që janë për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE do të jetë kandidati fitues dhe do të zgjidhet president i vendit. Sa i përket ecurisë specifike të zgjedhjeve, mbetet të jetë pjesë e një marrëveshjeje koalicioni që bëhet në bazë të një programi, i cili bëhet në bazë të rreshtimit të koalicionit dhe në bazë të përafrimit të një sistemi vlerash nga disa partnerë të koalicionit, por në atë pjesë nuk përjashtohet asnjë opsion”, tha Kovaçevski.

    Lajmi Paraprak

    Ndryshimet në kodin Penal “njollosin” sistemin gjyqësor

    Lajmi i rradhës

    STEREOTIPET GJINORE | Gruaja në kuzhinë, burri komandon!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë