STEREOTIPET GJINORE | Gruaja në kuzhinë, burri komandon!

    Maqedonia e Veriut vazhdon të rrisë “skllevër” të stereotipeve gjinore pasi që në familje fëmija mësohet se vajza dhe djali nuk janë të njëjtë. Këtë e ka treguar edhe hulumtimi i fundit i Këshillit Rinor Kombëtar në Maqedoni në bashkëpunim me rrjetin “Stella”. Sipas këtij hulumtimi, 59.3% e të rinjve besojnë se gratë dhe burrat nuk trajtohen njëjtë në Maqedoninë e Veriut, duke filluar nga pamja fizike dhe rolet gjinore të imponuara nga stereotipet. Përqindje më e lartë e atyre që besojnë se nuk ka profesione “mashkullore apo femërore” është e adoleshentëve nga 15 deri në 19 vjeç (51%), e që në fakt janë më pak të përfshirët në tregun e punës. 28.4% e të anketuarave dhe 24% të anketuarve besojnë se djemtë dhe vajzat kanë mundësi të njëjtë arsimimi, ndërsa nga numri i përgjithshëm i të anketuarve, 17.6% nuk janë inkurajuar nga familjarët që të vazhdojnë shkollimin dhe të përfundojnë një nivel më të lartë arsimimi.

    Sondazhi tregon gjithashtu se 22.9% e gjinisë femërore besojnë se gratë shtatzëna nuk mund të kryejnë detyra të caktuara të punës për shkak të gjendjes së tyre emocionale, krahasuar me 26.5% të burrave që mendojnë kështu, kurse 1/5 e të anketuarve mendojnë se gratë të cilat janë nëna janë më pak të përkushtuara në profesionin e tyre. Mashkulli si shef preferohet më së shumti nga të rinjtë të cilët besojnë se roli i gruas është të jetë në kuzhinë. “14.8% e të rinjve të anketuar do ta zgjidhnin mashkullin si menaxher, ndërsa vetëm 9.9% do ta zgjidhnin një menaxhere femër. 15,6% e të rinjve të anketuar do të zgjidhnin një menaxhere femër dhe vetëm 5% do ta donin mashkullin për menaxher”, tha Ljupka Trajanovska.

    Besimet lidhur me stereotipet tek të rinjtë më së shpeshti janë në lidhje me aktivitetin politik dhe pjesëmarrjen e grave në vendimmarrje. “Stereotipet gjinore dhe paragjykimet ndonëse me një ndryshim të vogël pozitiv tek gjeneratat e reja, vazhdojnë që ende të mbeten shumë të pranishme në Maqedoninë e Veriut”, shprehet për gazetën KOHA Fisnik Xhelili nga Qendra për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja”, e që sipas tij, kjo vjen si rezultat i patriarkatit dhe i një tradite të gjatë ku më të prekura janë vajzat dhe gratë.

    “Të njëjtat nuk janë aspak të shëndetshme për shoqërinë pasi japin rezultat negativ, si në aspektin shoqëror, ashtu edhe në atë psikik. Ajo se si ne mund të kontribuojmë për të reduktuar paragjykimet dhe stereotipet gjinore, është edukimi i fëmijëve që në moshë të hershme mbi këto dukuri negative”, u shpreh Xhelili duke shtuar se vetëm kështu mund të krijojmë gjenerata të shëndetshme dhe ambient më të mirë për të gjithë, ku askush nuk do ndjehet i lënë anash.

    Kurse, për sociologun Skender Iseni, barazia gjinore nuk mund të krijohet duke e favorizuar njërën palë që në këtë rast është gjinia femërore, përkundrazi, barazia gjinore bëhet vetëm nëse të gjithë konkurrojnë njëjtë dhe ju jepet përparësi atyre që kanë më shumë sukses.

    “Ditëve të sodit aq shumë është duke u keqpërdorur koncepti mbi barazinë gjinore sa që duke dashur gjoja të favorizojnë gjininë femërore kanë krijuar kuota me lista të ndryshme dhe e kanë vendosur si kriter të domosdoshëm plotësimin e tyre”, tha Iseni.

    Idenë se janë lider të krijuar nga natyra e besojnë 29% e të rinjve, ndërsa 72.20% e të anketuarave kundrejt 58.50% e të anketuarve nuk janë dakord me këtë dhe nuk besojnë në këtë stereotip gjinor. Gjithsej 71% e gjinisë femërore dhe 63.4% e gjinisë mashkullore besojnë se gratë dhe burrat duhet të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në vendimmarrje në Maqedoninë e Veriut. 48.9% apo më pak se gjysma e të anketuarve mendojnë se numri i femrave dhe meshkujve në pozita drejtuese duhet të jetë i barabartë, ndërsa kështu mendojnë 60.9% e të anketuarave.

    Shqetësues është fakti që 32.7% e meshkujve dhe 28.60% e femrave mendojnë se gratë janë të destinuara të kujdesen për fëmijët dhe familjen. Çdo i katërti i anketuar mendon se gruaja ka për detyrë të kujdeset për higjienën në shtëpi dhe të përgatisë ushqimin, ndërsa çdo i pesti beson se burri është përgjegjës për pagesat e faturave. Sociologu Iseni gjendjen e gruas në familje nuk e sheh edhe aq të keqe, pasi siç thotë ai, nëse shikojmë nga një kënd tjetër në jetën familjare, përqindja më e madhe e gjinisë femërore janë pjesëmarrëse në vendimmarrje, e në raste të rëndësishme më vendimtare është fjala e tyre sesa e partnerit. Hulumtimi u realizua me gjithsej 1200 të anketuar të rinj të moshës nga 15 deri në 29 vjeç, prej tyre 634 femra dhe 566 meshkuj.

    Lajmi Paraprak

    GARA PRESIDENCIALE PO NXEHET | Partitë kursejnë emrat!

    Lajmi i rradhës

    RRYMË NË VEND TË USHQIMIT! Centrale diellore në tokë bujqësore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë