“Sot ose nesër do të formohet një grup punues, ndoshta fillimisht do të flasim edhe një herë në nivel të kryetarëve të partive, e pastaj në nivel të sekretarëve të përgjithshëm apo nënkryetarëve”, tha njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Afrim Gashi në një intervistë për “360 gradë”.
Gashi theksoi se negociatave fillestare, pritshmëria është që vendi të ketë qeveri të re deri në mesin e qershorit, sepse përkushtimi për formimin më të shpejtë të qeverisë i takon edhe “VLEN-it” dhe VMRO-DPMNE-së.
“Mendoj që nga mesi i qershorit do të ketë një qeveri, vlerësoj kështu pas bisedës së parë që bëmë. Nëse gjërat shkojnë kështu, mendoj se do të jetë shpejt”, ka thënë Gashi.
Sa i përket preferencave për resoret, edhe pse në takimin e parë nuk është diskutuar për këtë temë, Gashi thotë se angazhimi i tyre është që të kenë përfaqësues në pozita që kanë të bëjnë me pesë shtyllat për të cilat kanë qëndruar në fushatën zgjedhore, si integrimi në BE, lufta kundër korrupsionit, zhvillimi ekonomik, decentralizimi dhe arsimi./Nistori/