Gazetarët e Tetovës takohen me MPB, flasin për mënyrat se si të përmirësohet siguria e gazetarëve në terren

    Sfidat në raportimin dhe dokumentimin e ngjarjeve nga sfera publike në rajonin e Pollogut dhe përmirësimi i komunikimit të gazetarëve me përfaqësuesit e MPB-së, në veçanti me zyrtarët e rinj, ishin temat e takimit të djeshëm i cili u zhvillua në SPB Tetovë, përcjell Nistori.

    Gazetarë nga rajoni i Tetovës dhe përfaqësuesit e MPB-së diskutuan hapur për mënyrat se si të përmirësohet puna e gazetarëve dhe se si ata në mënyrë më të sigurt të mund t’i kryejnë detyrat e tyre në terren, pa u penguar gjatë procesit.

    Bashkëpunimi ndërmjet përfaqësuesve të mediave dhe policisë është i domosdoshëm sidomos kur bëhet fjalë për ngjarje specifike siç janë protestat dhe tubimet publike, vizitat zyrtare dhe protokollare në qytetin e Tetovës, por edhe në rastet kur ka pasur shkelje të ndryshme ligjore apo aksidente në hapësirë publike. Në këtë takim pune të pranishmit biseduan për nevojën e respektit të ndërsjellë mes policisë dhe mediave me qëllim të thellimit të mirëkuptimit të ndërsjellë por edhe për të përforcuar sigurinë e gazetarëve dhe kameramanëve.

    U konstatua se në të ardhmen duhet më shumë punë dhe trajnime, në veçanti me gjeneratat e reja të zyrtarëve të MPB-së të cilët kanë më pak përvojë në punën e tyre. Në këtë mënyrë në të ardhmen do të parandalohen keqkuptimet por edhe do të përmirësohej respekti i ndërsjellë dhe komunikimi profesional dhe i përgjegjshëm mes policisë dhe mediave, e cila gjithashtu kontribuon në ndërtimin e bashkëpunimit më të fortë mes komunitetit dhe policisë.

    Përfaqësues nga SHGM në takim ishin koordinatori i qendrës rajonale në Tetovë, gazetari Urim Hasipi, gazetari Zoran Dimovski, koordinatori i seksionit të kameramanëve nga rajoni i Pollogut, Vedut Osmani, ndërsa nga MPB morën pjesë ndihmës ministri për marrëdhënie me publikun Toni Angelovski si dhe Marjan Josifoski, Amir Dalipi dhe Fatmir Rexhepi nga SPB Tetovë.

    Takimi është vazhdim dhe përmirësim i bashkëpunimit të mirë mes përfaqësuesve të ShGM-së dhe MPB-së dhe vazhdë e takimeve të zhvilluara gjatë vitit të kaluar në Shkup, si rezultat i memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar më parë. Në periudhën e ardhshme janë paraparë takime të ngjashme edhe në qendrat tjera rajonale të ShGM-së në Ohër, Manastir, Kumanovë, Shtip dhe Strumicë.

    Lajmi Paraprak

    Diskalkulia | Çfarë është çrregullimi specifik i matematikës?

    Lajmi i rradhës

    Partitë në Vizbeg vijnë e shkojnë, por rrugët me baltë kurrsesi të rregullohen

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë