Gërvalla shpall “non grata” zyrtarin rus të UNMIK-ut

    Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla e ka shpallur non grata (të padëshiruar) një zyrtar rus të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

    Sipas njoftimit të ministres, vendimin e ka marrë me kërkesë të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

    “[Vendimi është marrë] për shkak të veprimtarisë së tij të dëmshme, e cila ka cenuar sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës. Njëkohësisht kam njoftuar institucionet ligjzbatuese dhe autoritetet përkatëse për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në njoftimin e ministres.

    Ajo ka shtuar se “Institucionet e Republikës së Kosovës mbeten të vendosura në betejën kundër ndikimit malinj të Federatës Ruse dhe përfaqësuesve e satelitëve të saj në rajon”.

    “Republika e Kosovës do të vazhdojë të bashkëpunojë edhe më ngushtë me aleatët e saj ndërkombëtarë, e sidomos me ata amerikanë, evropianë dhe me NATO-n, për të penguar çdo përpjekje destabilizuese të Federatës Ruse në rajonin tone”, thuhet në njoftim.

    Ministrja nuk ka dhënë detaje të tjera në lidhje me zyrtarin e shpallur non grata.

    Rikujtojmë se më 22 tetor të këtij viti Kosova ka urdhëruar dëbimin e dy diplomatëve rusë, duke akuzuar Moskën për aktivitete “destabilizuese”.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kishte njoftuar se diplomatët janë urdhëruar të largohen nga vendi. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Ministria e Shëndetësisë publikoi analizën e të vaksinuarve, nga rastet pozitive me Covid-19

    Lajmi i rradhës

    Tesla tërheq nga tregu gjysmë milion vetura elektrike për shkaqe sigurie

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë