Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka ngritur aktakuzë kundër gjashtë personave për falsifikim, keqpërdorim të të dhënave personale dhe mashtrim kompjuterik, pasi dyshohet se kanë keqpërdorur të dhëna personale për të marrë kredi të shpejta nga kompani financiare në vlerë prej mbi 30.000 eurosh. Ndërkohë, në gjykatën kompetente është paraqitur edhe një propozim për lëshimin e urdhrit penal kundër gjithsej 33 personave për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”, përcjell Nistori.
Katër nga të pandehurit, përmes veprimeve të kryera në periudhën nga shkurti i vitit 2023 deri në qershor të vitit 2024, kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme një përfitim pasuror në vlerë prej 2.509.808 denarësh. Të pandehurit e tjerë, përmes veprimeve të veçanta gjatë viteve 2022 dhe 2023, kanë përfituar në mënyrë të paligjshme edhe 659.500 denarë.
“Të pandehurit, me dashje, kanë kryer një sërë veprimesh të lidhura në kohë, të cilat përbëjnë kryerje të përsëritur të së njëjtës vepër penale. Ata kanë vepruar në bazë të një marrëdhënieje të krijuar mes tyre me qëllim kryerjen e veprës penale, duke shfrytëzuar të njëjtat mundësi për përdorimin e një aplikacioni elektronik dhe rrethana të tjera të ngjashme, si papunësia e personave që kanë dhënë kontribut në kryerjen e veprës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas Prokurorisë, të pandehurit kanë futur të dhëna të rreme në sistemet informatike të disa kompanive financiare, ndonëse e dinin se ato nuk ishin të vërteta dhe se ishin siguruar përmes kryerjes së veprave të tjera penale. Si pasojë, në sistemin elektronik të Agjencisë së Punësimit të Republikës së Maqedonisë janë gjeneruar të dhëna të rreme gjatë përpunimit dhe transmetimit elektronik.
Në këtë skemë, sipas Prokurorisë, i ka ndihmuar edhe një zyrtar i punësuar në Fondin për Sigurim Shëndetësor të Republikës së Maqedonisë, i cili u ka vënë në dispozicion një numër EZBO, të siguruar më herët përmes qasjes në sistemin elektronik të institucionit nga kompjuteri i tij i punës.
Më pas, të pandehurit kanë përdorur dokumente të falsifikuara dhe kanë keqpërdorur të dhënat personale të personave të dëmtuar, duke aplikuar për kredi të shpejta në emër të tyre pranë kompanive financiare dhe duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme mjetet financiare, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. /Nistori/






