36 vjet pas ribashkimit, një hendek i vjetër shfaqet me pamje të re politike. Pas rezultateve të votimit qëndrojnë dallime që shkojnë përtej politikës, shkruan Auron Dodi.
Pse pikërisht Lindja?
Në Lindje të Gjermanisë, AfD-ja, pjesë të së cilës janë klasifikuar si ekstremiste të djathta, arrin rezultate rreth dy herë më të larta se në Perëndim. Për këtë jepen disa shpjegime, që lidhen me faktorë objektivë dhe subjektivë. Komisionerja e posaçme për Lindjen e qeverisë gjermane, Elisabeth Kaiser, në bisedë me DW e sheh shkakun e parë në dobësinë strukturore të landeve lindore: njerëzit atje kanë të ardhura më të ulëta, kanë më pak pasuri dhe popullsia është më e plakur. Infrastruktura ka gjithashtu probleme.
Këto ndikojnë në debatin shoqëror atje dhe në perspektivën e njerëzve. Këta faktorë krijojnë te njerëzit përshtypjen se nuk i dëgjon njeri, se i kanë lënë pas dore. Dhe në fund, sipas Komisioneres, kjo i bën njerëzit receptivë për mendime autoritare.
Së dyti, në Lindje janë më pak të konsoliduara disa prej strukturave ndërmjetësuese mes qytetarit dhe politikës, si shoqatat, kishat dhe organizatat e tjera. Kështu që një qytetar i pakënaqur ndodhet atje ballë për ballë me politikën.
Së treti, AfD-ja përdor edhe simbole që lidhen me nostalgjinë lindore. P.sh. kandidati kryesor i AfD-së në Saksoni-Anhalt, Ulrich Siegmund, përdori në fushatë një motoçikletë Simson, një markë me status kult në RDGJ (objekt që vazhdoi të prodhohej në Gjermaninë lindore deri në vitet 2000).
Ribashkim, por jo kujtime të përbashkëta
Një historian i rritur në Gjermaninë lindore, Patrice G. Poutrus kujtoi këto ditë në shtypin evropian se ribashkimin Gjermanisë Lindore nuk ia imponoi askush nga jashtë. Ky argument bie ndesh me tezën e „kolonizimit” të Gjermanisë Lindore. Për aderimin në RFGJ vendosën vetë gjermanolindorët, shumica e tyre. Në zgjedhjet për parlamentin e RDGJ, shkruan më tej Poutrus, ishte një shumicë e madhe që votoi për partitë që qeverisnin në Bonn, kryeqytetin e atëhershëm të Gjermanisë Perëndimore. Në vitet 1990, kjo shumicë i zgjodhi sërish këto parti, si në nivel federal, ashtu edhe në landet lindore.
Nuk mund të mohohet se lindja u përball në atë kohë me një presion të madh për të ndryshuar, presion thuajse inekzistent në Gjermaninë Perëndimore. Edhe privatizimi i vrullshëm i ekonomisë gjermanolindore la të pakënaqur. Logjika radikale e tregut, që u aplikua, „solli pak fitues dhe shumë humbës”, si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim të Gjermanisë.
Çfarë i bashkon gjermanolindorët?
Fakt i pamohueshëm janë përvojat e përbashkëta të njerëzve në landet lindore. Komisionerja e qeverisë gjermane për Lindjen, Elisabeth Kaiser, përmendi në këtë kuadër kolapsin ekonomik të RDGJ dhe humbjen e profesioneve. Po edhe faktin që në sistemin e ri papritur u zhvlerësuan kontributi dhe aftësitë e gjermanolindorëve.
Ndërsa historiani nga Gjermania lindore Poutrus shkruan se narrativa, sipas së cilës të gjithë gjermanolindorët janë viktima të Perëndimit, i fsheh dallimet dhe konfliktet brenda Lindjes, e forcon diskursin e viktimizimit dhe ushqen retorikën e ekstremit të djathtë. Ai lë të kuptohet se jo të gjithë dolën humbës pas RDGJ-së dhe se, për këtë arsye, nuk mund të përfshihen të gjithë sot në një narrativë të përbashkët të viktimizimit. Në vitin 1989 një pjesë prisnin komunizëm të reformuar ose një mrekulli ekonomike. Por disa prisnin p.sh. edhe ripërtëritje ekologjike, apo zgjim të lëvizjes feministe.
95 me 5: hendeku i pasurisë
Gazeta ekonomike „Handelsblatt” raportoi këtë javë se në vitin 2025, 95 për qind e vlerës së trashëgimive dhe dhurimeve të regjistruara për qëllime tatimore në Gjermani i takonte landeve Perëndimore. Konkretisht për çdo banor në Perëndim llogariten mbi 2100 euro, për çdo banor në Lindje më pak se 500 euro.
Pra, dallimi mbetet i madh: në Lindje, përfshirë Berlinin, jeton rreth një e pesta e popullsisë së Gjermanisë, por vetëm rreth pesë për qind e vlerës së trashëgimive dhe dhurimeve të regjistruara për qëllime tatimore i takoi kësaj pjese të vendit.
Një shpjegim është se në RDGJ njerëzit mezi kursenin para dhe vetëm rrallë mund të blinin shtëpi apo banesa. Edhe pas vitit 1990 pagat mbetën më të ulëta. Komisionerja Kaiser i tha DW se pa pasuri dhe pa lidhje, shumë njerëz nuk besojnë më se njeriu mund të avancojë në shoqëri me punën e vet. Ajo propozoi, me rastin e raportit të saj vjetor 2026, që nga të ardhurat shtesë nga tatimi më i lartë mbi trashëgimitë e mëdha, të mos përfitojnë vetëm landet me të ardhura të larta nga ky tatim, por të parashikohet një mekanizëm financiar kompensimi mes landeve.
Hendeku që miliardat nuk e mbyllën
Llogaritet se që pas ribashkimit deri në afërsisht më 2014, në Lindje janë transferuar nga Perëndimi 1500 -2000 miliardë euro. Pjesa dërrmuese e kësaj shume u përdor për të kompensuar dallimet në pensionet, në sigurimet shëndetësore dhe për të papunët e shërbimet sociale. Për rindërtimin, përmirësimin e infrastrukturës dhe nxitjen e ekonomisë në landet lindore u dhanë rreth 200-300 miliardë euro.
Paralelisht në Lindje të Gjermanisë janë bërë investime të mëdha për të ardhmen: janë ndërtuar fabrika për gjysmëpërçuesit, për fotonikën, për teknologjinë mjekësore dhe është investuar në universitete të forta.
E thënë ndryshe: në tërësi, standardi mesatar i jetesës në Gjermaninë Lindore mbetet më i ulët se në Perëndim të Gjermanisë. Por edhe në këtë situatë ai është mbi nivelin, ose i barabartë me nivelin e Çekisë, Polonisë dhe Sllovakisë. Kjo sipas të dhënave makroekonomike të Eurostat-it mbi fuqinë ekonomike dhe fuqinë blerëse.
Beteja për besimin
Një nga përgjigjet që japin studiuesit dhe politikanët është: më shumë empati, theksim më i qartë i zhvillimeve pozitive dhe komunikim më i mirë. Edhe kundërshtarët e AfD-së pranojnë se partia di të përdorë me efekt komunikimin emocional dhe rrjetet sociale. Njëri nga njohësit e mirë të Gjermanisë, historiani britanik Timothy Garton Ash, shkroi së fundi në shtypin evropian se suksesi i AfD-së, i Trumpit dhe i Farage-it mbështetet te komunikimi emocional. Formula është kjo: “po të dëgjoj, e mbështes indinjatën tënde, unë jam njëri nga ju. Bashkë mund të nisemi drejt një të kaluare imagjinare”. Garton Ash propozon dy mjete: prani të vazhdueshme në rrjetet sociale dhe prani fizike në terren. Si shembull ai përmend Péter Magyar-in në Hungari dhe, deri diku, Andy Burnham-in, në Britaninë e Madhe. DW




