Gjermani, rritje befasuese e prodhimit

    Industria gjermane e rriti prodhimin në shtator më shumë se sa pritej, pavarësisht nga çmimet e larta të energjisë. Ekonomistët megjithatë presin edhe më tej një recesion.

    Sipërmarrjet gjermane, të mbërthyera nga inflacioni, kriza energjetike, lufta në Ukrainë dhe mungesa e materialeve, arritën megjithatë ta rrisin prodhimin e tyre në shtator. Industria, ndërtimi dhe furnizuesit e energjisë së bashku prodhuan 0.6 për qind më shumë se në muajin e kaluar, njoftoi sot (07.12.) Zyra Federale e Statistikave. Ekonomistët e anketuar nga Reuters kishin pritur një rritje prej vetëm 0.2 përqind.

    Lajmet negative shtohen

    Në gusht, prodhimi ra më tej me 1.2 për qind (shifër e rishikuar). Kjo shifër ishte madje 2.6 për qind më e lartë se në shtator 2021. E megjithatë rënia e fundit e porosive që vijnë si dhe indeksi i klimës së biznesit ifo, e cili ka rënë prej muajsh, vazhdojnë të flasin për një recesion në semestrin e dimrit, siç shpjegohet nga kryeekonomisti i Commerzbank-ës, Jörg Krämer. “Megjithatë, ky (recesion) nuk duhet të jetë aq i thellë sa gjatë krizës së koronas, për sa kohë sa

    depozitat e gazit të mbushura mirë dhe furnizimet e larta të gazit e përjashtojnë racionimin e gazit.”

    Këtë e tregon edhe një sondazh i institutit ifo në Mynih. Sipas këtij sondazhi, sipërmarrjet aktualisht shqetësohen shumë më pak për ekzistencën e tyre sesa gjatë fazës së rritjes së koronas. Sipas të dhënave të publikuara në fund të tetorit,ekzistencën e tyre të kërcënuar e shohin 7.5% e sipërmarrjeve. Në qershor 2020, ato ishin 21.8%. “Përballë ngadalësimit të ndjeshëm ekonomik, sipërmarrjet po tregohen shumë të fuqishme”, ky ishte përfundimi i ekspertit të ifo-s Klaus Wohlrabe.

    Porti i Duisburgut

    Kohët e fundit, megjithatë, lajmet negative nga ekonomia janë shtuar, me ekonominë që ka të ngjarë të rrezikohet nga një recesion teknik sipas shefit të Bundesbank-ës Joachim Nagel. Kjo do të thotë tkurrje për dy tremujorë radhazi në produktin e brendshëm bruto. Porositë e reja ranë me 4.0 për qind në shtator. Çmimet e larta të energjisë dhe ngadalësimi i ekonomisë globale po ndikojnë gjithashtu tek eksportuesit: eksportet u tkurrën me 0.5 për qind në shtator.

    Sektorët me nevojë të madhe energjetike ende nën presion

    Kostot e larta vazhdojnë të ndihen veçanërisht në sektorët me kërkesa të larta për energji. Prodhimi atje përsëri ra me 0.9 për qind. Ndër këto degë, zyra e statistikave numëron në radhë të parë produktet kimike dhe prodhimin e përpunimin e metaleve. Industria e përpunimit të naftës, prodhimi i qelqit dhe qeramikës, si dhe prodhimi i letrës dhe kartonit gjithashtu kërkojnë shumë energji.

    “Rënia masive në industritë me kërkesa të mëdha për energji do të vazhdojë të ushqejë debatin rreth kërcënimit të çindustrializimit,” tha ekonomisti i LBBW, Jens-Oliver Niklasch. Nga ana tjetër, është një “shenjë e mirë që industria në tërësi po tregohet relativisht e qëndrueshme, edhe në kushte kaq të vështira”.

    Prodhimi i pastër industrial – domethënë industria përpunuese pa përfshirë energjinë dhe ndërtimin – u rrit 0.7 për qind. Në plan vjetor, prodhimi industrial ishte 4.2 për qind më i lartë se një vit më parë. Industritë me kërkesa të mëdha për energji prodhuan 9.7 për qind më pak. /DW/

    Lajmi Paraprak

    A është uji me gaz i dëmshëm apo i shëndetshëm për sistemin tretës?

    Lajmi i rradhës

    Orhan Pamuk: Dashuria dhe politika në kohën e murtajës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë