Gjermania bëhet gati të “zbrazë” Ballkanin Perëndimor

    Me miratimin e projektligjit të migrimit të fuqisë punëtore të mërkurën qeveria gjermane është bërë gati të “shterojë” fuqinë punëtore të Ballkanit Perëndimor. Risitë janë dyfishimi i kuotës së punëtorëve të pakualifikuar nga Ballkani Perëndimor, që nga 25 mijë do të lejohet të arrijë në 50 mijë vetë në vit. Që nënkupton se trajektorja e punëtorëve që largohen nga Maqedonia e Veriut për në Gjermani do të vijojë të jetë në ngritje. Shifrat e deritanishme të migrimit, ani pse të frenuara nga kushtet për përfitimin e lejes së punës, kuotat më të vogla të pranimit, janë bërë shqetësuese duke sjellë mungesa serioze të profileve të punonjësve, sidomos në sektorë si shëndetësia, mjekësia, inxhinieri kompjuterike, ndërtimtari e të tjera. Sipas të dhënave zyrtare të BE gjatë muajve shtator 2021- korrik 2022 janë evidentuar rreth katër mijë aplikime në kategorinë – “për herë të parë”, që do të thotë se rreth katër qind persona të largohen çdo muaj nga vendi . Por risia kryesore e këtij projektligji, që i bën krenarë dy ministrat socialdemokratë, është sistemi i pikëve, ose Karta e Shanseve (Chancenkarte). E ngjashme me sistemin kanadez të migrimit, Karta e Shanseve jep mundësi migrimi në Gjermani edhe në bazë të një sistemi pikësh bazuar në katër kritere: njohja e gjuhës, përvoja profesionale, mosha dhe lidhja me Gjermaninë.

    Sipas draftit, mjaftojnë gjashtë pikë për të marrë një vizë njëvjeçare dhe për të kërkuar punë në Gjermani. Rregullorja e Ballkanit Perëndimor ekziston që nga viti 2015 dhe u mundëson shtetasve të gjashtë vendeve të BP (Maqedoni e Veriut, Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Mali i Zi dhe Serbi) qasje në tregun gjerman të punës, pavarësisht nga kualifikimi që kanë. Ku si parakusht për të marrë vizën e punës është një kontratë pune e rregullt në Gjermani. Nuk nevojiten as njohuri të veçanta të gjuhës gjermane. Rregullorja e Ballkanit Perëndimor është në fuqi deri në fund të vitit 2023, por në draftin e ri të ligjit të migracionit është parashikuar që ajo të bëhet pa afat. Gjermania është shteti që qëndron në krye të listës së vendeve me numrin më të madh të azilkërkuesve, sipas statistikave evropiane. Drejt vendeve të BE vetëm vitin e kaluar rreth 6.500 persona aplikuan për azil (3.000 prej këtyre ishin kërkesa të përsëritura). Ndërsa sipas të dhënave të Agjencisë evropiane të migrimit (EUAA) Maqedonia e Veriut renditet e dyta nga vendet e rajonit (pas Shqipërisë) me 757 aplikime vetëm gjatë muajit janar të këtij viti.  “Rritja e inflacionit, ‘kthimi prapa i demokracisë’ dhe për disa faktorë të tjerë që besohet se kanë çuar në rritjen e numrit të aplikimeve”, u shprehën nga agjencia e BE-së.

    DY MILIONË VENDE PUNË BOSH

    Projektligji i ri është pjesë e një strategjie të re të qeverisë për të përballuar mungesën e fuqisë punëtore, e cila tani po shqyrtohet nga komisionet përkatëse në Bundestag. Ai parashikon përveç shfrytëzimit te potencialit të fuqisë punëtore brenda vendit, duke rritur ofertat e trajnimeve profesionale për të rinjtë që lënë shkollën, përmirësuar kushtet e punës për nënat me fëmijë, apo duke rritur shanset për punësimin e refugjatëve apo azilkërkuesve të refuzuar. Në një studim i Dhomave të Tregtisë dhe të Industrisë që u prezantua në mes të janarit në Berlin, deklarohet se Gjermania ka 2 milionë vende pune të pazëna. Nga kjo mungesë punëtorësh ekonomia më e madhe e Evropës ka 100 miliardë euro më pak të ardhura kombëtare në vit. Sipas projektligjit të ri të migracionit, përllogaritet që në bazë të këtyre ndryshimeve në Gjermani të vijnë mesatarisht deri në 75.000 vetë si fuqi punëtore e kualifikuar në vit. Këtyre u shtohet edhe kontingjenti i Ballkanit Perëndimor, me 50 mijë punëtorë në vit. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    LSDM, e pakënaqur me kërkesën e ASh-së dhe Besës

    Lajmi i rradhës

    Institucionet si “trashëgimi” familjare!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë