Autoritetet lokale në Tetovë vazhdojnë të kenë probleme me mbeturinat inerte që hidhen gjithandej. Kohëve të fundit janë evidentuar shumë raste të këtilla në vende publike, ku qytetarët hedhin mbetje të ndryshme inerte edhe atë jo në kontejner por rreth tyre. Kjo ka bërë të del në terren inspektorati komunal dhe të shqiptojë gjoba ndaj atyre që mbetjet e forta i hedhin vend e pa vend. Inspektorati komunal i Komunës së Tetovës, deri më ka evidentuar disa raste ku persona të papërgjegjshëm kanë hedhur mbeturina inerte dhe ndaj tyre do të shqiptohen dënime konform Ligjit. Të gjitha këto raste janë të filmuara dhe të dokumentuara.
“Inspektorati i komunës së Tetovës ditëve të fundit ka shtuar kontrollet në terren sidomos në disa lokacione ku qytetarët e papërgjegjshëm hedhin mbeturinat inerte në vende publike dhe afër kontejnerëve. Madje ka raste kur mbeturinat inerte i sjellin edhe nga fshatrat tjerë dhe për këtë inspektorati ka ndërmarrë masa konkrete. Hedhja e mbeturinave inerte afër kontejnerëve jo vetëm që e ndot ambientin, por edhe e pengon punën e kompanisë e cila nuk mund të bartë as mbeturinat normale”, deklaroi Armend Saliu, udhëheqës i Inspektoratit komunal në komunën e Tetovës.
Nga ana tjetër, komuna e Tetovës vazhdimisht ka bë thirrje që qytetarët që kanë mbetje inerte në shtëpitë e tyre të lajmërohen në 044-331-167 për të kërkuar shërbim nga ndërmarrja komunale duke kërkuar nga qytetarët që bashkërisht të kujdesen për qytetin dhe pastërtinë.
“Komuna e Tetovës, apel që qytetarët mbetjet inerte të mos i hedhin në vende të papërshtatshme si trotuare, afër kontejnerëve të mbeturinave, në rrugica dhe në hapësira publike, por të lajmërohen në Ndërmarrja Komunale Publike po ashtu kërkojmë nga qytetarët që të denoncojnë personat që hedhin mbeturina vend e pa vend. Të gjithë së bashku për një qytet më të pastër dhe më të shëndetshëm”, thonë nga komuna e Tetovës.
Problemi me mbeturinat inerte në Tetovë ndër vite vijon të mos zgjidhet dhe të shkaktojë shumë telashe edhe për ndërmarrjen publike e cila merret me pastërtinë publike.
Shumë qytetarë, gjatë pastrimit të shtëpive të tyre sidomos me orenditë shtëpiake, riparimet e ndryshme, renovimet e kështu me radhë, mbetjet i hedhin tek mbeturinat e amvisërive ose jashtë kontejnerëve. Kjo i jep një imazh të keq vet qytetit, ndërsa në këtë aspekt, mangët nuk ka mbetur as pjesa qendrore e qytetit të Tetovës, ndërsa më e theksuar kjo problematikë është hasur në vendet periferike ose vendbanimet rurale. shumë qytetarë por edhe kompani gjatë rrënimit apo rikonsturimit të objekteve të tyre, mbetjet e forta i hedhin në hapësira publike, në mungesë të një deponie enkas për këtë qëllim. /Koha/