Gjykata Kushtetuese ende nuk e ka caktuar datën e mbajtjes së seancës përgatitore për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, e cila u desh të mbahej më 20 mars, por u anulua për shkak të tragjedisë së Koçanit. Gjykata po shqyrton një datë të pranueshme që krahas ekspertëve të brendshëm, të marrin pjesë edhe ekspertë ndërkombëtarë përfshirë dhe të Komisionit të Venecias për t’i përballur argumentet për dhe kundër. Në seancë duhet të trajtohet vetëm aspekti përmbajtjesor i ligjit, përfshi harmonizimin me amendamentin 5 dhe një sërë amendamentesh të tjera pasuese, zbatimi i ligjit në librat amë, dokumentet personale e pasaporta, si dhe ekzistenca e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, dhe dyshimet për mospërfshirjen e komuniteteve të tjera, përveç shqiptarëve, në fushëveprimin e saj.
Profesori universitar Mersim Maksuti, i cili është pjesë e listës së ekspertëve të ftuar thotë se janë të përgatitur për të mbrojtur shqipen me të gjitha argumentet.
“Argumenti kryesor është se në amendamentin 5, përveç formulimeve tjera që ka është edhe një formulim në një paragraf pasues të saj, e cila thotë se gjuhë zyrtare në organet e pushtetit shtetëror, përveç gjuhës maqedonase është edhe gjuha që e qytetarëve të cilët e flasin 20%, por thotë rregulluar me ligj. Dhe ja ligji pra, Kuvendi ka nxjerrë një ligj i cili, që ia ka dhënë lirinë e plotë kushtetutëvënësi pra Kushtetuta që ia ka lënë legjislativit të drejtën të nxjerrë një ligj që do ta rregullojë përdorimin e gjuhës shqipe në organet e pushtetit shtetëror”, tha Mersim Maksuti, profesor universitar.
Maksuti thekson se argumentet janë në anën e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe beson se ekspertët shqiptarë do t’i bindin gjykatësit kushtetues, të mos cenohet asnjë dispozitë e këtij ligji.
Pjesëmarrës në seancën përgatitore pritet të jetë Martin Kujer, nënkryetar i Komisionit të Venecias, por edhe Artur Kuçs, gjykatës i Gjykatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut. Krahas tyre, deklarime të tyre do të kenë edhe ekspertët Margarita Caca-Nikollovska, Renata Deskoska, Borçe Davitkovski, Jeton Shasivari, Gordana Llazhatiq, Mersel Bilalli, Denis Preshova, Abdylmexhit Nuredin, por edhe Azam Korbajram. Nga institucionet, pritet të marrin pjesë edhe krerët e Gjykatës Penale, Ivan Xholev, Gjykatës Administrative Burim Sejdini, dhe Gjykatës Apelit të Manastirit, Zhaklina Doveden. Në listë, janë edhe parashtruesit e iniciativave të ngritura ndaj Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, mes tyre Todor Petrov, Tome Todorovski dhe Tanja Karakamisheva.
Sipas procedurës, pas mbajtjes së seancës përgatitore, gjyqtari referues do të mbledhë të gjitha mendimet e ekspertëve dhe do të shkruajë një referat për lëndën në afat prej 6 muajve. Më pas, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, në afat prej 1 muaji, obligohet të caktojë seancë ku do të merret vendimi përfundimtar, nëse do të hapet apo jo procedurë për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve./Alsat/