Propozim-Ligji i Shtetësisë mbetet i bllokuar. Opozita maqedonase nuk heq dorë nga proceduralet për t’i hap rrugë shqyrtimit të amendamenteve. Deputetët e VMRO-DPMNE-së akuzuan opozitën shqiptare dhe Qeverinë për shkeljen e procedurave gjatë procedimit të ligjit.
Është fenomen i panjohur. Në cilin do parlament të Evropës por edhe në botë, një ligj të futet në procedurë me procedurë të rregullt dhe më pas të transferohet në procedurë të shkurtër, pas marrëveshjes me Qeverinë – deklaroi Gordana Siljanovska, VMRO-DPMNE.
Për opozitën shqiptare, qasja e partive nga blloku politik maqedonas, posaçërisht atyre opozitare është e turpshme. Sipas Skender Rexhepit, propozim-Ligji i Shtetësisë do të miratohet në njërën ose formën tjetër.
Turp është për deputet një pikë aq të rëndësishme për qytetarët ta kalojnë në banalitet. Nuk është në rregull që një profesoreshë mos ta din se propozim-Ligji për shtetësi ka ardhur në procedurë të shkurtër dhe vazhdon i tillë. Është dashur ta dinë. Është profesoreshë dhe deputet – u shpreh Skender Rexhepi, Alternativa.
Pas akuzave dhe kërkesave të opozitës maqedonase për të vazhduar me seancën e rishikimit të buxhetit, Mile Talevski në mungesë të kushteve e mbylli mbledhjen e komisionit
Në mungesë të kushteve për punë, këtu e mbyllë punën e komisionit. Për vazhdimin e saj do të ju njoftoj në kohë – tha Mile Talevski, Kryetar i Komisionit për Mbrojtje dhe Siguri.
E Majta vlerëson se ligji nuk duhet të miratohet pasi i njëjti nuk i plotëson nevojat e personave pa shtetësi.
Ky propozim ligj është tërësisht i panevojshëm sepse për të dytën herë i referohet njerëzve të cilët nuk kanë arritur të marrin shtetësi përmes natyralizimit nga ish Republika Jugosllave. Aleanca dhe Alternativa e shfrytëzojnë për agjendat e tyre nacionaliste dhe shoviniste. Problemi është tek disa qytetarë që nuk kanë shtetësi, por problemi i tyre është institucional dhe jo legjislativ – deklaroi Dimitar Apasiev, “E Majta”.
Vazhdimi i mbledhjes së Komisionit parlamentar të Mbrojtjes dhe Sigurisë u thirr një muaj pas seancës së fundit. Në procedurë ka mbetur shqyrtimi i amendamenteve të opozitës shqiptare dhe pushtetit të bazuara në marrëveshjen e liderëve Ziadin Sela dhe Zoran Zaev. Opozita shqiptare paralajmëron, në rast se nuk procedohet propozimi, i kthehen bllokadave. Qeveria paralajmëron propozim të ri me yllin e BE-së./Alsat/