Zgjedhjet po afrohen e nuk dihet se çfarë fati do ta pres Kosovën pas përfundimit të tyre. Sado që rezultatet e 28 dhjetorit i përcakton votuesi si sovran, prapë mbetet në vullnetin e krerëve të partive politike për të gjetur formula bashkëpunimi duke shmangur dikursin përjashtues.
Në këto pak ditë fushatë, ndryshe nga herët e kaluara, ende nuk është vërejtur një gjuhë e ashpër përplasëse mes partive. Ky ton më i përmbajtur krijon përshtypjen se subjektet politike mund të jenë më të hapura për bashkëpunim dhe kompromise, të cilat do t’i hapnin rrugë formimit të Qeverisë pas Vitit të Ri.
Këttë shpresë e mban edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
“Nga gjuha që përdorin liderët e partive politike, tashmë shoh një qasje më konstruktive nga secili prej tyre. Nuk ka vija të kuqe për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin. Prandaj shpresoj që shumë shpejt të kemi një qeveri”- tha ajo, kur u pyet nga gazetari i Bloomberg më 17.12.2025.
Osmani tha se pasi të mbahen zgjedhjet, presim një proces të shpejtë të certifikimit të rezultateve dhe formimit të parlamentit.
“Tani, me disa procedura tashmë të qarta dhe të sqaruara nga Gjykata Kushtetuese, jam shumë optimiste. Natyrisht, kjo do të jetë në duart e partive politike. Por na duhen institucione që të mund të ecim përpara edhe me projekte të mëdha me Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”- shtoi ajo.
Njohësi i çështjeve politike, Melazim Koci vlerëson se ende është shumë herët të thuhet nëse ka ulje tensionesh ndërmjet subjekteve politike, por ajo që është evidente, sipas tij, është fakti që eliminimi i oratorisë së urrejtjes është bërë imperativ.
“Oratoria e urrejtjes nga të gjitha palët (partitë) ishte një nga shkaqet kryesore të (pa)mundësisë për të krijuar institucionet gjatë 9 muajve të fundit. Besoj që liderët partiakë e kanë kuptuar se me atë logjikë do ta dërgojnë Kosovën në greminë”- tha ai për KALLXO.com.
Kurse, analistja e çështjeve politike, Arta Tahiri- Beqa, thekson se deri më tani po shihet një ndryshim i gjuhës, edhe pse sipas saj nuk është do të thotë diçka e re, “sepse edhe në zgjedhjet në shkurt fillimisht kanë filluar me një gjuhë më të qetë, më të butë, më konkrete, gjë që ka qenë për t’u vlerësuar”.
Gjuha është ashpërsuar gjatë fushatës aktive por më së shumti pas procesit zgjedhor të 9 shkurtit, vlerëson ajo.
“Po besoj dhe shpresoj që kjo gjuhë polarizuese e cila ka përcjellur pothuajse për gjithë këto muaj pas procesit të 9 shkurtit Kosovën, vërtetë të jetë një reflektim nga të gjitha subjektet politike dhe të dalin e të bëjnë deklarata mbi bazat e vizioneve të tyre, mbi bazat e programeve të tyre për secilën fushë jetësore të qytetarëve të Republikës së Kosovës”- shprehet ajo.
Sipas saj, etiketimet personale, polarizuese vërtetë duhet të tejkalohen dhe të ndiqet një qasje tjetër.
“Gjuha ‘Hajvan’ (e thënë nga Kurti) besoj që ka qenë një nga pengesat e para të cilat janë krijuar, sepse Lidhja Demokratike e Kosovës pas rezultateve tha që nuk do jetë bllokuese sistemit dhe do mundohet për bashkëpunim”- tha ajo.
Mirëpo, gjendja ndërroi pas kësaj fjale të thënë nga Kurti, që sipas saj, krijoi një hendek- gjë që e pranuan edhe ata vetë.
Tahiri-Beqa tha se kohëve të fundit akterët politikë të Lëvizjes Vendosje pranuan që ka qenë pak a shumë një gjuhë jo fort e favorshme për koalicion mirëbesimi dhe bashkëpunimi.
Ajo uron që edhe opozita të jetë më e matur dhe të jep hapësirë për koalicione.
A ka a s’ka vija të kuqe?
Fjala “hajvana” që kishte përdorur kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, kundrejtë opozitës më 9 shkurt, pasiqë rezultatet e zgjedhjeve e kishin nxjerrur fitues, ishte një nga arsyetimet e ish-bllokut opozitar se pse nuk bashkëpunojnë me të.
Nga partitë u vunë vija të kuqe, që tash vlerësohet se kanë rënë.
Melazim Koci vlerëson se është fakt që janë hequr “vijat e kuqe”, por kjo jo domosdoshmërisht nënkupton koalicion të madh.
“Pa një koalicion të madh, Kosova do të mbetet e bllokuar, sepse tash nuk duhen më 61 vota, por 80 vota (zgjedhja e presidentes/presidentit)”- tha ai.
Koci tha se kësaj radhe pret tone më të buta dhe rrjedhimisht mundësi më të mëdha të krijimit të institucioneve në dy muajt e parë të vitit 2026. Në të kundërtën, sipas tij, Kosova do të ballafaqohet me kolaps financiar dhe institucional.
“Nëse institucionet nuk krijohen deri më 1 mars, Kosova do të mbetet me Gjykatë Kushtetuese të paralizuar (mungesë kuorumi), me presidente dhe kryeministër pa kompetenca të plota. Ky do të ishte kolaps ekonomik dhe politik”- shtoi ai.
Koci shprehet që subjektet politike ta kuptojnë se pa një marrëveshje të madhe politike, Kosova rrezikon bllokadë dhe zgjedhje të tjera në prill, që do të ishin komprometuese për Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe shkatërruese për klasën politike dhe kredibilitetin e saj në planin e brendshëm.
Edhe Arta Tahiri- Beqa thekson se vija të kuqe nuk po sheh nga asnjë subjekt politik.
Sipas saj, edhe nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri është deklaruar se nuk sheh vija të kuqe.
“Përkundrazi ai tha që duhet të jemi më pragmatik. Kjo ishte një mesazh për të kuptuar që edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, pavarësisht qëndrimet e tyre të cilat janë legjitime – të qëndrojnë në opozitë ose të mos bëjnë koalicion – e ka kuptuar që roli i saj është për të zhbllokuar institucionet dhe jo për t’i bllokuar ato”- shtoi ajo.
Tahiri-Beqa tha se vija të kuqe nuk ka askush me askënd, vetëm se duhet të ulen e të bisedojnë se si mund të shkrihen programet, si mund të qeveriset në të mirë të shtetit dhe të mos kemi bllokada nga janari e andej.
Kryetarët e partive, Lumir Abdixhiku (LDK), ish-kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi dhe Ramush Haradinaj (AAK), kanë pritur një kërkim-falje nga Kurti. Sidoqoftë, jo vetëm për këtë arsye por edhe të tjera si p.sh qasja e ndryshme për zgjidhjen e problemeve shtetërore, ishin arsye se pse Kosova mbeti një vit pa institucione të reja.
Kurti, ka thënë se ‘raportet e acaruara’ mes akterëve politikë në vend nuk janë për shkak të gjuhës së përdorur, por për shkak të interesave të kundërta.
I ftuar në emisionin “Politiko” në “Kanal 10” ,ai është pyetur për fjalën ‘hajvan’, të cilën e përdori më 9 shkurt pasiqë rezultatet e zgjedhjeve e kishin nxjerrur fitues. Ai ka deklaruar se nuk e ka përdorur fjalën për të gjithë opozitën, por për ata që kanë dhënë premtime iracionale.
“Nuk është i vërtetë që e kam quajtur të gjithë opozitën ashtu. Ajo çfarë kam thënë ka qenë për premtimet lajthitëse që janë në rastin më të mirë iracionale dhe ato kishin të bëjnë për shembull buxhetin e shtetit më të madh se bruto produkti vendor ose ka pasë premtime që paga minimale do të jetë edhe më e madhe se 50% i pagës mesatare në Kosovë. Ndoshta është dashur të gjejë ndonjë fjalë tjetër. Raportet në Kosovë nuk janë acaruar asnjëherë për shkak të gjuhës, por të interesave të kundërta sepse ajo çfarë i kanë thënë partitë njëra-tjetrës ata nuk kishin nejtë me një dhomë”- kishte thënë ai.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza pasi mori mandatin në krye të partisë, tha se fushatën do ta realizojnë me gjuhë të zgjedhur, dhe mundësisht “secili prej neve me kontribu në depolarizimin e skenës politike në Kosovë”.
Ai ka thënë se është i gatshëm të bashkëpunojë me secilën parti në interes të vendit, duke thënë që nuk ka vija të kuqe për asnjë parti, përfshirë Vetëvendosjen.
“Unë asnjëherë nuk kam vendosur vija të kuqe dhe siç e pamë edhe në këto zgjedhje në balotazh, edhe ata që kanë vënë vija të kuqe, të gjithëve u kanë rënë. Krejt me krejt u bënë bashkë. Mendoj që ne duhet të jemi të përgjegjshëm para interesit të vendit dhe gjithmonë t’i bëjmë veprimet e duhura në dobi të vendit”- tha Hamza për media më 17.11.2025.
Në anën tjetër, besohet që më nuk do të mund të ketë Qeveri të shumicës në Kosovë.
Ekspertja e politikës për Ballkanin Perëndimor, Johanna Deimel, në një intervistë për KALLXO.com më 30 tetor, konsideron se 9 shkurti 2025 (dita e zgjedhjeve qendrore) shënoi përfundimin e qeverisjes me shumicë absolute të LVV-së.
Kosova, siç thotë ajo, ka hyrë në një fazë demokratike ku asnjë parti e vetme nuk mund të qeverisë pa partnerë, dhe ku formimi i qeverive kërkon kompromis dhe konsensus.
“Albin Kurti duket sikur është ‘dehur nga pushteti’ dhe në mohim të realitetit se shumica absolute është humbur, është po aq i papërkulshëm sa kanë qenë edhe partitë opozitare në bllokadën e tyre”- kishte thënë ajo për KALLXO.com.
Kosova e nisi vitin me zgjedhje dhe po e mbyll sërish në të njëjtën pikë. Çështjet kyçe mbetën pezull: marrëveshjet ndërkombëtare u ngrinë, nismat e reja munguan, ndërsa buxheti i ri mbeti vetëm si draft.
Se zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhja e vetme është përmendur qysh në prill të këtij viti. Mirëpo, përpjekjet vazhduan edhe pse as nuk pati marrëveshje politike, as numra e as vullnet të përbashkët të partive politike. Një vit i tërë u humb në përplasje politike, pa një gjuhë të përbashkët, pa arritur të konsolidohen institucionet dhe punë të rëndësishme që kanë mbetur pezull.
Hera e fundit kur u kryen punë legjislative në Kuvend është më 05.12.2024, ndërsa deputetët masandej u panë vetëm në seancën konstituive maratonike dhe dy të tjerat për formimin e Qeverisë – e cila nuk u formua. Ekzekutivi vazhdoi vetëm me punë të nisura sa ishte në mandat të plotë. E pak para dhjetorit, edhe institucioni i vetëm i konstituar – Kuvendi i Kosovës – u shpërnda, duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 396,787 vota apo 42.30%, PDK është renditur e dyta me 196,474 apo 20.95%, LDK e treta me 171,357 apo 18.27%, AAK-Nisma me 66,256 vota apo 7.06%.
Sipas numrit të ulëseve, partitë patën: LVV me 48 deputetë; PDK me 24 deputetë; LDK me 20 deputetë; Lista Serbe me 9 deputetë, AAK me pesë deputetë, Nisma me 3 deputetë etj.
Në këto zgjedhje kanë marrë pjesë 966,283 votues apo 46.54 %. Se sa do të jetë dalja në fund dhjetor dhe se a do të ndërrojnë përqindjet, pritet të shihet.






