Gjykata e Tetovës vulosi lidershipin: Ziadin Sela mbetet në krye të ASh — reagoi krahu i Taravarit

    Gjykata Themelore në Tetovë ka shpallur vendimin se kryetari i ligjshëm i Aleancës për Shqiptarët (ASh) është Ziadin Sela, duke i dhënë vulat dhe drejtimin e partisë krahut të tij. Në vendim thuhet se kërkesa për ndërrimin e kryetarit të partisë është pranuar, duke e kaluar nga Arben Taravari te Ziadin Sela.

    Sipas vendimit të gjykatës, Këshilli Drejtues i partisë është organi që përcakton strategjitë politike dhe merr vendime në përputhje me Statutin e ASh-së dhe ligjet në fuqi. Në bazë të nenit 47 të Statutit të partisë, kryetari shkarkohet nga Kongresi me shumicën e 2/3 së delegatëve. Po ashtu, në të njëjtin Kongres, sipas nenit 53, është rizgjedhur kryetari i ri, duke e konfirmuar Selën në krye të partisë.

    “Kërkesa për ta regjistruar ndryshimin e kryetarit të partisë politike Aleanca për Shqiptarët me seli në Tetovë, në rrugën ‘V.S. Bato’ nr.1 PRANOHET. Kështu që, në regjistrin gjyqësor të partive politike shënohet se kryetar i partisë Ziadin Sela nga Struga në vend të kryetarit të deritashëm Arben Taravari nga Gostivari”, thuhet mes tjerash në vendimin e Gjykatës Themelore në Tetovë. Në arsyetimin e vendimit të Gjykatës, thuhet se në pajtim me Statutin e partisë dhe ligjeve në fuqi, Këshilli drejtues i partisë është organi që definon strategjitë politike të partisë, përgatit dhe i vë kornizat politike si organ më i lartë politik.

    Nga ana tjetër, krahu i Taravarit ka të drejtë të ankimojë vendimin brenda 15 ditëve në Gjykatën e Apelit. Sipas vendimit, kërkesa e grupit të Taravarit për të shpallur të pavlefshëm Kongresin e 4-t të jashtëzakonshëm është refuzuar, me arsyetimin se Statuti i Kongresit të 3-t të mbajtur në dhjetor 2022 është ende në fuqi.

    Pas këtij vendimi, ka reaguar Arben Fetai nga krahu i Arben Taravarit. Ai tha se gjykatësi Ilir Rexhepi po përpiqet të konotrabandojë Aleancën për Shqiptarët në BDI. Fetai është i bindur që Gjykata e Apelit do ta rrëzojë vendimin që thotë se ASh-ja i takon Ziadin Selës.

    “Vendimi skandaloz i gjykatësit Rexhepi do të rrëzohet përsëri në Gjykatën e Apelit, deri në një vendim përfundimtar që do të vendos drejtësi në vend, e lëmë Selën dhe klikën e tij, të vetëkënaqen me vulat imagjinare të gjykatësit Rexhepi dhe me karamelet e Ali Ahmetit. Ndaj gjykatësit Rexhepi po ashtu do të ngritet procedurë për llogaridhënie.”, tha Fetai.

    Vendimi i Gjykatës Themelore në Tetovë pritet të ndikojë në përçarjen e mëtejshme brenda ASH-së, me dy fraksione që pretendojnë drejtimin e partisë dhe një betejë ligjore që tashmë është zhvendosur në instancat më të larta gjyqësore.

    Lajmi Paraprak

    Si do të jetë bota pas pesë vjetësh me Inteligjencën Artificiale

    Lajmi i rradhës

    Vrau gruan e tij në Shtip, Fadil Zejnellov dënohet me burgim të përjetshëm

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë