Bosnja pritet të marrë këtë javë statusin e vendit kandidat

    Bosnje e Hercegovina pritet të marrë statusin e vendit kandidat nga Bashkimi Evropian më 13 dhjetor, mëson Radio Evropa e Lirë nga burimet diplomatike në Bruksel.

    Sipas të njëjtave burime, në takimin e së martës të Këshillit të çështjeve të përgjithshme pritet që ministrat e vendeve anëtare në Bruksel të miratojnë konkluzat për vendet e procesit të zgjerimit, ku do të rekomandojnë edhe dhënien e statusit të kandidatit për Bosnjën.

    Më pas, në takimin e shefave të qeverive apo shteteve të BE-së, më 15 dhjetor, Këshilli Evropian pritet të konfirmojë dhënien e këtij statusi.

    Në tetor, Komisioni Evropian rekomandoi statusin kandidat për Bosnjën, por listoi një sërë kushtesh që duhen plotësuar, e të cilat kanë për synim të forcojnë demokracinë e këtij shteti të Ballkanit Perëndimor.

    Rekomandimi për Bosnjën u tha se është i kushtëzuar, pasi Komisioni pret plotësimin e tetë kushteve specifike që lidhen me miratimin e ligjeve për gjykatat dhe prokurorinë, parandalimin e konfliktit të interesit, lirinë e shprehjes dhe migracionin.

    Por, Komisioni vetëm këshillon se cilat shtete duhen të marrin statusin e kandidatit. Vendimi përfundimtar e marrin 27 shtetet anëtare dhe ato duhet të marrin vendim unanim.

    Disa shtete – sikurse Austria, Kroacia dhe Sllovenia – kanë kërkuar që Bosnjës t’i mundësohet procedurë e shpejtë, pasi Moldavia dhe Ukraina në qershor morën statusin e vendit kandidat.

    Të tjerët, përfshirë Holandën, janë shprehur kundër zgjerimit, edhe pse pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës ka thyer rezistencën për shkak të shqetësimeve të sigurisë për Evropën si tërësi.

    Lajmi Paraprak

    Miliardat e rrugëve | Inxhinieri: Rrugët te ne kanë probleme, sepse ndërtohen me nxitim

    Lajmi i rradhës

    Momenti kur gazetarja e BBC-së emocionohet, derisa raportonte për vdekjen e tre djemve që ranë në liqenin e ngrirë në Angli

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë