Gjykatësit në RMV kapen “me pelë për dore”!

    Këshilli Gjyqësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut në seancë urgjente pas mesnate ka vendosur që gjykatësit të Gjykatës Supreme, Nake Georgiev t’ia heq imunitetin dhe t’i miratojë masën e paraburgimit. Seanca u mbajt me urgjencë pasi dje, Ministria e Punëve të Brendshme arrestoi gjykatësin suprem për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit se ka kryer vepër penale të marrjes së shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm. Seanca e Këshillit Gjyqësor është mbajtur me kërkesë të Gjykatës Themelore Penale Shkup, sepse sipas nenit 36 ​​të Ligjit për Këshillin Gjyqësor, ky organ ka kompetencë të vendos për heqjen e imunitetit të gjykatësit dhe miratimin e paraburgimit të gjykatësit.

    Sipas MPB-së, gjykatësi është arrestuar në vend gjatë kryerjes së krimit. “Më 20 maj 2024, gjykatësit të Gjykatës së Lartë i është privuar nga liria për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale të marrjes së shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm. Gjykatësi është arrestuar në vend gjatë kryerjes së veprës penale. Presim udhëzime të mëtutjeshme nga prokurori publik kompetent”, informuan nga MPB.

    MPB-ja nuk bëri me dije shumën e shpërblimit të marrë nga gjykatësi suprem, por disa nga mediat, duke iu referuar deklaratave përkatëse, raportuan se ishte 10 mijë euro. Dyshohet se gjykatësi është denoncuar nga një person i cili ka pretenduar se i është kërkuar ryshfet me premtimin e rrethanave lehtësuese në një çështje gjyqësore. Flitet se bëhet fjalë për ish-kryetarin e Novosellës, Boro Stojçev, i cili është i lidhur me tregtinë e marijuanës. Ai ishte një nga dhjetë të arrestuarit pasi policia zbuloi një grup kriminal që fitonte para nga shitja e drogës në mars të këtij viti, me origjinë nga një kompani e regjistruar për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore, me dyshimin se ishte Stojçev që drejtonte grupin.

    SHKARKOHET NGA POSTI I GJYKATËSIT

    Këshilli Gjyqësor e ka diskutuar këtë rast në mbrëmje, por jo në seancë publike. Sipas nenit 39 paragrafi 1 i Ligjit për Këshillin Gjyqësor, seancat e Këshillit janë publike. Por sipas paragrafit 2, publiku mund të përjashtohet vetëm me vendim të Këshillit për të mbrojtur reputacionin dhe integritetin e gjykatësit apo kandidatit për gjykatës. Për përjashtimin e publikut nga seancat, Këshilli vendos me shumicën e dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i anëtarëve të Këshillit me të drejtë vote.

    Me dyer të mbyllura herët në mëngjes Këshilli Gjyqësor ka marrë një vendim. “Këshilli Gjyqësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut në seancën e 487-të urgjente jopublike të mbajtur më 21.05.2024, shqyrtoi dhe vendosi me kërkesë të Gjykatës Themelore Penale Shkup që t’ia heq imunitetin gjykatësit dhe t’ia miratojë paraburgimin e gjykatësit dhe mori këto vendime: I heq imunitetin gjykatësit të Gjykatës Supreme të RMV-së, për hir të mbarëvajtjes së procedurës penale; Aprovoi kërkesën për miratimin e paraburgimit të gjykatësit të Gjykatës Supreme të RMV-së të paraqitur nga gjykatësi i procedurës paraprake të Gjykatës Themelore Penale Shkup dhe e largoi përkohësisht gjykatësin e Gjykatës Supreme të RMV-së nga ushtrimi i funksionit të tij gjyqësor deri në përfundimin e procedurës penale, thuhet në kumtesën e Këshillit Gjyqësor.

    PROCEDURA E NDËRPRERË

    Para se të zgjidhej gjykatës suprem, Georgiev ishte kryetar i Gjykatës së Apelit të Shtipit. Pikërisht për punën e tij në kohën kur ishte kryetar i asaj gjykate, për të ka pasur një peticion në Këshillin Gjyqësor, si dhe për dy gjykatës të tjerë nga e njëjta gjykatë. Këshilli gjyqësor i shkarkoi të tjerët, por peticioni për Georgiev nuk u vendos në rend dite për gjysmë viti. Ishte në tavolinë vetëm pasi kandidoi për Këshillin Gjyqësor. Kandidimi pasoi pas dy vendeve vakante në Këshillin Gjyqësor – gjykatësja supreme Mirajna Radevska Stefkova dhe gjykatës i apelit Zoran Gerasimovski dhanë dorëheqje për shkak të mospajtimit me punën e Këshillit Gjyqësor.

    Vetëm një ditë para se të përcaktohej kandidatura e tij për anëtar të Këshillit Gjyqësor, ky organ e ndërpreu procedurën ndaj Georgiev. Gjatë shqyrtimit të peticionit, gjoja shumica e anëtarëve votuan që ai të mos shkarkohet, pas së cilës më 13 korrik 2023 u zgjodh anëtar i Këshillit Gjyqësor. Mirëpo, pas dy javësh ai nuk bëri betimin solemn dhe dha dorëheqjen nga Këshilli, pasi u konstatua se në të njëjtën ditë ishte caktuar edhe zgjedhja e gjykatësve nga radhët e kandidatëve për gjykatës, përfshirë edhe djalin e tij. Kjo zgjedhje do të ishte në kundërshtim me Ligjin për Gjykatat, sipas të cilit, nuk mund të zgjidhet si gjykatës, i cili është i lidhur me një anëtar të Këshillit Gjyqësor deri në shkallën e tretë.

    Emri i tij u lidh edhe me reagimin e anëtarit të këshillit gjyqësor, Ivica Nikolovski, i cili në seancën e dhjetorit 2022 u ankua se në zyrën e tij ka ardhur një gjykatës dhe e ka pyetur se pse po zhvillon ndaj tij procedurë disiplinore.

    Ndërkohë, bëhet e ditur se dje në orët e vona të mbrëmjes, me urdhër të gjykatësit të procedurës paraprake, në Tetovë është bastisur shtëpia e anëtarit të Këshillit të prokurorëve Ixhet Memeti, si dhe është bërë bastisje në objektet zyrtare të këshillit të prokurorëve publik. Dyshohet se i njëjti, së bashku me gjykatësin e dyshuar Nake Gorgiev, kanë ndikuar duke keqpërdorur pozitën e anëtarit të Këshillit të Prokurorëve Publikë.

    Ixhet Memeti ka qenë Avokati i Popullit për dy mandate. Ai gjithashtu ka qenë ish-ministër i Drejtësisë, gjykatës kushtetues, këshilltar shtetëror në Qeveri dhe anëtar i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

    Megjithatë, Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion nuk do të kërkojë masën e paraburgimit për Ixhet Memetin, anëtar i Këshillit të Prokurorëve Publikë, ndërsa paraburgimi kërkohet për gjykatësin suprem Naqe Georgiev, e cili u kap duke marrë ryshfet për të lehtësuar procedurën që drejton ndaj ish-kryetarit të Novo Sellos, Boro Stojçev.

    “Provat e mbledhura dhe kontrollet e deritanishme të kryera ofrojnë bazë ligjore që prokurori publik në fjalë të propozojë masën e paraburgimit vetëm për të dyshuarin e parë i cili është kapur gjatë kryerjes së veprës penale, ndërsa në lidhje me të dyshuarin e dytë deri në këtë pikë provat nuk japin bazë për të propozuar masën më të rreptë të sigurisë. Hetimi vijon deri në verifikimin e plotë të të gjitha rrethanave dhe pretendimeve”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar.

    Rastin e ka denoncuar djali i Stojçevit, i njohur si “Boro Marlboro”, dhe sipas denoncimit të tij, Georgiev dhe Memeti i kanë premtuar lehtësim në procedurën ndaj Stojçevit për kontrabandë me marijuanë.

    “Pas kallëzimit të mëparshëm të djalit të një të pandehuri në një rast që po zhvillohet në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, pasditen e djeshme Ministria e Punëve të Brendshme ka kryer një aksion në të cilin është ndaluar gjyqtari i Gjykatës së Lartë. Në bazë të njoftimit të dorëzuar nga MPB, BSB, Departamenti i Policisë Kriminale, Departamenti i Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit, prokurori publik në fjalë nga Prokuroria Themelore Publike për Prokurorinë e Ndjekjes së Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka lëshuar një Urdhër për zbatimin e procedurës hetimore ndaj dy personave për të cilët ekziston dyshimi se kanë kryer një vepër penale “Shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm” nga neni 359 i Kodit Penal”, njoftojnë nga Prokuroria Publike. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Çka do të bëhet me paratë e marra nga institucionet serbe në veri?

    Lajmi i rradhës

    Tatimet për veturat euro 5 janë të larta në RMV, ankohen importuesit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë