A mund të presim që me shpejtësinë e dritës të zgjidhet problemi me qentë endacakë në Tetovë? (Video)

    Nëse nuk ka zgjidhje të problemit me qentë endacakë në tërë territorin e Maqedonisë së Veriut, rrjedhimisht tetovarët edhe në vitin 2023 do të vazhdojnë të përballen me qentë endacakë nëpër rrugë. Në seancën e shtatë të Këshillit komunal të komunës së Tetovës, u miratua një buxhet prej 3 milionë denarë për trajtimin e qenve endacakë, por akoma nuk dihet nëse 2023 do të jetë vit i zgjidhjes së problemit, shkruan Nistori.

    “Tre milionë denarë janë ndarë për qentë endacakë dhe shumë shpejtë do të vjen në fazat përfundimtare të bisedimeve me një investitor nga shtetet e huaja. Në qoftë se arrijmë gjithçka të përfundojmë si duhet, trajtimin dhe sterilizimin e atyre qenve do e bëjë ajo kompani. Mjafton që Komuna e Tetovës të gjejë një vend ku do t’i trajtojë qentë. Pasi të përfundojmë atë proces, do të jeni të njoftuar.”, deklaroi Besar Durmishi, kryetar i Këshillit komunal

    Kontrata me kompaninë ‘Amos’ është që të bëhet transferi i 80 qenve endacakë jashtë vendit, por me investitorin e ri nëse shkojnë procedurat në rregull, atëherë problemi me qentë endacakë në Tetovë, sipas Durmishit pritet të zgjidhet brenda vitit 2023.

    “Nëse arrijmë të përfundojmë gjithçka si duhet, unë besoj fuqishëm se problemi i atyre qenve do të zgjidhet në 2023. Por në qoftë se nuk arrijmë në ujdi, nuk i ka kompania punët si fjalët, ne do t’i thërrasim mediumet dhe do t’i bëjmë të ditur arsyet pse nuk kemi arritur zgjidhje dhe do të kërkojmë mundës tjetër.” – shtoi Durmishi.

    Ndryshe, kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami, i pyetur nga Nistori nëse problemi me qentë endacakë do të zgjidhet në vitin 2023, ai tha se ky problem nuk është lokal, por problem nacional dhe duhet strategji nacionale.

    “Komuna e Tetovës do të vazhdojë të punojë në drejtim të zgjidhjes së këtij problemi, por e kam thënë edhe në raste të tjera, nuk është problem lokal, por është problem nacional. Duhet zgjidhje dhe strategji nacionale. Po të më garantojë dikush se sa qen endacakë unë duhet t’i trajtojë, t’i sistemoj dhe me atë ta zgjidhi problemin, unë që nesër gjej zgjidhje. Pra, për shkak se bëhet fjalë për kafshë të gjalla të cilat vetë lëvizin apo me asistimin e personave të papërgjegjshëm, do të vazhdojë ta trajtojë në nivel lokal dhe me ato kapacitete të cilat i kemi. Nuk mund të garantoj se pa një koordinim nacional kjo çështje mund të zgjidhet.”, deklaroi Kasami në konferencën e fundit të vitit 2022.

    Sipas Kasamit përveç kontraktimit me ‘Amos’, ka edhe oferta tjera më të favorshme për trajtimin e qenve endacakë. Bëhet fjalë për qytetar turk i cili ka ofruar zgjidhje për këtë problem, por ka kërkuar hapësirë për trajtim.

    “Bëhet fjalë për një qytetar turk i cili ishte në takim dhe ofroi zgjidhje që është shumë më e favorshme për komunën, kërkoi që komuna t’i sigurojë një lokacion dhe ai do të përkujdeset për qentë endacakë, por ende nuk kemi një propozim konkret.”, shtoi ndër të tjera Kasami.

    Ai shtoi se aktualisht komuna nuk ka mundësi të menaxhojë me financat dhe për këtë shkak nuk mund të realizohet një pjesë e kontratës me ‘Amos’ dhe për këtë nuk mund të vazhdohet projekti. Pra, nuk mund të bëhet pagesa e asaj pjese të realizuar që të mund të vazhdojë projekti.

    Sipas kryetarëve të komunave të Pollogut, ideja më e mirë është strehimorja rajonale për qentë endacakë, por se kur do të ndërtohet, nuk ka një afat të caktuar. Fillimisht duhet që të kalojë plani urbanistik dhe më pas të kërkohen mjete për financimin e strehimores. Kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami, në dhjetor të 2022 deklaroi se tërë procedura mund të zgjasë një vit.

    Ndryshe, gjatë vitit 2022, nga SPB Tetovë për Nistori.com thonë se janë raportuar 59 kafshime nga qentë endacakë, por nga QShP Tetovë nuk u përgjigjen se sa qytetarë kanë marrë vaksinën antitetanus. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Shkupi ndër 10 qytetet më të ndotura në botë

    Lajmi i rradhës

    Keqpërdorimet e përkatësisë etnike në EShS, ende nuk ka përgjigje për këtë skandal

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë