Glorifikimi i Mlladiqit, LSDM dhe PLD kërkon veprimin e Prokurorisë dhe përgjegjësi nga Qeveria

    Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) dhe Partia Liberal Demokratike (PLD) kanë kërkuar përgjegjësi politike, ndërsa kanë ngritur edhe çështjen e përgjegjësisë së mundshme penale, pas publikimeve në të cilat është glorifikuar Ratko Mlladiqi, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, shkrun Nistori.

    Reagimet vijnë pasi në faqen në Facebook të Partisë Demokratike të Serbëve në Maqedoni, të drejtuar nga ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Ivan Stoillkoviq, u publikua një tekst kushtuar Mlladiqit. Për të njëjtën çështje kishte publikuar edhe drejtori i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq.

    Në një konferencë për media, Keti Shterjova nga LSDM-ja kërkoi që Prokuroria Publike të shqyrtojë rastin dhe të përcaktojë nëse ekzistojnë elemente të përgjegjësisë penale.

    “Çfarë pret Prokuroria Publike? Thirrje nga Mickoski? Stoilkoviqi është ministër në Qeverinë e Mickoskit dhe kryetar i Partisë Demokratike të Serbëve. Kitanoviqi është drejtor i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve. Prokuroria Publike duhet ta bëjë punën e saj dhe të përcaktojë nëse ka përgjegjësi penale”, deklaroi Shterjova.

    LSDM-ja kërkon përgjigje edhe nga kryeministri Hristijan Mickoski nëse, siç thotë partia, në Qeverinë e tij ka vend për funksionarë që glorifikojnë apo justifikojnë persona të dënuar për krime lufte dhe nëse do të kërkojë përgjegjësi politike prej tyre.

    Shterjova e lidhi rastin edhe me atë që LSDM-ja e cilëson si një agjendë më të gjerë politike dhe gjeopolitike.

    “Kjo është pjesë e një agjende më të gjerë: Vuçiqi, agjenda ruse, investimet kineze, admirimi për Kinën… ‘Bota serbe’ tani shfaqet edhe në formën e respektimit të një krimineli lufte. Ndarjet mes qytetarëve në shoqëri, krijimi i tensioneve etnike dhe fyerjet e Mickoskit, të gjitha këto janë pjesë e operacionit ‘Tëllirë’, për të cilin kemi paralajmëruar. Krimet kundër njerëzimit janë krime dhe për këtë duhet të ketë përgjegjësi”, tha ajo.

    Për rastin reagoi edhe PLD-ja, e cila dënoi çdo formë të glorifikimit të Mlladiqit dhe kërkoi që Qeveria të distancohet publikisht nga veprimet e Stoilkoviqit dhe Kitanoviqit, si dhe të përcaktohet përgjegjësia politike.

    “Kjo nuk është çështje qëndrimi politik, përkatësie kombëtare apo interpretimi të ndryshëm të historisë. Nuk ka asnjë anë tjetër të historisë së gjenocidit kur faktet janë përcaktuar me vendime përfundimtare të gjykatave ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e PLD-së.

    Sipas partisë, është e papranueshme që glorifikimi i një personi të dënuar për gjenocid dhe krime lufte të lidhet me bartës të funksioneve të larta shtetërore.

    “Maqedonia nuk mund të thirret në vlerat evropiane para Brukselit, ndërsa brenda vendit Qeveria hesht kur zyrtarët e saj marrin pjesë në glorifikimin e një personi të dënuar për gjenocid”, deklaroi PLD-ja.

    Partia vlerëson se rasti nuk duhet të përfundojë vetëm me përgjegjësi politike, por se institucionet kompetente duhet të shqyrtojnë nëse ekzistojnë edhe elemente për përgjegjësi penale. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Dokumenti “Top Secret” në aktakuzën ndaj Shehollit, Tërnava kërkon zbardhjen e autorësisë dhe autenticitetit

    Lajmi i rradhës

    Islandezët vendosin sot: negociata të reja me BE-në apo fund i perspektivës së anëtarësimit?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë