“Pa respektim absolut të Marrëveshjes së Prespës, nuk mund të bëhet përparim në rrugën e gjatë të Shkupit drejt Evropës”. Ky është një tjetër nga seria e mesazheve paralajmëruese për qeverinë e ardhshme në Shkup që kryeministri grek Kirjakos Mitsotakis i dërgon, pasi presidentja e Maqedonisë Gordana Siljanovska nuk e përdori emrin kushtetues gjatë inaugurimit.
Për ERT ai thekson se baza e marrëveshjes nga Prespa është koncepti i emërtimit, pra emri Maqedonia e Veriut të përdoret dhe të jetë i vlefshëm për të gjithë, pra të përdoret si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Mitsotakis thekson se do të presin qëndrimet zyrtare të qeverisë së re, por thekson se shembujt e parë të sjelljes janë jashtëzakonisht negative.
“Dua t’ju kujtoj se ne nuk e votuam Marrëveshjen e Prespës, sepse shprehëm rezervë të fortë që kjo marrëveshje e njeh kombin maqedonas dhe gjuhën maqedonase. Kjo ishte arsyeja kryesore që ne nuk votuam për marrëveshjen. Por për çështjen e emrit ka një tërheqje shumë të qartë dhe dua t’i dërgoj edhe një herë një mesazh paralajmërues qeverisë së re, që tani e tutje të ndryshojë linjë. Të respektohet kjo dispozitë qendrore e Marrëveshjes së Prespës, të përdoret vetëm emri Maqedonia e Veriut brenda dhe jashtë vendit, kur përmendet fqinji ynë verior. Përndryshe, është e sigurt se do të krijojnë probleme jo vetëm në marrëdhëniet e Greqisë me Maqedoninë e Veriut, por edhe në marrëdhëniet e Evropës me Maqedoninë e Veriut”, tha Mitsotakis.
Në intervistë, Mitsotakis tregon se personalisht ka ndërhyrë te lidershipi i Bashkimit Evropian në lidhje me deklaratat e presidentes së Maqedonisë së Veriut.
Reagimet nga pala greke u intensifikuan pas deklaratës së liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i cili publikisht tha se do të zbatojë të njëjtën qasje si Siljanovska, gjegjësisht se është e drejtë e tij nëse do të përdorë emrin kushtetues./Nistori/