Gruevski shihet në një restorant në Budapest, politikani hungarez kërkon ekstradimin e tij në RMV

    Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski, është fotografuar në një restorant në qendër të Budapestit. Fotografitë janë publikuar në Facebook nga politikani opozitar hungarez dhe ish-deputeti Ákos Hadházy, përcjell Nistori.

    Sipas Hadházy-t, fotografitë janë realizuar nga një shtetas hungarez, i cili e kishte vënë re Gruevskin në një nga restorantet në qendër të kryeqytetit hungarez.

    Në postimin e tij, Hadházy rikujton se ish-kryeministri maqedonas është dënuar me burg me vendim të formës së prerë në Maqedoninë e Veriut dhe se në vitin 2018, me ndihmën e diplomatëve hungarezë, ishte larguar drejt Hungarisë, ku iu dha azil politik gjatë qeverisjes së Viktor Orbán-it.

    “Supozoj, ose më saktë shpresoj, se qeveria e re thjesht e ka harruar atë. Megjithatë, ne mund të kontribuojmë lehtësisht dhe në mënyrë të konsiderueshme në zbardhjen e rasteve në Maqedoni, nëse ia revokojmë azilin politik dhe e kthejmë Gruevskin”, shkruan Hadházy.

    Politikani hungarez ka kritikuar gjithashtu lidhjet politike të ish-kryeministrit maqedonas me Viktor Orbánin dhe ish-ministrin e Jashtëm hungarez, Péter Szijjártó.

    Hadházy thekson se njerëz të afërt me Gruevskin vazhdojnë të jenë në pushtet në Maqedoninë e Veriut, ndaj, sipas tij, çështja e përgjegjësisë politike duhet të trajtohet seriozisht edhe nga autoritetet hungareze.

    Në reagimin e tij, ai përmend edhe biznesmenin hungarez László Szíjj, të cilin e lidh me strukturat oligarkike të krijuara gjatë qeverisjes së Orbánit. Sipas Hadházyt, kompanitë e këtij biznesmeni janë të përfshira në ndërtimin e një autostrade në Maqedoninë e Veriut.

    Reagimi vjen pas ndryshimit të pushtetit në Hungari, ku në maj të këtij viti, Péter Magyar mori detyrën e kryeministrit, pas humbjes së Viktor Orbánit në zgjedhje.

    Lajmi Paraprak

    RMV nuk përmendet në mesazhet kryesore të Samitit të Procesit të Berlinit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë