Grupi hebre Lev Tahor u transferua në Shkup me polici, në Kumanovë i kanë gjuajtur me vezë dhe gurë

    Anëtarët e grupit fetar hebre “Lev Tahor”, të cilët nga e enjtja kanë qëndruar në një lagje të Kumanovës, mbrëmë janë transferuar në Shkup. Në grupin prej 37 anëtarësh, amerikanë, kanadezë, belgë dhe qytetarë të Amerikës së Jugut, të cilët kanë pasaporta të ligjshme dhe leje qëndrimi në Maqedoni, më shumë se gjysma janë fëmijë. Nga MPB konfirmuan se ata janë larguar nga Kumanova dhe aktualisht ndodhen në Shkup dhe kanë bërë thirrje për tolerancë dhe solidaritet me ta, transmeton Portalb.mk.

    “Përkujtojmë se këta persona i respektojnë ligjet e Republikës së Maqedonisë së Veriut, janë me qëndrim legal këtu dhe me qëndrim të përkohshëm në vendin tonë. Grupi i përmendur nuk paraqet asnjë rrezik dhe bëjmë thirrje për tolerancë dhe solidaritet ndaj tyre”, thonë nga MPB.

    Dëbimi i këtyre besimtarëve nga Kumanova erdhi për shkak të reagimeve negative dhe gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale, si dhe grumbullimit të qytetarëve para shtëpisë së tyre dhe gjuajtjes së vezëve dhe gurëve, gjë që rrezikonte sigurinë e tyre dhe duhej të ruheshin nga policia.

    Për shkak të veprimeve të tyre kontroverse dhe frikës së qytetarëve të Kumanovës, përveç përballjes me rrezikun e dhunës, mbrëmë kanë hasur në dyer të mbyllura aty ku duhej dhe donin të qëndronin. Ata nga Kumanova janë larguar me autobus të shoqëruar nga policia në orën 22:30 dhe janë vendosur në një hotel në Shkup në orën 03:00.

    Besimtarët hebrenj i përkasin grupit fetar ortodoks Lev Tahor, që do të thotë “Zemër e pastër”, që numëron rreth 300 anëtarë dhe kundërshtojnë rendin shtetëror për arsye fetare, pasi jetojnë sipas rregullave të tyre..

    Grupi deri javën e kaluar qëndroi në Sarajevë të Bosnje-Hercegovinës, pas përfundimit të qëndrimit atje, erdhën në Maqedoni. Këtu planifikuan të qëndronin për një kohë dhe më pas të vazhdonin diku tjetër.

    Ata paraprakisht kishin lëshuar Kanadanë, pasi udhëheqësi i tyre dhe disa anëtarë u akuzuan për rrëmbim të fëmijëve, por siç u tha bëhej fjalë për mosmarrëveshje private për një nënë e cila paraprakisht kishte qenë pjesë e grupit që më vonë u largua. Pati edhe raportime për abuzim me fëmijët.

    Grupi Lev Tahor është akuzuar në të kaluarën për krime kundër fëmijëve, duke përfshirë kidnapime dhe martesa të tyre.

    Rreth 200-300 anëtarët e këtij grupi kanë kërkuar me dekada një shtet që do të ishte nikoqir i interpretimit të tyre ultra-ortodoks të Torës.

    Ata kanë qëndruar edhe në vende tjera për katër dekada prej themelimit të grupit në Izrael, në fund të viteve 1980.

    Më 2018, udhëheqësia e grupit Lev Tahor ka kërkuar azil në Iran, ndonëse plani besohet se ka rënë në ujë, pas dëbimit nga ana e autoriteteve irakiane për në Turqi.

    Lajmi Paraprak

    “Ngjarje historike nisja e mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurisë në OKB”

    Lajmi i rradhës

    ECE TEMELKURAN: HAPËSIRA DEMOKRATIKE PO SHKRIHET PO AQ SHPEJT SA AKULLNAJAT

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë