Grupi parlamentar i VLEN-it së shpejti me plan për bashkëpunim – Mickoski: koalicioni, i qëndrueshëm

Grupi parlamentar i VLEN-it beson se për një kohë të shkurtër do të dalë me propozim-metodologji për liderët e tyre, për formën e bashkëpunimit eventual në zgjedhjet lokale. Plani që duhet të arrijë te liderët do të jetë metodologjia e ndarjes në përqindje të pozitave në listat e këshilltarëve komunal, të pozitave të bartësve të listave dhe kandidatët për kryetarë komunal. Sipas deputetit Rijad Shaqiri, atmosfera në grupin parlamentar është e mirë dhe ata funksionojnë si një familje.

“Sa i takon bashkëpunimit në kuadër të grupit parlamentar mund të them me përgjegjësinë më të madhe brenda koalicionit VLEN se ne funksionojmë si familje, bashkëveprojmë si një familje, jemi të koordinuar në mënyrë të jashtëzakonshme. Kohezioni brenda grupit parlamentar është i jashtëzakonshëm. Realisht ne kemi pasur një takim ku kemi bashkëbiseduar me kolegët deputetë rreth kornizës së daljes në zgjedhjet lokale. Jemi duke punuar në këtë drejtim, jemi duke I harmonizuar qëndrimet kundrejt subjekteve përfaqësuese të VLEN-it dhe besoj se për një kohë të shkurtër do të kemi ndonjë version i cili do të jetë I njohur edhe për opinionin por edhe për liderët”, deklaroi Rijad Shaqiri, VLEN.

Përfaqësuesi i Vetëvendosjes Bekim Qoku, në intervistë për Alsat, tha se grupi parlamentar tashmë i ka lënë pas të gjitha modalitetet e tjera, dhe punon vetëm në idenë e listave të përbashkëta.

“Pra, ky dallim që nisi, se dilema ka qenë të shkojmë me lista të përbashkëta ose të veçanta në zgjedhje, ndërsa me kandidatë të përbashkët, me propozimin e ri që na erdhi nga deputetët e Aleancës për Shqiptarët, kjo dilemë është pezulluar. Ne tani presim vetëm që te cilat komuna, cili kandidat duhet të kandidojë. Pra, thjeshtë, e kemi tejkaluar dilemën me lista të ndara apo të përbashkëta, tani do të shkojmë në një fazë të re që diskutohet për kandidatët e mundshëm, nga cila parti, në cilën komunë”, tha Bekim Qoku, VLEN.

Kryeministri Mickoski nuk i ka ndierë mosmarrëveshjet në VLEN dhe nuk beson që ata mund të ndikojnë në koalicionin qeveritar.

“Jo, nuk kam përshtypje të tillë. Përkundrazi, kemi bashkëpunim jashtëzakonisht cilësor. Qytetarët të jenë të sigurt se koalicioni është i qëndrueshëm. Jozyrtarisht më shumë se 2/3 kurse zyrtarisht 78 deputetë e mbështesin këtë qeveri”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Mosmarrëveshjet në VLEN dolën në sipërfaqe kur të gjithë liderët e tjerë të koalicionit pranuan publikisht se janë për një garë si koalicion në të gjitha nivelet e garës së zgjedhjeve lokale. Taravari nga ana tjetër ka insistuar që listat e kandidatëve për këshilltarë të jenë të ndara. Ai madje kritikoi efikasitetin e koalicionit duke thënë se 70% e shqiptarëve mendojnë se VLEN nuk funksionon mirë dhe nuk ka përfaqësim të kënaqshëm në qeveri. /Alsat/

Lajmi Paraprak

Durmishi nënshkruan vendimin e qeverisë për harmonizimin e pagës minimale

Lajmi i rradhës

Sindikata në protestë, kërkohet paga minimale prej 500 eurosh

Lajme tjera

Bashkohu

Informohu në kohë