Për shkak të paaftësisë së theksuar dhe mungesës së përgjegjësisë institucionale të Prokurorisë dhe Gjykatës Themelore të Tetovës, dy familje në hasmëri – njëra nga fshati Gajre dhe tjetra nga Tetova – vazhdojnë përplasjet e dhunshme që kanë nisur para më shumë se një viti e gjysmë.
Përplasjet e përsëritura jo vetëm që kanë shtuar bilancin e viktimave, por kanë kthyer një konflikt familjar në një kërcënim serioz për sigurinë publike.
Të gjithë personat e përfshirë në këtë zinxhir dhune janë përplasur fizikisht shtatë deri në tetë herë gjatë kësaj periudhe, në shumicën e rasteve me përdorim armësh zjarri, ku për fat të keq ka pasur edhe viktima. Pavarësisht kësaj, institucionet që duhet të garantojnë drejtësi dhe siguri publike, kanë dështuar të reagojnë në kohë dhe me seriozitetin e duhur.
Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë konfirmojnë se të gjitha rastet, nga i pari e deri tek i fundit, i janë përcjellë Prokurorisë. Megjithatë, procedurat kanë ngecur në Gjykatën Themelore të Tetovës, ku dosjet mbeten të pashqyrtuara, duke shtuar mosbesimin e qytetarëve ndaj sistemit të drejtësisë. Rasti i parafundit, ai i plagosjes pranë spitalit të Tetovës – që pasoi një zënkë përpara gjykatës – rezultoi me vdekjen e njërit prej vëllezërve nga Gajrja dhe më vonë me një viktimë nga familja Terziu. Edhe pas kësaj ngjarjeje tronditëse, procesi gjyqësor nuk ka nisur ende, ndonëse ka kaluar më shumë se një vit e gjysmë nga incidenti.
Informacionet jozyrtare të siguruara nga vetë gjykata e hedhin fajin mbi Prokurorinë e Tetovës për vonesat, ndërkohë që burime nga Prokuroria pretendojnë se çështja është dorëzuar në gjykatë katër muaj më parë. Ky ping-pong institucional i papërgjegjshëm ka lënë pa epilog një sërë incidentesh të rënda dhe ka lejuar përshkallëzimin e dhunës mes dy familjeve.
Ndërsa Gjykata dhe Prokuroria vazhdojnë të mbulojnë njëra-tjetrën me justifikime, asnjë nga të përfshirët nuk është ndalur apo proceduar ligjërisht deri më sot. Përkundrazi, përleshjet e armatosura mes familjeve kanë vazhduar edhe në lagjet e banuara, duke rrezikuar seriozisht jetën e banorëve të Lagjes Teqe dhe rrugës së Ilindenit – të lënë në mëshirë të fatit nga apatia në sistemin e drejtësisë.
Rasti më i fundit ndodhi mbrëmë: dy persona të maskuar dhe të armatosur me kallashnikov qëlluan nga një motor skuter në lëvizje në drejtim të shtëpisë së M.T. nga Tetova. Për fat të mirë nuk pati viktima, por dëmet materiale ishin të konsiderueshme. Ky sulm në stil mafioz tregon se situata ka dalë plotësisht jashtë kontrollit, ndërsa institucionet përgjegjëse vazhdojnë të heshtin.
“Ora 21:15 minuta në Sektorin për Punë të Brendshme Tetovës është raportuar se në rrugën “111” dy persona që kanë qenë në lëvizje me motor moto skuter me targa të panjohura kanë shtënë me armë zjarri në shtëpinë e personit M.T nga Tetova , menjëherë është vepruar sa i përket raportimit menjëherë është dalë ne vend ngjarje dhe janë gjetur 30 fishek të shkrepur nga arma e zjarrit apo automatiku, për rastin në fjalë është njoftuar edhe prokuroi publik dhe merren masa për zbardhjen e plotë të rastit”, tha Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.
Megjithatë, edhe në këtë rast, prokurori kujdestar nuk u paraqit në vendngjarje – një neglizhencë flagrante që e bën të pakuptimtë rolin e Prokurorisë si garantuese e ndjekjes penale.
Në vendin e ngjarjes mbërritën vetëm pjesëtarë të krim-teknikës të SPB-së, ndërsa Prokuroria, nuk ofron asnjë sqarim për mungesën e përfaqësuesit të saj. Policia ka vendosur disa pika kontrolli në qytet dhe në zonën malore të Sharrit dhe po kërkon për personat e dyshuar. Por, me këtë neglizhencë institucionale në sistemin e drejtësisë jofunksionale, çdo përpjekje policore mbetet e kotë. /Alsat/