Hedhje hi syve është propozimi për një Agjenci të re kundër korrupsionit

    Deputeti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov, në një konferencë për media ditë më parë në Parlament njoftoi se ka dorëzuar projektligjin për luftimin e formave të rënda të krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë. Ai thotë se propozimi i tij do të mundësojë zhdukjen e formave të rënda të korrupsionit, luftë pa dallim kundër krimit dhe zbatimin e vlerave evropiane.

    “Pothuajse të gjithë kemi të njëjtin qëndrim, dhe këto janë qëndrime edhe të BE-së edhe të SHBA-së, pasi Maqedonia e Veriut është shtet i kriminalizuar, se janë të kërcënuara vlerat dhe të drejtat themelore të qytetarëve, por më e rëndësishmja është mbijetesa e shtetit dhe rendit kushtetues. Prandaj, mendoj se me këtë ligj realisht do të rindërtojmë veten dhe do të përcaktojmë se kush jemi për BE-në, për një luftë reale kundër formave të rënda të krimit dhe korrupsionit. Derisa e gjitha që flasim për luftën kundër krimit dhe korrupsionit mbetet në ajër dhe deri më tani nuk kemi ka ndërmarrë asnjë veprim”, deklaroi Trajanov.

    Ai propozon krijimin e një agjencie të pavarur jashtë pushtetit politik dhe partiak, e cila, thotë ai, do të jetë rezistence ndaj çdo ndikimi partiak, korruptiv apo biznesi, i përbërë nga profesionistë të cilët do të jenë në gjendje të punojnë për zbulimin e formave të rënda të krimit të kryera nga mbajtës të funksionet shtetërore. Agjencia, thotë ai, duhet të punojë edhe në zbardhjen e pasurisë së fshehtë të bartësve të posteve shtetërore, të cilën ata e kanë fituar në rrugë kriminale.

    “Në RMV janë shtatë agjenci për të luftuar korrupsionin, por të gjitha janë të politizuara, nuk mund të funksionojnë dhe prandaj propozoj një Agjenci të tillë të pavarur. I bëj thirrje publikisht të gjithë deputetëve dhe partive politike që të bashkohen si propozues të këtij projekti ligjor dhe të kenë sukses që deri në fund të marsit ta kalojnë këtë ligj me një dëgjesë publike”, ka deklaruar ai.

    Arif Musa, ish-anëtar i Antikorrupsionit për gazetën KOHA, deklaroi se kjo temë është diskutuar së tepërmi në opinion dhe tani më është harxhuar edhe debati. Sipas tij, një nismë dhe propozim i tillë është më shumë për tërheqjen e vëmendjes për pikë politike dhe nuk ka asgjë esenciale. Ai këtë nismë e sheh më shumë si hedhje hi syve. “Vendi ynë ka nevojë për forcimin e institucioneve aktuale si Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Komisioni për Luftën Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe jo për formimin e institucioneve të reja”, shtoi ai.

    Ndryshe, Maqedonia e Veriut, ka pasur edhe zëvendëskryeministër për luftë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në vendin tonë kemi edhe Komisionin kundër Korrupsionit, Platformën e organizatave të shoqërisë civile për luftë kundër korrupsionit, gjithashtu rol të rëndësishëm në luftë ndaj korrupsionit luan edhe Enti Shtetëror i Revizionit. Vendi ynë ka nënshkruar dhjetëra memorandume për luftë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

    Nga ana tjetër, edhe pse kemi të gjithë këto institucione për luftë ndaj korrupsionit, Maqedonia e Veriut, përsëri nuk gjendet në pozitë të favorshme ndaj luftës me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Në indeksin ndërkombëtar për perceptimin e korrupsionit në botë nga “Transparency International”, Maqedonia e Veriut renditet në vendin e 85-të nga 180 vende. Nga rajoni para nesh janë Sllovenia (41), Greqia (51), Kroacia (57), Mali i Zi (65), Kosova (84), ndërsa Maqedonia e Veriut në të njëjtin vend është në shoqërinë e Surinamit, Indisë, Maldiveve, Guajanës dhe Tunizisë. Pas nesh janë Shqipëria dhe Serbia (101). /koha/

    Lajmi Paraprak

    Vuçiq thotë se nuk do të ketë njohje “as de facto dhe as de jure” të Kosovës

    Lajmi i rradhës

    Çfarë kujtojnë fëmijët më shumë nga prindërit e tyre?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë